7 Qershor, 2020 - 7:23 pm
Dritëro Kasapi shef i Teatrit Kombëtar në Suedi tregon për rrugëtimin e tij si regjisor dhe aftësitë që e çuan në krye të Teatrit.
Ai ka studiuar në Shkup në Fakultetin e Artit Dramatik por tashmë është një regjisor i mirënjohur. Dritëroi ka lindur në Shkup dhe tregon se diçka që e ka rritur si personalitet është se ai nuk ka lejuar që paragjykimet për vendin nga vinte t’a drejtonin atë. Gjithmonë regjisori shqiptar përpiqet të bëjë diçka më shumë se të tjerët.
Fillimisht ai ka shkuar në Suedi jo për të jetuar, por vetëm për të realizuar një shfaqje. Me dy aktorë nga Shkupi ai u mundua t’i tregojë publikut tmerret e kaluara nga shqiptarët e Kosovës në luftën e vitin 1999.
Me historinë që ai mbarti në shfaqje në vitin 1998 ai mobilizoi artistët suedezë por edhe shqiptarë që të punonin me refugjatët që largoheshin për shkak të luftës. Me këtë ai pa se çfarë fuqie ka arti dhe u dha shpresë njerëzve se nesër do të bëhet më mirë.
Gjithashtu në atë periudhë ai ka themeluar në Shkup, Qëndrën e Teatrit për Fëmijë. Kjo u kthye në qëndër edukimi për artistët e rinj nga i gjithë Ballkani. Tani ky teatër është insitucion nacional në Maqedoni dhe akoma funksionon dhe ka financimet e veta.
“Kur isha në vendlindje kam punuar në shumë shfaqje të rëndësishme në Ballkan. Një nga ato që më ka mbetur në mëndje është “Nëse nisemi për në parajsë” e cila kishte premierën në vitin 2000. Ky ishte i pari bashkëpunim i Teatrit të Maqedonisë të Prishtinës dhe të Tiranës. Atëherë edhe pse unë nuk jetoja në Suedi, kisha kontakte këtu, dhe për të krijuar një ambient më të qetë pune, e zhvendosëm grupin e punës këtu. Ajo shfaqje kishte një temë të rëndësishme, si e shohim vendin pasluftës, si do jetojmë me pasojat e luftës dhe për mua ishte interesante. Gjithashtu e kemi luajtur në Londër dhe u konsideruar speciale për mënyrën sesi e trajton luftën e Kosovës”, shprehet Dritëroi.
Në 1998 ai u zgjodh ndër regjisorët e Europës Lindore për të shkuar në Stockholm për të bërë një shfaqje me emrin ‘Të huajt e Europës’. Të gjithë regjisorët e zhvilluan temën në drejtime të ndryshme dhe ky ishte kontakti i parë i Dritëroit me Suedinë.
“Ajo që më ra në sy ishte Teatri për Fëmijë dhe të Rinj dhe prandaj e themelova dhe në Shkup një teatër të tillë. Veprimtaria e këtij teatri në Suedi niset nga perspektiva e fëmijëve dhe duke ndërruar këndvështrimin sipas asaj të fëmijëve. Në Shkup unë isha mësuar të shikoja fëmijët që mësoheshin si të silleshin apo si të shikonin botën, por në Suedi ndodhte e kundërta. Pikënisja këtu ishte se ‘kështu e shohin fëmijët botën’. Këto vlera nga viti 1998 dhe deri në 2005 u mundova t’i sillja në Ballkan”, thekson regjisori.
Sipas tij teatri ka fuqinë t’i mbijetojë të gjitha zhvillimeve sepse ai ka traditë të lashtë. Teatri ndikon tek qytetari dhe shoqëria në mënyrë shumë direkte dhe kjo është fuqia e tij.
Emërimi i tij si drejtor i Teatrir Kombëtar në Suedi erdhi në vitin 2018, pasi për një periudhë kohe kishte qenë zëvëndësdrejror i teatrit në Stockholm. Ai tregon se ky ishte një nder i madh për të sepse hapësira që të krijohet në këtë pozicion është e madhe. /KultPlus.com