7 Prill, 2021 - 3:55 pm
(Me rastin e premierës së shfaqjes “Vetëharrimi” me tekst të Besim Rexhajt dhe regji të Fadil Hysajt, dhënë premierë ne Teatrin “Dodona” në Prishtinë.)
Nga Arian Krasniqi
Në procesin e krijimit dhe realizimit të një shfaqjeje teatrore, premisa dramaturgjike, mbi të cilën konceptohet dhe mbarështrohet një tekst dramatik, paracakton, mëpastaj, edhe vetë kahjen e premisës së vetë shfaqjes. Pra, teksti, përtej qëllimit dhe funksionimit të mëvetësishëm që ka, shndërrohet si “karrem” për një shfaqje teatrore. Në këtë mënyrë, regjisori Fadil Hysaj, së fundmi, gjeti “karremin” e tij dramaturgjik dhe në skenën e Teatrit “Dodona”, me shumë sukses, realizoi shfaqjen monodramë me titull “Vetëharrimi”, me autor prof. dr. Besim Rexhaj. Ky është bashkëpunimi i dytë në cilësinë dramaturg-regjisor ndërmjet Hysajt dhe Rexhajt.
Barra e plotë e interpretimit skenik në këtë shfaqje monodramë iu besua aktores me përvojë të gjatë skenike, Sheqerie Buqaj.
Në krye të kësaj analize do vënë theksin te raporti i konceptit regjisorial me tekstin. Në këtë shfaqje, vëmë re qartë se regjisori Hysaj, idenë dhe konceptin e tij regjisorial e mbarështron dhe e mbindërton mbi tekstin e dramaturgut Rexhaj, duke ruajtur bazën e rrëfimit dhe strukturën dramaturgjike të veprës, por duke e modifikuar atë, në përputhje me vizionin e tij regjisorial. Por, çka trajton teksti dramatik i Besim Rexhajt?
Teksti monodramë “Vetëharrimi” trajton temën e dhunës dhe dhunimit seksual dhe psikologjik në luftën e fundit në Kosovë.
Kështu, secila situate jetësore, nëpër të cilën ka kaluar personazhi kryesor Fatmirja (Sheqerie Buqaj), është përjetuar emocionalisht nga ajo, pastaj është mbajtur në mend vazhdueshëm dhe për më shumë është shtresuar thellë në kujtesën e saj emocionale. Prandaj, ajo ka nevojë të flasë. Në këtë mënyrë, Fatmirja flet për fatin e saj të zi. Derisa ajo flet, ajo rinjeh veten, e rinjeh duke zbuluar para nesh aspekte të rëndësishme të karakterit të saj, si një profesoreshë e zonja, intelektuale e guximshme. Dhe, pikërisht, përmes kësaj rinjohjeje dhe vetënjohjeje, Fatmirja ndërton dhe zhvillon harkun e saj emocional, që kalon nga vetëgjykimi e vetëqortimi, në një guxim, për të folur publikisht, për atë që i ka ndodhur.
Në konceptin regjisorial personazhi kryesor në monodramë është i ndarë në dysh, pra Fatmirja që rrëfen të kaluarën e saj dhe vetja e saj tjetër, pjesa me e ndjeshme e botës psiko-emotive të saj, që refuzon të flasë me fjalë, por ajo flet me shprehjet e fytyrës së saj, dhe me tingujt muzikorë që burojnë natyrshëm nga performimi në çello nga ana e Gresa Broqit. E bukur kjo gjetje regjisoriale. Një kombinim interesant, përmbajtësor dhe artistik i një aktoreje që flet me gjuhën e fjalëve, me veten e saj tjetër, që flet me gjuhën e shpirtit (muzikën).
Ky dyzim i personazhit kryesor e tejkalon simbolikën e gjuhës teatrore, sepse e plotëson në thelb konceptin e një shfaqjeje monodrama, që spektatori e dëgjon, e shikon, e përjeton, herë si një rrëfim në vetën e parë (Unë), e herë në vetën e dytë (Ti). Në këtë rast, veta e parë, dramaturgjikisht dhe skenikisht, identifikohet si pjesa e dukshme e Fatmires, historia e saj, të cilën ajo e rrëfen për herë të parë, ndërsa veta e dytë (Ti), është po ashtu Fatmirja, (Gresa Broqi në çello), por që rri e mbyllur në guaskën e vet. Ngushëllimin dhe komunikimin e vetëm e gjen përmes muzikës me çello. Pra, në shfaqjen e Hysajt të dy vetat (Unë dhe Ti) janë një dhe si të tilla funksionojnë si dy pjesë të një tërësie brenda një personazhi të vetëm dramaturgjik dhe skenik. Po ashtu, Ajo mund të lexohet edhe interpretohet edhe si shenjë, pra identifikim simbolik për mijëra vajza e gra të dhunuara në luftën e fundit në Kosovë.
Rrafshi i gjetjes së shenjave simbolike në shfaqjen “Vetëharrimi” shtrihet edhe përtej strukturës dramaturgjike të modelimit të personazhit në vepër. Në këtë kuptim, elementet që dominojnë skenografinë janë dritaret që qëndrojnë pezull në ajër. Nga të gjitha dritaret, vetëm tri janë të hapura. Ndërsa të tjerat janë të mbyllura. Tri dritaret e hapura flasin secila në mënyrën e vet simbolike. Nëpër to (para)kalon historia e trishtë e dhunimit të Fatmires, si simbolikë e guximit për ato pak gra të dhunuara, që kanë vendosur të dalin e të flasin publikisht, tash së voni, njëzet vjet pas përfundimit të luftës. Ndërsa, dritaret e mbyllura janë simbolike e heshtjes. Ato nuk flasin brenda vetes së tyre, ato ndryjnë histori dhimbjeje e trishtimi. Mbase, herët a vonë edhe ato, ato, duhet të hapen e të flasin!. Zëri i të gjitha viktimave të dhunës seksuale meriton të dëgjohet, pranohet, kuptohet e trajtohet drejt në shoqërinë tonë. Kështu, vendosja e këtyre elementeve skenografike, jo vetëm si formë dhe trajtë e funksionalitetit të tyre dekorativ, e bën konceptin regjisorial në shfaqjen e Hysajt të jetë ndërtuar mbi shenja e simbole teatrore, që komunikojnë plotësisht me audiencën.
Natyrisht, një gjë e tillë nuk do të ishte e mundshme pa fuqinë intepretuese të Buqajt, e cila, portretoi personazhin e veprës në mënyrë të plotë dhe të gjithanshëm. Aktorja Buqaj, bëri transformime të vazhdueshme emocionale dhe psikologjike, përgjatë gjithë shfaqjes. Ajo përçoi emocion te publiku me historinë e personazhit të saj, rrëfyer bindshëm, pa patetizma, e me një lojë impresive aktoriale. Historia e personazhes që interepreton Buqaj, doli sheshazi. U fol për dhimbjen e pambarueshme të dhunës e dhunimit, ndërsa krejt çka mbeti pa u thënë me fjalë u tha me emocion e shprehje në fytyrën e Vajzës në çello. Ajo u bë pasqyrë e shpirtit të personazhes në shfaqje. Dhimbja, vuajtja, dëshpërimi, vrragët e pashlyeshme në shpirtin dhe mendjen e saj u panë qartë në shprehjet e fytyrës së saj. Prandaj, e themi se të dyja e plotësuan njëra-tjetrën.
Elasticiteti, ekspresiviteti, tonaliteti i përshtatur me karakteristikat e personazhit e bënë aktoren Buqaj të realizojë këtë rol mjaft kompleks.
Derisa gjetjet skenike sëndertohen me simbole e metafora, gjuha e personazhes në këtë shfaqje është gjuhë që komunikon lehtë dhe drejt me publikun, pra gjuhë e përbrendësuar bukur fort nga aktorja dhe që mëpastaj vjen natyrshëm si gjuhë e njeriut të zakonshëm. Këtu, gjuha është funksionale skenike, prandaj, si e tillë, ajo edhe me trajtat e veta, herë-herë dialektore, buron natyrshëm nga karakteri i personazhit dhe vjen, po ashtu, pranueshëm te audienca.
Ngjajshëm sikurse autori Rexhaj në veprën e tij dramtike, edhe regjisori Hysaj në këtë shfaqje, përmes personazhit të Fatmires, ka personifikuar mijëra gra, viktima të dhunës e dhunimit, dhe fatin e tyre kobzi. Në këtë mënyrë, Rexhaj dhe Hysaj, rrëfimin e Fatmires si fatum individual e projektojnë dhe zhvillojnë edhe si fatum universal, pra si dhimbje e përbotshme njerëzore, si klithmë dhe thirrje për drejtësi për viktimat e dhunës dhe dhunimit. Drejtësi për të gjitha ato vajza e gra shqiptare të Kosovës, viktima të tortures e dhunës së orkestruar dhe të drejtuar nga Kasapi i Ballkanit.
Monodrama “Vetëharrimi”, është shfaqje teatrore, që përtej strukturës ideore e artistike, brenda vetes përmban edhe revoltën kundër dhunës e dhunimit, si dhe thirrjen për drejtësi për viktimat pa përjashtim.
Në thelb, shfaqja “Vetëharrimi” duhet parë, kuptuar, analizuar e intepretuar si një rrëfim dramaturgjik e teatror për kobin, frikën dhe trajtat e habisë. Elemente e situata, këto, që gërshetohen brenda individit si qenie njerëzore.
Rrëfimi i Fatmires është rrëfim për luftën dhe pasojat e saj, për dhunën dhe dhunimin, që më shumë se sa vrragë e shenja në trup, lë shenja të pashlyeshme në shpirtin e njeriut të mbijetuar.
Ky është fatum-i i zi i Fatmires së bardhë. / KultPlus.com