‘Doktor Shuster’, drama morale dhe sociale e familjes në kohët moderne

23 Qershor, 2021 - 11:30 am

“Doktor Shuster”, drama me regji nga Qëndrim Rijani, vënë në skenë nga teatri “A. Z. Çajupi” në Korçë, nis garën në Festivalin e Teatrove të Ballkanit në Turqi. Festivali që bashkon trupa të ndryshme teatrore, çel mbrëmjen e sotme siparin, për t’u finalizuar më 28 të këtij muaji. Ndërsa 25 qershori, do të ngjisë në skenë “Doktor Shuster”, komedia e zezë që vjen nga trupa e Korçës në këtë festival.

Vepra e autorit Dushan Kovaçeviç, ka në role aktorët: Sotiraq Bratko, Zamira Kita, Dritëro Ame, Blerta Belliu, Shkëlqim Jaupi, Niki Petriti, Flori Topra, Gloria Nure, Eni Malësia, Flavia Zere, Panajot Qorri.

Më herët, drejtoresha e teatrit të Korçës, Zamira Kita, bën të ditur pjesëmarrjen në festival, duke shkruar mes të tjerash, se “është një shfaqje e bërë me shumë pasion, këtu e shtatë vite më parë”.

“Doktor Shuster” është drama fituese e tre çmimeve të mëdha “Kult”: aktori Sotiraq Bratko, aktorja Zamira Kita dhe regjia Qëndrim Rijani, për vitin 2016. Tre çmime të tjera në festivale të rëndësishme, si çmimi i karrierës dy herë, për aktorin Sotiraq Bratko dhe artistja e re, për këngëtaren Niki Petriti.

Përveç teatrit të Korçës, vepra është rishfaqur në Teatrin Kombëtar, amfiteatrin e Durrësit, qytetin e Kërçovës, në Tetovë, Kumanovë, në Teatrin e Qytetit Ferizaj, Teatrin e Manastirit dhe teatrin “Zvezdara” në Beograd. Me regji nga Qëndrim Rijani, asistent regjisor është Nikola Stefanov, skena dhe kostume Erald Bakalli.

Drama e nëpërkëmbjes së vlerave, me autor dramaturgun Dushan Kovaçeviç, vjen si një komedi e zezë, që shpalosi njëherësh edhe talentin e aktorëve. Në një reagim të tij më parë, regjisori Qëndrim Rijani pohonte se, përmes komedisë së zezë shfaqet edhe realiteti ku jetojmë në raport me mesazhin që jep vepra.

“Vepra përfaqëson dhe shqetësimin tim personal, përmes fjalëve të autorit. Fakti që zgjodha këtë vepër teatrore, për ta sjellë në skenën e teatrit është problematika e saj, që është koherente me problematikat e shoqërisë që jetojmë në kohë tranzicioni”, – pohonte mes të tjerave, regjisori Qëndrim Rijani.

Mesazhet që përcjell vepra e Dushan Kovaçeviçit, janë komplekse, që nga respekti për të moshuarin, për të vdekurin, te marrëdhënia me Zotin.

Në komedinë e zezë të regjisorit Rijani, gjithçka rrotullohet rreth 7 karrocave invalidësh, që metaforikisht, trajtojnë handikapin e shoqërisë tonë mbi të vërtetat tronditëse, si raporti baba-fëmijë, burrë-grua, motër-vëlla dhe vëlla me vëlla.

Komedia dramatike “Doktor Shuster” përmban brenda saj, gjithë problematikën e rajonit të Ballkanit. Ndërsa elementi  i karrocës, vjen si përkrahje ndaj njerëzve me aftësi të kufizuara – keqardhja, është ajo për të cilën, ata kanë sa më pak nevojë.

Me suksesin që drama ka njohur në shumë skena botërore, vepra erdhi edhe në skenën shqiptare, teksa 25 qershori shënon një fazë tjetër shumë të rëndësishme kompetitive në Festivalin e Teatrove të Ballkanit. Qëndrim Rijani, është regjisor i njohur, me një karrierë të larmishme, përfshirë vepra të huaja dhe shqiptare, shfaqur edhe në Evropë. / Konica.al / KultPlus.com

Të ngjajshme