12 Shkurt, 2025 - 4:15 pm
Me pasion e përkushtim, trupa e valleve të Ansamblit Popullor, nën drejtimin e mjeshtrit të valleve Genc Kastrati, po punon për të sjellë në skenën e TKOBAP-së shpirtin fluturues të valltarit të shquar Rexhep Çeliku.
Për të sjellë në skenë një koncert dinjitoz, ashtu siç i ka hije figurës së Rexhep Çelikut, TKOB bëri me dije se, ishte e domosdoshme të bëhej bashkë ekselenca e valles shqipe, bashkëudhëtarët e tij, mjeshtrit që ndanë skenën me të për dekada me radhë.
Drejtori i Ansamblit Popullor, Sokol Marsi dhe përgjegjësi i valleve Genc Kastrati, së bashku me gjithë ekselencën e valles shqiptare, diskutuan se si mund të mishërohej sa më bukur në skenën e TKOBAP-së trashëgimia artistike e Rexhep Çelikut.
Koncerti është parashikuar të shfaqet më 19 shkurt, kur valltari i shquar do të kujtohet me këngë dhe valle popullore, artin që ai e deshi aq shumë.
Pjesëmarrëse në shfaqje do të jetë edhe bilbili i këngës popullore, Irini Qirjako e cila aktualisht po bën prova për koncertin “Kërcimtari Fluturues”./ KultPlus.com