6 Janar, 2023 - 12:45 pm
Jeta Zymberi
U deshën më shumë se tri vite që Teatri Kombëtar i Kosovës të bëhet me drejtor artistik. Është regjisori Kushtrim Mehmeti ai i cili ditën e djeshme është emëruar në këtë pozitë udhëheqëse me një mandat katër vjeçar, shkruan KultPlus.
Drejtori artistik pritet që brenda këtij vendi që është si një pasqyrë që reflekton shoqërinë dhe përvojën njerëzore tek audienca, të sjell eksperiencën e tij, pasi ka punuar më parë si regjisor në teatro, ka sjell performanca dhe instalacione të ndryshme.
Si drejtor artistik, Kushtrim Mehmeti pritet të jetë përgjegjës për përzgjedhjen dhe blerjen e veprave të reja për prodhimin e teatrit, si dhe udhëheqjen e ekipit krijues në zhvillimin e këtyre produksioneve. Ai do të punojë gjithashtu për të nxitur marrëdhëniet me dramaturgët, regjisorët, aktorët dhe profesionistët e tjerë të industrisë dhe do të luajë një rol kyç në angazhimin dhe ndërtimin e një publiku të larmishëm për teatrin.
Takimi mujor i udhëheqësve artistik, ngritja dhe zhvillimi i dramës kombëtare, identiteti teatror kombëtar, krijimi i kritikës teatrore, plotësimi i ansamblit rezident, skena alternative, prezantimi në çdo qytet të Kosovës, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare e shumë e shumë pika të tjera tejet të rëndësishme janë pjesë e plan programit që Mehmeti synon t’i realizojë gjatë mandatit të tij në krye të kësaj pozite.
Në një intervistë për KultPlus, Mehmeti shpalos vizionin e tij për të ardhmen e teatrit, duke u shprehur se marrja e kësaj pozite sa është privilegj është edhe përgjegjësi, por beson shumë në vullnetin e tij të madh për të mirën e teatrit.
“Pas një procesi të gjatë, një pune me teste e intervista, e lodhshme por e përballueshme, u mor vendimi për emërimin tim në këtë pozitë. Më shumë sesa privilegj është përgjegjësi, e sidomos kur Teatri Kombëtar i Kosovës që tri vite nuk ka Udhëheqës Artistik por funksionon me UD. Më pret një punë e madhe që të realizohet platforma ime, por kam vullnet e besim që do ta jap më të mirën për vendin ku që nga fillimi i studimeve kam besuar e ëndërruar për të”, shprehet Mehmeti për KultPlus.
Mehmeti kësaj detyre po i hyn me një mision të qartë, kultivimin e vlerave skeniko-artistike teatrore kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Krijimi dhe prodhimi i shfaqjeve teatrore profesionale, duke i bërë ato të arritshme për publikun në mënyrë që t’i argëtoj, edukoj dhe sfidojë. Publikimi i veprave të caktuara teatrore nga konkurset e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe repertorit të vet, me prioritet drama kombëtare në përputhshmëri me ligjin mbi të drejtat e autorit”, thotë Mehmeti.
Sa i përket politikave artistike teatrore, Mehmeti shprehet se bashkërendimi i politikës artistike me të gjitha institucionet eminente kulturore është një nga nevojat e kamotshme të kulturës.
“Problemet shoqërore, temat, dukuritë dhe zhvillimi i përbashkët i artit për nga cilësia e niveli artistik është një hap drejt ngritjes të secilit institucion kulturor. Për ta arritur këtë duhet fillimisht të hartohet politika artistike në nivel vendi nga udhëheqësit artistik te institucioneve gjegjëse, pastaj ato të mirëmbahen në takime minimalisht mujore në të cilat trajtohen realizimi i politikes artistike, mangësitë e problemet që hasen gjatë realizimit, dhe gjetjet, të arriturat e dështimet që secili institucion i ka pasur gjatë kohës.”
Ngritja dhe zhvillimi i dramës kombëtare
Një tjetër prioritet i Mehmetit pritet të jetë zhvillimi i dramës kombëtare. Sipas tij, teatri e merr formën si institucion kulturor kur fillojnë të shkruhen tekstet.
“Në rrethanat tona socio-kulturore sot me shume se kurrë kemi nevoje të merremi me Identitetin tonë kulturor e kombëtar të merremi me vlerat tona identitare ashtu siç ka bërë Teatri Klasik, të merremi me brendësin e njeriut shqiptar ashtu siç ka bërë Teatri Modern, pavarësisht që ka pasur disa tendenca te teksteve tona kombëtare t’i afrohet Teatrit Absurd, ne ende se kemi një tekst të tille ku flet për humbëtirën dhe për asgjënë tonë”, thotë Mehmeti i cili konsideron tutje që dramës shqipe i duhet edhe një Laborator i dramës.
Regjisorë botëror të konfirmuar
Brenda repertorit artistik vjetor të teatrit pritet të parashihet përzgjedhja e një regjisori të konfirmuar botëror i cili veç tjerash do të rriste edhe nivelin e ansamblit rezident duke sjell edhe forma të reja por edhe nivel artistik teatror.
“Regjisorët vendor kanë nivel të kënaqshëm dhe përballojnë edhe produksione të mëdha teatrore, por si nevojë e sjelljes së teknikave te reja teatrore por edhe e frymës së re teatrore. Freskimi vjetor i repertorit të teatrit me regjisor eminent do të krijonte një klimë gare më të madhe edhe tek regjisoret vendor, do te ishte një stimul për njohjen e formave te reja të punës me aktorin por edhe me shfaqjen dhe trajtimin e saj.”
Krijimi i kritikës teatrore
Që një shfaqje të jetojë gjatë e ndoshta përherë, i duhet me patjetër edhe një kritikë e mirëfilltë teatrore. Në këtë pikë, Mehmeti flet për nevojën e padiskutueshme të kritikës teatrore.
“Ka humbur interesimi që të shkruhet për teatër, kjo ka ndodhë pak edhe për faktin se ata që kanë bërë kritikë të mirëfilltë teatrore, i janë nënshtruar edhe një lloj trysnie nga regjisorët që kanë punuar shfaqje. Ne nuk guxojmë ndoshta që të porosisim kritikë teatri por ndoshta do të mund të stimulonim duke e krijuar Çmimin për kritikën më të mirë të vitit. Do të mundohemi që të krijojmë një atmosferë tek komuniteti që kritika na ndihmon e nuk na kundërshton, do të krijonim një kulturë ballafaqimi me veten e punën tonë pas premierës.”
Plotësimi i ansamblit rezident
Teatri Kombëtar i Kosovës i ka së paku 30 aktorë në ansamblin rezident. Që disa vite TKK nuk ka arritur që të plotësoj numrin minimal që e parasheh ligji, statuti e rregullorja, ndaj një ndër punët që Mehmeti mendon se duhet bërë me prioritet, është edhe plotësimi i numrit minimal të ansamblit rezident.
“Sot kemi ndërrim të gjeneratave dhe në tregun artistik ka një kohë që ka aktor/e që do ti jepnin një freski dhe rritje të nivelit artistik teatrit me futjen e tyre brenda ansamblit rezident. Tutje, teatri viteve të fundit ka paguar shumë bashkëpunëtorë të jashtëm dhe me plotësimin e ansamblit do të kursej edhe për nga ana ekonomike (financiare).”
Miratimi i orarit mujor të provave, plotësim ndryshim i rregullores për ansamblin rezident, prezantimi i regjisoreve paraprakisht, konferenca për media e recensioni për çdo vepër para hyrjes në repertorin vjetor dhe identifikimi i shijes së publikut, janë pikat tjera që Kushtrimi i paraqet në planin e tij udhëheqës.
Laborator teatror
Krijimin e Laboratorit teatror, drejtori i ri e sheh si një domosdoshmëri.
“Laboratori është i domosdoshëm jo vetëm si mënyrë për të krijuar shfaqje, por gjithashtu edhe si një vend pune i përditshëm ku aktorët mund të vazhdojnë të mësojnë dhe të rriten nga ana njerëzore, shpirtërore dhe profesionale.”
Skena Alternative
Teatri vendoset gjithkund, nuk ka hapësirë që nuk bënë për teatër. Skena alternative është nevojë e kohës e kur marrim parasysh që Teatri Kombëtar i Kosovës tani gjendet në rinovim të plotë kjo nevojë shumëfishohet.
“Kemi shumë ndërtesa e hapësira të lëna në mëshirën e fatit, ndaj gjitha ato kanë potencialin të shndërrohen në ambiente kulture. Pastaj veç hapësirave të pa shfrytëzuara ka edhe hapësira që kanë nevojë për promovim dhe asgjë më mirë se një shfaqje e sidomos kur ajo vije nga Teatri Kombëtar nuk mund ta bëjë promovimin.”
Prezantimi në çdo qytet të Kosovës, prezantimi në shkolla për rolin dhe punën e aktorit, udhëtimet e teatrit, revista vjetore, monografi, kritika vjetore e shfaqjeve të TKK-së e lexime skenike, janë të tjera plane që Mehmeti parasheh t’i realizoj gjatë mandatit të tij të plotë.
“Disa nga këto pika janë punë imediate dhe rezultatet e punës shihen menjëherë kurse disa tjera janë politika afatgjata të cilat mund të kontribuojnë vetëm pas disa mandateve tjera. Gjithashtu gjatë punës mund të dalin ide të reja apo probleme të cilat duhet të trajtohen”, përfundon kështu Mehmeti i cili këtë fillim të ri po e pret me shumë entuziazëm dhe me vizon të qartë për punën që e pret. / KultPlus.com