3 Korrik, 2019 - 3:00 pm
Në skenën e Teatrit “Avdush Hasani”, nesër me fillim nga ora 20:00 do të jepet premiera e shfaqjes “Ditë të bukura” me autor dramaturgun e famshëm irlandez, Samuel Beket.
Shfaqja që po ndihmohet nga MKRS-ja, do të jetë nën regjinë e Emin Eminit ndërsa do të interpretojnë aktorët Ismet Azemi dhe Vjosa Tasholli, kurse për skenografinë dhe ndriçimin do të përkujdesen Arton Hasani dhe Skënder Latifi.
“Ditë të bukura” pas dramës “Duke pritur Godonë”, konsiderohet ndër krjimet më të arrira të dramaturgut irlandez, i cili në vitin 1969 fitoi Çmimin “Nobel” për Letërsi.
Kjo premierë është e treta, pas shfaqjeve “Tenda” dhe “Room no 13”. Tema e shfaqjes është pamundësia e dashurisë në vitet e pleqërisë. Njeriu e kupton se nuk ka rast më të kthehet në kopshtin e Edenit prej nga është përzënë paraprakisht.
Shfaqja “Ditë të bukura” përbëhet nga dy akte dhe dy personazhe, Vili dhe Vini.
“Kur jeta fizike dehidrohet, shpirti përiqet të rimbursohet me kujtime para se të bije zilja e fundit, … në këtë pikëtakim emoçional veprojnë personazhet e Beketit Vili e Vini duke u munduar t’i japin kuptim asgjës… ejani në ditë të bukura!
Samuel Beketi është njëri nga shkrimtarët më me ndikim në letërsinë e shekullit XX, konsiderohet si paraprijësi i postmodernizmit, dhe themeltari i “teatrit absurd”. /KultPlus.com