23 Janar, 2023 - 7:30 pm
Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” këtë javë do të rivërë në skenë komedinë “Dita më e bukur”.
Komedia e David Foenkino, vjen me regjinë e Ledio Topallit dhe me një kast aktorësh të njohur dhe të pëlqyer nga publiku.
“Një shfaqje që sjell gëzim sepse është vendosur aty ku lind jeta dhe aty ku lind gëzimi çdo prindi, në Maternitet. Aty ku për çdo prind shkruhet në memorie Dita më e Bukur”, kështu është shprehur regjisori i komedisë e cila do të jetë në skenën për 6 netë rresht.
Në rolet kryesore interpretojnë Gentian Zenelaj, Adelina Muça, Sheila Haxhiraj etj.
Autori i veprës, David Foenkinos është një nga romancierët më në zë të momentit në Francë. Ai ka shkruar edhe tri vepra teatrale e njëra nga ato është edhe komedia “Dita më e bukur”.
Komedia e pati premierën pranverën e vitit të shkuar dhe pati shumë interes nga publiku.
Ajo ka personazhe të skalitur dhe një dialog të shpejtë, inteligjent e plot humor e keqkuptime. Personazhet që kanë zili jetën e njëri-tjetrit, e bëjnë këtë vepër shumë interesante dhe tërheqëse për publikun. /atsh /KultPlus.com