“Dua një vend” e Ema Andreas në kërkim të vendit ideal në “FemArt”

29 Shtator, 2024 - 8:35 pm

Shkruan: Gili Hoxhaj

Personazhet janë të pasigurta brenda ambientit ku jetojnë. Të pakënaqur. Mes atdheut, vendit të ri dhe një vendi sureal. Shfaqja “Dua një vend” e autorit grek Andreas Flurakis me regji të Ema Andreas u shfaq mbrëmjen e tretë të festivalit “FemArt”-it në “Termokiss” në Prishtinë. 

Publiku ishte i vendosur përballë dhe shumë afër aktorëve që mbijetonin si një kolektiv mes situatave. Aktorët me veshje të thjeshta përfaqësonin histori të zakonshme njerëzore të atyre që janë të huaj në vendin e ri, po aq sa janë të huaj në vendin e tyre. Mes të sharave përplasin pakënaqësitë. Janë një serë pyetjesh që nuk shkojnë deri në fund – pa përgjigje. Histori personale të munguara që nisin e pështjellohen mes dëshirave kolektive. “Dua një vend” është shfaqur në fillim të këtij viti në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli” te “ArTurbina” në Tiranë dhe loja zhvillohet nga aktorët Adriana Tolka, Matia Llupa, Paolo Kadillari, Artemis Beluli, Eva Gjika, Eraldo Malaj, Lindar Kaja. Më herët në daljet e saj në media, regjisorja e njohur Ema Andrea ka shprehur se është një përpjekje që të jap kontributin e saj, që të reflektohet më shumë si shoqëri, për të qenë më afër të bukurës. “Pasi po shkojmë drejt asaj ku gjërat janë të lehta dhe njerëzit kanë frikë të mbajnë përgjegjësi”, kishte thënë ajo.

Personazhet janë në një vend ku nuk ka vend për fëmijë dhe pleqtë dhe synojnë ishullin mes Atlantikut. Aty ku fëmijët do të dëgjojnë gjuhën amtare dhe do të pyesnin se “çfarë gjuhe po flitet?”.  Mes lëvizjeve të vazhdueshme janë në kërkim për të ikur nga zymtësia dhe kaosi. Anija është gati se e pasigurt. Duan një vend që u pëlqen të gjitha kontinenteve, një vend që nuk i dëshpëron. Një vend pa sëmundje vdekjeprurëse dhe më e rëndësishmja – ku mund të flenë të qetë. Duan një hartë të re. Kjo thirrje vjen pasi që asnjë vend i ri nuk vjen pa trashëguar problemet e vendit tënd, të cilat shpesh i marrim me vete e herë i gjejmë aty. Adriana Tolka e zbërtheu pak a shumë mesazhin.

“Kjo është një shfaqje poetike që ka në thelb linjën e emigrimit, të njeriut që do të kërkojë hapësira të reja për të zhvilluar veten dhe lirinë e tij, por jo gjithmonë e gjen atë larg vendit të vet ku aspiron të shkoj shpesh. Ndonjëherë është më mirë të qëndrosh në vendin tënd”, ka thënë aktorja Adriana Tolka.

Shfaqja përveç mesazheve që përcjell nuk ka ndonjë përfundim. Kjo për t’i dhënë lirinë publikut ta gjej veten. Sipas aktores Tolka shfaqja kërkon impenjim fizik-psikologjik dhe si punë e aktorëve në grup duhet vazhdimisht të mundohen të mbajnë ritmin.

“Ashtu si gjithmonë arti nuk jep një zgjidhje, por të drejton dhe secili bën zgjidhjen e vet. Shfaqja është shumë e vështirë sepse është shumë fizike. Ka ndjeshmëri të lartë, kjo është një tjetër anë e vështirë. Vëmendja fizike dhe përqendrimi duhet të jetë maksimal”, ka pohuar ajo.

Kjo shfaqje është e bazuar në lëvizje, ndjesi dhe rikthimi dhe kërkimi i emocioneve të ndryshme. Kështu është shprehur edhe asistenti i regjisë Sinan Lila.

“Tekstit mbetet ballkanas, por mënyra se si regjisorja bashkë me aktoren kanë mundur ta sjellin në këtë formë ka qenë ndërthurje e të dy palëve. Frymëzimi ka ardhur nga të dy krahët. Ne ishim të lumtur që erdhëm në “FemArt” pasi që shfaqja nuk është se prekë vetëm emigracionin. Është një shfaqje që ndërthur jo vetëm në kërkimin e një vendi të ri, por të emocioneve të reja, në kërkimin e vetvetes dhe paqes me veten”, ka thënë ai.

Festivali Ndërkombëtar i Artisteve dhe Aktivisteve “FemArt” sivjet në edicionin e 12-të me 30 aktivitete ka përqafuar motërzimin, empatinë, dhembshurinë dhe mirëkuptimin me shpresën për të shëruar plagët e së kaluarës dhe pet të trasuar rrugën drejt një të ardhmeje më të drejtë dhe paqësore. “FemArt” po i shemb kufijtë e shteteve për të na bërë me dije se preokupimet i kemi të njëjta. Por, mënyra se e komunikojmë luftën e brendshme dhe përpjekja për ndryshim e bën diferencën./ KultPlus.com

Të ngjajshme