27 Janar, 2024 - 3:30 pm
Drejtori i teatrit “Migjeni” në Shkodër, Arjan Çuliqi ka reaguar sot pas deklaratës së përfaqësuesve të opozitës për shkrirje të këtij institucioni.
Gjatë një prononcimi për gazetarët në Shkodër i pyetur lidhur me këto deklarata, Çuliqi deklaroi sot se jo vetëm që nuk ka shkrirje, por teatri “Migjeni” po përgatitet për aktivitetet që do të mbahen përgjatë të gjithë vitit 2024.
“Edhe unë kam dëgjuar për shkrirje, por nuk shoh shkrirje, por shoh ngrirje më shumë. Është pak ftohtë këtu, por ne vazhdojmë punojmë, jemi në kulmin e provave të fundit për një shfaqje të mrekullueshme sikurse është “Mbretëresha e Dëborës”, shprehet ai.
Risi e aktiviteteve kulturore që do të organizohen nga teatri “Migjeni” është organizimi i festivalit mbarëkombëtar të humori, që për Shkodrën është rikthim pas 30 vitesh.
Çuliqi ka bërë me dije se aktiviteti do të organizohet në muajin Maj, do të ketë disa grup mosha që do të konkurojnë në disa zhanre humori.
Pjesë e këtij eventi, pritet të jenë edhe aktorë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, dhe Mali i Zi.
“Synimi im është të formohet trupa e varietese me talentet e reja që shumë shpejt do të jenë e ardhmja e humorit në vend”, ka deklaruar drejtori Çuliqi.
Mediet nga qyteti verior bëjnë me dije se me vendim të Këshillit të Bashkisë Shkodër, institucionet kulturore janë përfshirë në një proces ristrukturimi, në të cilat është krijuar një ndërmarrje e veçantë për mirëmbajtjen e tyre me krijimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Mirëmbajtjes së Objekteve Publike (DPMOP).
Ndërkohë qe menaxhimi i këtyre institucioneve si teatri, galeria, biblioteka, muzeu, vendi i dëshmisë dhe kujtesës, do të vijojë me tagër të drejtuesve të këtyre institucioneve që do të merren totalisht me krijimtarinë artistike dhe kulturore të këtyre institucioneve./ KultPlus.com