23 Tetor, 2022 - 6:00 pm
Vepra “Mes Çarçafëve”, pas shfaqjes në disa tetaro të vendit është luajtur edhe për publikun e kryeqytetit.
Nën interpretimin e magjishëm të aktoreve Yllka Mujo dhe Ermira Hysi, salla “Unesco” e Muzeut Historik Kombëtar, për tre netë me radhë u shndërrua në një skenë teatri.
Drama e kanadezit Jordi Mand dhe me regji nga Kiço Londo e Teatrit Shëtitës “Çajupi”, mbrëmjen e djeshme pati një publik tejet të veçantë, ai i grave të brugosura.
Kjo vepër e cila trajton dramën dhe problemin në familje, do të shfaqet edhe në disa qytete në veri të vendit.
Skenografia është e vendosur në një klasë të vitit të tretë dhe rrëfen përballjen e një nëne me mësuesen e djalit, që ka krijuar lidhje me të shoqin. Regjisori dhe dy aktoret përdorin teknikën e njohur të ekspozicionit për të përcjellë emocionet e forta.
Ngjarjet në shfaqje
Është fundi i një mbrëmjeje takimi me prindër. Tereza, mësuesja e re, është gati të mbledhë sendet personale e të niset për në shtëpi, kur shfaqet Marion, nëna e njërit prej nxënësve, që do të zhvillojë një bisedë në lidhje me djalin e saj Aleks. Kjo është diçka e beftë për Terezën, meqë Marion nuk ka kërkuar takim dhe gjithsesi, të gjitha bisedat e mëparshme mbi Aleksin, Tereza i ka pasur me babanë e tij, Kurtis, bashkëshorti i Marion. Marion është krejt në dijeni të lidhjes së tyre dhe kjo gjë e ka indinjuar. Madje më tepër se kaq.
Aleks është një fëmijë me nevoja të veçanta, nga ato, që duken si rast serioz i mungesës së aftësisë për t’u përqendruar dhe Marionës nuk i pëlqen të mbetet jashtë qarkut të tij. Ajo padyshim që nuk e pëlqen deklaratën e Terezës, që si mësuesja e Aleksit, ajo shpenzon më tepër kohë me të sesa nëna e tij, e cila është një grua në karrierë, dhe prandaj e kupton më mirë atë.
Por gjëja, që nuk i pëlqen fare, është zbulimi, që ka bërë kohët e fundit, i cili del në pah nga disa ndeshje verbale fillestare, nga ku mësojmë, se bashkëshorti i saj dhe Tereza janë të dashuruar. Kjo, plus puna me e-maile dhe letra të shkruara, shkon për llogari të kuptimit të titullit./atsh/ KultPlus.com