25 Janar, 2021 - 11:38 am
Tek Elena Qirici ishin ndërthurur gjithë cilësitë e një artisteje, talenti si këngëtare, kërcimtare dhe akrobate. Eleni Qirici lindi më 25 janar të vitit 1925 në Australi.
Bashkëngjitur talentit, bukuria e stili i veçantë që e karakterizonte në jetë, këto veçori bënë që Qirici të tërhiqte vëmendjen e shoqërive kinematografike amerikane.
Një përfaqësues i kinematografisë amerikane të Hollywood-it, “Metro – Golduin – Mayer”, i ofroi të bëhej pjesë e projektit të tij dhe ajo pranoi. Që në vitin e parë të mbërritjes në Amerikë, Qirici interpretoi disa role kryesore, në të cilat këndonte, kërcente dhe interpretonte në mënyrë të shkëlqyer. Talenti i saj shumë shpejt u mirëprit nga amerikanët. Pa vonuar, vepra e vajzës shqiptare u pasqyrua edhe në mjaft media amerikane, të cilat nisën ta krahasojnë me balerinën e famshme amerikane të kohës Eleonor Pauell.
Në verën e vitit 1938, Elena bashkë me prindërit u kthye në Korçë, ku veç kujtimeve, kishte aty edhe plot të afërm. Për t’i respektuar ajo vendosi të japë një koncert tek kinema “Majestik”, prej nga mori rrugë veprimtaria e saj artistike. Bashkë me të interpretonin edhe prindërit. Disa ditë më vonë ky koncert u dha në kryeqytet. Shtypi i kohës bënte reklamën një ditë më parë: “Të mërkurën, ora 9 në kinema “Nacional” interpreton ylli kinematografik shqiptar Elena Qirici, këngëtare, valltare dhe akrobate…”
Me talentin dhe dhuntitë e saj të lindura dhe të përsosura në shkollën e kërcimit në Vjenë, Elena ka entuziazmuar publikun e Londrës, Parisit, Vjenës, Romës, është artistja kryesore në dy filma të në Hollywood-it.
Historia e emigrimit të atit të Elenës
Familja e Nikolla Qiricit nga Korça në vitet 1890 kishte emigruar së bashku me dy djemtë e saj, Vasilin dhe Dhimitrin, në Amerikë. Aty hapën një dyqan, në të cilin punonte gjithë familja. Por Vasili dashuronte kitarën, e për këtë vendosi të largohet për 20 vjet nga shtëpia, drejt Havanës. Bashkohet me një grup instrumentistësh aty dhe fillon të luajë në kitarovajonën e tyre. Pasioni i tij për muzikën u tërhoqi vëmendjen instrumentistëve, të cilët filluan ta ndihmonin që ta përvetësonte kitarovajonën, madje dhe ta ndihmonin të hynte në shkollë muzikë. Nga Kuba emigroi në kontinentin e largët të Australisë, ku hapi kurs muzikë për të rinjtë në kitarë, kitarovajonë, mandollë, mandolinë, violinë, duke formuar kështu një formacion orkestral. Mes këtyre instrumentistëve njohu edhe bashkëshorten e tij, Rudin, me të cilën lindi dhe Elenën.
Pas martesës së Elenës dhe largimit të saj nga jeta artistike, i ati Vasili dhe nëna Rubi shkuan në Australi, ku jetuan vitet e fundit të jetës së tyre. Pavarësisht largësisë, çifti Qirici nuk i shkëputi lidhjet me Korçën, ku jetonin të afërmit. Rubi kishte mësuar kështu dhe shqipen dhe në familjen e tyre flisnin shqip.
Në këtë foto kortezi e Muzeu Kokalari, Elena 13 vjeçare është fotografuar pas një shfaqeje në Korçë, qytetin ku u rrit dhe filloi interpretimet e para, duke nderuar me përshëndetjen mbretërore. / Gazeta shqiptare / KultPlus.com