E bukura “Carmen” dërgoi publikun në një lojë të pafund lëvizjesh e tingujsh (FOTO)

6 Prill, 2018 - 12:45 pm

Baleti Kombëtar i Kosovës solli premierën e dytë të këtij viti me shfaqjen “Carmen”.
Gili Hoxhaj


Mes zërave agresiv filloi dalja e trupës në skenë për të vazhduar me veshje të ndryshme e skenografi që shpërfaqet përmes trajtave të ndryshme. Çdo hap e lëvizje e trupës në skenë ishte një shtjellim i historisë së një ushtari në Spanjë, Don Jose i cili joshet nga cigania Carmen. Përkundër sakrificës së tij, mes ushtarit të fortë dhe një djaloshi naiv në dashuri, dashuria e Carmen është e destinuar për dikë tjetër, për toreadorin Escamillo.

“Carmen”, kjo vepër që ka ngjallur emocione të jashtëzakonshme në skenat më të mëdha të botës, për herë të parë tingujt e saj janë dëgjuar në Paris të Francës, në vitin 1875. Që nga tingulli i parë, kur lëvizjet e baletit fillojnë të vallëzojnë me këtë vepër, çdo notë e lëvizje flet për një tragjedi që vjen si pasojë e një dashurie në trekëndësh. Krejt kjo zhvillohet si dialog mes lëvizjeve të balerinëve kosovarë. Kjo vepër që e mban peng të dashurisë personazhin kryesor “Carmen”, që përpiqet të gjej lirinë e pasionit të saj, në anën tjetër e sjellë tragjedinë e personazhit kryesor në skenë, që në çdo hap përpiqet ta gjej lirinë në dashuri, por shenjat e xhelozisë nga Don Jose do ta largojnë atë pa jetë nga skena.

Nga lëvizjet e shpeshta të balerinëve e gjatësisë së performances, kuptohej qartë se shfaqje me kërkesat e saj i kishte sfiduar dukshëm kapacitetet e balerinëve. Kjo shfaqje i mundësoi publikut të Prishtinës që të shijojë për herë të dytë lojën e e baletit kombëtar me koreografi të Natalia Osipova, e cila para po thuajse një viti kishte punuar shfaqjen “Vasha e Braktisur”. Korografja me origjinë ruso-franceze, Natalia Osipovatha se hera e dytë e punës me Baletin Kombëtar e Kosovës përveç se i ka mësuar të njoh më mirë personalitetin e kapacitetin e secilit balerin të trupës, kjo i ka mundësuar që të njoh më mirë edhe kulturën e këtij vendi.

“Arsyeja përse kemi zgjedhur “Carmen”, si performancë të bashkëpunimit tonë të dytë, është liria. Po ashtu dhe dashuria do të jetë ajo që gjithnjë do të fitojë dhe dashuria duhet të jetë gjithnjë në rend të parë, është arsyeja kryesore e të jetuarit dhe është një fat që duhet ndjekur. Përmes ngjyrave të veshjeve të balerinëve e lëvizjeve përpiqem t’i shfaqë konceptet e lirisë”, u shpreh koreografia
Januz Beqiraj, profesor i disa prej balerinëve të Trupës së Baletit Kombëtar vjen në secilën premierë të tyre për ta parë punën e këtyre balerinëve, të cilëve është munduar t’ua jap më të mirën nga përvoja e tij. Ai thotë se shpenzon shumë kohë duke u fokusuar në secilin detaj të tyre, në çdo lëvizje të këmbeve dhe duarve e shpesh përfundon duke e pyetur veten se a ka mundur t’u jap mjaftueshëm nga vetja.

Ai u shpreh për KultPlus se mbrëmë është ndjerë i kënaqur dhe shumë krenar me punën e të gjithë balerinëve. Ai tregoi se e njeh detajisht këtë shfaqje, të cilën e ka luajtur shpesh herë edhe si student, mirëpo me modesti shprehet se balerinët sot e tejkalojnë lojën e tyre dikur.

“Georges Bizet është me të vërtetë një kompozitor i lakmueshëm që ta ofron dëshirën që ta dëgjosh edhe t’i përcjellesh lëvizjet.Teuta Krasniqi, Sead Vuniqi, Sinan Kajtazi ishin të mrekullueshëm si dhe të gjithë balerinët e tjerë, secili ishte më i mirë se tjetri. Edhe pse e kam luajtur edhe vet shpesh herë këtë shfaqje po më duket se këta po e luajnë më mirë se ne”, tha për KultPlus, balerini Januz Beqiraj.
Teuta Krasniqi ishte “Carmen” i mbrëmjes. Në të shumtën e rasteve e veshur me të kuqe e me një lule në njërën anë sjellë lëvizje që dëshmojnë kapacitetin e saj të dëshmuar prej balerine. Këmbët e duart e saj prekin kulmin e lartësisë që mund të arrijnë, e herë pas here trupi i saj shtrihet në tokë. Ajo është mes dashurisë se atyre që e dashurojnë. Përballë tyre, ajo shpesh është përballë vetes në ndjenjën për ta ndjerë lirinë. Ajo tregoi për KultPlus se kjo shfaqje është një nga shfaqjet më kërkuese që kanë luajtur balerinët e kësaj trupe, për shkak të anës teknike dhe artistike si dhe për shkak të kohëzgjatjes së saj. Për të arritur këtë rezultat, procesi i punës deri tek shfaqje u ka marrë pothuajse një muaj punë intensive trupës së baletit.

“Për të qenë gati një orë e gjysmë në skenë, nuk është aspak e lehtë por provat i kemi zhvilluar pa asnjë ndërprerje edhe pse një muaj nuk është kohë e gjatë për ta përgatitur një shfaqje të tillë, prandaj kemi punuar gati 12 orë në ditë, çdo ditë të javës që kështu ta fitojmë sigurinë në çdo koreografi dhe çdo gjë që koreografia ka dashur që përmes lëvizjeve tona ta transmetoj të publiku”, tregoi balerina Teuta Krasniqi.


Publiku mund ta shijojë sonte reprizën e parë të shfaqjes “Carmen”, duke filluar nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës./KultPlus.com




Të ngjajshme