24 Qershor, 2022 - 10:30 pm
Një nga komeditë më të bukura të Shekspirit, është ngjitur në skenën antike të Amfiteatrit të Durrësit. Artdashës, banorë të Durrësit, por edhe pushues që gjenden aty, kanë pasur mundësinë të shohin një shfaqje, nga më të mirat e trupës së Teatrit “Aleksandër Moisiu”, “Ëndrra e një nate vere”.
Me regji të Driada Dervishit, komedia “Ëndrra e një nate vere”, ishte e para që hapi siparin e shfaqjeve artistike në amfiteatrin 2000-vjeçar të qytetit të Durrësit, për këtë sezon veror.
“Një kast energjik aktorësh, mbushi me ëndrra netët verore të Durrësit”, shkruan ministrja Margariti në një postim në rrjetet sociale.
Kasti i aktorëve nën regjinë e Driada Dervishit përbëhej nga emra të mirënjohur të skenës si Romir Zalla, Gentian Zenelaj, Suela Bako, Andia Xhunga, Mimoza Marjanaku, Adelina Muça, Amos Zaharia etj. Aktorët janë ngjitur në skenën e amfiteatrit antik, për 3 netë rresht, në datat 21, 22 dhe 23 qershor.
Me një skenë, të veshur në të bardha, hënën në sfond, ngatërresat e Pakut, truket e zanave dhe një ëndërr-zhgjëndërr, komedia “Ëndrra e një nate vere” erdhi si një magji e këndshme për publikun./atsh/ KultPlus.com