14 Shtator, 2024 - 2:00 pm
Në ditën e lindjes së shkrimtarit Mitrush Kuteli, i njohur edhe me pseudonimin Dhimitër Pasko, Qendra për Hapje dhe Dialog solli interpretimin e një prej veprave të tij më të spikatura “E madhe është gjëma e mëkatit” nga aktori Ligoraq Riza.
“Nën vellon e tejdukshme të legjendës, nën dritën vezulluese të shkrimeve të shenjta, nën jehonën sensuale mikluese të “Këngës së Këngës”, të Sollomonit dhe grishjes tunduese të Ekleziastit, te ky rrëfim, që është një diamant me shumë faceta, kumbon madhërishëm himni i dashurisë së pastër, i jetesës së dlirë bashkëshortore…”, shkruan Petraq Kolevica në parathënien e kësaj novele.
Interpretimi plot emocion i aktorit Ligoraq Riza u mikprit nga artdashësit mes emocionesh dhe duartrokitjesh.
Të pranishme ishin dhe të bijat e shkrimtarit Kuteli, Polikseni Pasko Leka dhe Doruntina Pasko, si dhe shumë figura të njohura të kinematografisë shqiptare, skenës e intelektualë të ndryshëm.
Dhimitër Pasko, i njohur ndryshe si Mitrush Kuteli ka lindur më 13 shtator 1907 në Pogradec.
“Mëmës Shqipëri” dhe “Skënderbeu” ishin vjershat e tij të para, ndërsa “Tregime të moçme shqiptare” është vepra e tij më e suksesshme që shpalosi vlerat e çmuara të gurrës popullore.
Po ashtu Kuteli ishte edhe mbledhës i folklorit shqiptar i shpërndarë në shekuj e vise.
I spikatur për pikëpamjet e tij demokratike, ai nuk mund t’i shpëtonte dorës së hekurt të diktaturës. Burgoset në vitin 1947 me akuzën armik i popullit me 5 vjet heqje lirie.
Ndër veprat e tij më të spikatura janë: “Ago Jakupi e të tjera rrëfime”, “Kapllan Aga i Shaban Shpatës”, “Xinxifillua”, “Tregime të moçme shqiptare”, “E madhe është gjëma e mëkatit”, “Në një cep të Ilirisë së Poshtme”, “Baltë nga kjo tokë” etj. Gjithashtu, ka përkthyer në shqip vepra të Turgenjevit, Gorkit, Gogolit dhe Nerudës. Kuteli u nda nga jeta në moshën 60 vjeçare më 4 maj 1967.
Akademia e Shkencave i akordoi titullin e lartë “Nderi i Akademisë”, për trashëgiminë e pasur që i la qytetërimit shqiptar./KultPlus.com