29 Dhjetor, 2022 - 9:30 am
Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit në kuadër të kurimit të së shkuarës ka mbështetur dhe zhvilluar një sërë aktivitetesh që i shërbejnë komunikimit të kujtesës.
Autoriteti sjellë në vëmendje dramën “Gjaku i Martirëve të Kombit” ku në qendër është letra e Padër Lazri, një nga klerikët e ekzekutuar nga diktatura komuniste.
“Unë, po ju them, vëllezër, se ju kam falur! Në emër të Krishtit, ai dhe vetëm ai, na ka mësuar se si ta dhurojmë këtë dashuri pa frik se vdes. Pa patur frikë nga plumbi që kërkon të më marrë jetën. Unë, ju kam falur vëllezër, ju kam falur në emër të Krishtit. Rroftë Krishti përjetë”.
Me këto fjalë e mbylli jetën nën breshërinë e plumbave Padër Lazri, një njeri i Zotit që, si shumë të tillë, u pushkatuan gjatë regjimit komunist. Disa statistika numërojnë rreth 360 klerikë të feve katolike, myslimane dhe asaj bektashiane që janë pushkatuar e përndjekur nga regjimi komunist.
Më ftesë të Teatrit Kombëtar, stafi i Autoritetit ndoqi nga afër dramën “Gjaku i Martirëve të Kombit” bazuar në romanin me të njëjtin titull të autores Zana Tako. Drama është me regji të regjisorit Bajram Torba dhe muzikë të realizuar nga Artur Dhamo.
E interpretuar nga një kastë aktorësh profesionistë, si Bujar Asqeriu, protagonist i dramës në rolin e priftit Padër Lazërit, Marjana Kondi, Erjon Hinaj, Lindar Kaja e shumë të tjerë, drama përcjell mesazhe sa thelbësore, aq edhe jetike.
Janë 15 personazhe që përfaqësojnë karakterin e dhunuesit, viktimave dhe të indiferentit. Nuk mungon as bashkëpunëtori i Sigurimit të Shtetit i cili për një pjatë gjellë më shumë, apo për një dënim më të lehtë përgjon, provokon, spiunon se çfarë ndodh në qelinë e errët ku viktimat, të habitura dhe tronditura nga fati i tyre i keq, ende në padituri pyesin: Po çfarë bëmë vallë?!!
Përmbajtja e dramës: Kudo ka terror dhe dhunë! Ushtarët e së keqes, shërbëtorë të dhunës, torturojnë në dhomat e errëta të hetuesisë qenie të pafajshme njerëzore. Po përjetojmë, mes dramës, vite kur edhe dashuria duhej të burgosej, nuk duhej të flitej për të, e aq me tepër të mundoheshe ta përhapje këtë ndjenjë. Errësira ka frikë nga drita, dhe urrejtja ka frikë nga dashuria. Këtë mbolli diktatura në vetvete. Partia ishte Zot, dhe nuk duhej guxuar të besoje në asnjë Zot tjetër. Por, a mund ta pranoj këtë frazë një njeri i Zotit si padër Lazër? Kurrsesi!
Një letër e padër Lazër, lënë si amanet për brezat, u bë shkak për burgosjen e tij. Cila ishte përmbajtja e asaj letre që e çoi padër Lazrin në burgosje, e më pas përpara togës së pushkatimit?
Në qeli, aty ku askush, nuk e dinte se përse ishte akuzuar dhe në kushte dehumanizimi, prifti Lazër propagandonte për dije, dashuri midis njerëzve dhe mbi të gjitha për paqe.
Pikërisht, ky ishte edhe subjekti i letrës, testamenti që duhej përçuar nder breza. Tashmë, letra lexohet nga hetuesi dhe me akuzën se kjo letër ka ardhur nga Vatikani, merret vendimi që Padër Lazri të ekzekutohet.
“Falëm edhe ndaj atyre që kam lënduar, përhapni dashurinë dhe besimin e Zotit”, këtë mesazh la pas vdekja e martirit padër Lazri. Një mesazh sublim mbi dashurinë, paqen dhe mirësinë. Mesazh që kalon jo vetëm burgjet me tela me gjemba të komunizmit, por i reziston çdo kohe dhe shoqërie.
Autoriteti për Informimin me Dokumentet të ish-Sigurimit të Shtetit në përmbushje të misionit të tij, ka si synim krijimin e një platforme gjithëpërfshirëse për kuptimin e së shkuarës komuniste në Shqipëri.
Mbështetja e institucioneve akademike, studiueseve, shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të medias, me qëllim promovimin e aktiviteteve shkencore, konferencave, tryezave, shfaqjeve, dokumentarëve, ekspozitave etj., të cilat kanë në thelb trajtimin e të kaluarën komuniste dhe edukimin qytetar të shoqërisë në përgjithësi, është bërë një nga angazhimet parësore të Autoritet.
Autoriteti e sheh me shumë interes shfaqjen e dramave artistike, filmave, dokumentare dhe botimin e librave në fushën e kujtesës si një formë komunikimi me publikun e gjerë që i kalon kufijtë e komunitetit shkencor dhe komunitetit të ish-të përndjekurve.
Për gjatë viti 2022 Autoriteti i Dosjeve ka mbështetur një sërë aktivitetesh që i shërbejnë kurimit të së shkuarës.
Autoriteti ka mbështetur mbështeti realizimin e premierës së dokumentarit “ Flutura” në kinema “Milenium”, më 30 gusht, Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, duke bërë bashkë në sallë qindra të mbijetuar, familjarë, përfaqësues të institucioneve homologe dhe partnere të Autoritetit, përfaqësues të komunitetit artistik në vend, grupe të interesit, përfaqësues të pushtetit qendror e vendor, trupit diplomatik e medias.
“ Flutura” e regjisorit Bujar Alimani ndjek përmes një spiraleje gjithëpërfshirëse historitë e 21 vajzave që i mbijetuan internimeve me breza në Gradishtë e Savër të Lushnjës.
Po në këtë frymë Autoriteti organizoi për publikun, partnerët, ish-të përndjekur politikë, studentë e miq të Autoritetit, shfaqjen e monodramës”Udha e Qumështit” me regjizor Armando Bora dhe interpretim të aktores Egla Ceno. Vepra është ndërtuar mbi një histori tipike në ndodhur në regjimin komunist, kur një gjest i thjeshtë shkakton pasoja të rënda për jetën e qenies njerëzore. Monodrama ngriti dhe i dha përgjigje dilemës se “Çfarë është në gjendje t’i bëjë njeriu-njeriut?!”.
Në 15 nëntor shkrimtari Jozef Radi solli në Autoritet librin e tij “Njeriu përball përbindëshit” ky përmes dokumentesh ku, u vlerësua fakti se si njeriu i thjeshtë Musa Sina, i bëri ballë aparatit shtypës diktatorial.Botimi i dosjeve të ish të përndjekurve është një mënyrë relative për të rrëfyer torturën personale, presionin psikologjik, vështirësitë ekonomike, vuajtjen shpirtërore dhe, më pas, vuajtjet fizike të tyre gjatë burgimit, internimit apo dëbimit.
Autoriteti në 28 janar të këtij viti u kujdes gjithashtu që në bashkëpunim me Bashkinë Elbasan dhe Këshilli Bashkiak, Arkivi Digjital Elbasan dhe Biblioteka Kombëtare, miq e dashamirës të tij të organizonte aktivitetin “Uran Kostreci-jeta, disidenca, vepra, në mjediset e Teatrit “Skampa”. Uran Kostreci, iu prezantua publikut përmes dosjes së përndjekjes, aktivitetit politik, mendimit dhe fjalës së lirë, krijimtarisë letrare, kontributit si mësues dhe themelues i revistës “Liria”. Nxënësit e shkollave morën pjesë aktivisht me recitimin e poezive të Uran Kostrecit.
Aktivitete të tilla i japin frymëmarrje më të gjerë planeve tona në fushën e kujtesës, duke zgjeruar format e komunikimit me publikun, si dhe duke rritur dimensionet e saj, sepse siç shkruan shkrimtari çek Milan Kundera, i cili përjetoi përndjekjen nga regjimi diktatorial, “Betaja e njeriut kundër pushtetit, është beteja e kujtesës kundër honit të harresës”.