1 Qershor, 2023 - 7:00 pm
Flonja Haxhaj
Përveç kënaqësisë shpirtërore e estetike, teatri ka fuqi të depërtojë me delikatesë edhe deri tek temat më të ndjeshme të shoqërisë, duke dhënë mesazhe të fuqishme dhe një reflektim drejt tendencave të ndryshimit. E kjo u bë edhe dje në Teatrin Kombëtar të Kosovës ku u dha premiera e shfaqjes ‘Një udhëtim i gjatë drejt natës’ nga autori Eugene O’Neil, sjellë për publikun kosovar nga regjisorja Iliriana Arifi, shkruan KultPlus.
Ndonëse shfaqja nis me një darkë normale të një familje normale, që në fillim vërehet se kjo shfaqje përgjatë gjithë minutave të saj do të shpërfaqë një familje që mund të ketë gjithcka tjetër përvec normales.
‘Një udhëtim i gjatë drejt natës’, sjell problemet dhe dramën e familjes Tajron. Xhejms Tajron, babai, i cili lufton me alkoolizmin ndërsa gruaja e tij, Meri, përballet me varësi nga morfina. Djemtë e tyre, Xhejmi dhe Edmund, gjithashtu luftojnë me alkoolizmin dhe sëmundjen e tuberkulozit.
Kjo shfaqje përgjatë gjithë minutave të saj mbajti publikun nën ethet e emocioneve të fuqishme, përballjen e familjarëve me njëri-tjetrit, sharjet e ofendimet që të gjithë i bëjnë njëri-tjetrit, me qëllim fajësimi për jetën e mjerë ndonëse jo të varfër që ata po jetonin. Ata luftojnë me varësitë e njëri-tjetrit e njëkohësisht ndjejnë keqardhje për gabimet e tyre të kaluara dhe të tanishme.
Aktorët Ernest Malazogu, Arta Selimi, Allmir Suhodolli dhe Don Shala, arritën mbrëmë që të bëhen një me problemet e këtyre dukurive e duke sjellë për publikun një shfaqje sa dramatike dhe emocionale, aq edhe të fuqishme bazuar në mesazhet që u transmetuan.
Morfinomania dhe dëshira për mospranimin e së të vërtetës
Meri, e sjellë në mënyrë briliante nga aktorja Arta Selimi, e cila ka mishëruar këtë rol duke paraqitur një grua të dëshpëruar, e cila nga vetmia e mungesa e një shoqërie, meqë ditët e saj i kalon pothuajse gjithmonë në shtëpi, në atë shtëpi e qytet që e irriton, shpëtim të problemeve të saj e konsideron morfinën.
Këtë substancë nga e cila ajo tashmë ka krijuar varësi e gjen si ngushëllim për të mos e pranuar fatin që djali i saj Edmundi ishte i sëmurë me tuberkuloz dhe po i vinte fundi njësoj si babait të saj, i cili kishte vdekur nga po kjo sëmundje. Por jo vetëm sëmundja e Edmundit e kishte vënë atë në një gjendje angështie e dëshpërimi, sepse ajo beson se të gjitha problemet shëndetësore dhe psiqike të saj kishin ardhur që pas lindjes së tij, madje shpeshherë ajo do të donte që ai të mos kishte lindur fare.
Por, ndonëse ajo besonte se gjente shpëtim tek ky veprim apo ‘ilaq’ sic e quante ajo, kjo varësi e saj ishte zanafillë e shumë problemeve që kjo familje dramatike kishte.
Menjëherë pas shfaqjes, për KultPlus foli vetë aktorja Selimi, e cila shprehet se në fillim ka qenë pak e frikshme për të ta pranojë rolin, mirëpo gjithçka ka ndodhur vetëvetiu gjatë procesit të punës.
“E gjithë puna ka qenë shumë e mirë, kam punuar me kolegë, me Ernestin punoj tash e sa vite, kurse me Allmirin dhe Donin është hera e parë që punoj në teatër dhe gjithçka ka shkuar shumë mirë”, u shpreh Selimi.
Ndër të tjera Selimi thotë se ka qenë edhe më sfiduese për të, ta sjellë personazhin e ‘Merit’, e cila nuk ka asgjë të përbashkët me karakterin e saj.
“E kam pasë një ndrojtje kur e kam pranuar rolin, në kuptimin që unë jam më e re se ‘Meri’, për më tepër nuk jam nënë dhe nuk jam morfinomane, pra më është dashur që të jap më shumë nga vetja për të nxjerrë gjithë këtë produkt që publiku e pa sonte”, tha më tutje Selimi.
Alkooli dhe koprracia – zanafilla të shumë problemeve të familjes Tajron
Kryefamiljari, Xhejms, një aktor i njohur dhe shumë i paguar në rininë e tij, por që u konsumua pas një pas një drame që ai e luajti në kulmin e karrierës së tij, jeton mes dëshirës për alkool dhe kursimit të parave, veprime të cilat nxisin situata të tjera në familje.
Xhejms, i sjellë nga aktori Ernest Malazogu, një burrë 65-vjeçar, e që duket më i ri për shkak të mënyrës se si e ka mbajtur vetën, e që pavarësisht varësisë së tij të madhe ndaj alkoolit pjesën më të madhe të energjisë së tij e shpenzon ndaj gruas së tij, duke shpresuar dëshpërimisht se ajo nuk do të rikthehet dhe nuk do të vazhdojë zakonin e saj të morfinës.
Por, zakoni i alkoolit nuk është e vetmja varësi e tij. Pavarësisht tokave të shumta që ai ka, koprracia është një prej vetive të tij karakterizuese. Ai kursen edhe për sëmundjen e djalit të tij, duke i evituar doktorët më të mirë vetëm me qëllim të mos shpenzojë. E kjo e fundit sjellë skena përplasje e grindje të mëdha në familjen Taylor.
Menjëherë pas shfaqjes, mes emocionesh, për KultPlus foli edhe regjisorja Iliriana Arifi, e cila thotë se shpreson që kanë arritur të përcjellin mesazhin e planifikuar tek publiku.
“Është një tekst i cili është shkruar në vitin 1912 por edhe është inskenuar në vitet në vijim edhe në Shqipëri, por është hera e parë që vjen në Kosovë. Nuk ka qenë një sfidë shumë e madhe të bashkëpunojmë me stafin sepse temat janë aktuale edhe sot – varshmëria ndaj alkoolit dhe substancave narkotike”, tha Arifi.
Ndërkaq, ‘Një udhëtim i gjatë drejt natës’, shfaqje kjo që vjen nën dramaturgjinë e Zoga Çeta Çitaku, me skenografi të Bekim Korçës, kostumografe- Njomza Luci, kompozitor- Memli Kelmendi do të vazhdojë të shfaqet në Teatrin Kombëtar Të Kosovës edhe më 1,2 dhe 3 qershor./ KultPlus.com