16 Prill, 2021 - 11:07 am
Era Berisha
Performanca e Baletit Kombëtar të Kosovës, mbrëmë jo vetëm që vërtetoi se trupa e baletit është një trupë që hapat, lëvizjet dhe kërcimet e pa para më parë, i sjellin si një trup i vetëm unik, por trupi i tyre shndërrohet në instrumentalin që dëgjohej, në një dukuri hyjnore që shkrihet tërësisht si një vullkan i zjarrtë që shpërthen atëherë kur nuk pritet nga askush dhe depërton furishëm në shpirtin dhe mendjen e secilit, shkruan KultPlus.
Trupa e Baletit të Kosovës mbrëmë ka dhënë premierën e parë për këtë vit të titulluar ”Entre Dos Aguas & Troy Game”, nën koreografinë e Robert North, i cili për shkak të kushteve pandemie nuk ka qenë i pranishëm në rrugëtimin e plotë të shfaqjes, por në vend të tij ishin dy asistentë dhe njëkohësisht koreografë: Lale Balkan dhe Julian Moss.
Në një ndriçim të zbehtë në sallën e Teatrit Kombëtar, të pranishmit dalëngadalë zunë vendet e tyre të distancuar. Teksa, në fytyrat e tyre shihej padurimi për premierën e cila solli një frymë ndryshe të pa identifikuar, nën qetësinë e publikut, ajo se çka dëgjohej ishin vetëm hapat e qetë të balerinëve që po bëheshin gati të dilnin në skenë.
Pas një brohoritje relaksuese të përbashkët nga balerinët, e cila erdhi prapa perdeve por të cilën tashmë jemi mësuar ta dëgjojmë, dritat humbën zbehjen e tyre duke zbritur në nivelin e errësirës që për një moment kaploi sallën dhe kështu perdja filloi të mbështjellët në vendin e saj për t’iu liruar balerinëve të shpalosin pjesën e parë të titulluar ‘Entre Dos Aguas’. E pikërisht si domethënia e saj që do të thotë në mesin e dy ujërave, balerinet vajza nisën hapat nën melodinë e tingujve latin, ku secila nga to kishte kostume të njëjta por me ngjyra të ndryshme se çka shtyu të formohet ideja se ato po kërcenin në një ritëm shumëngjyrësh.
Këtij ylberi latin, që filloi në një ritëm të butë e pothuajse të ngadaltë, surprizoi publikun kur në skenë iu bashkëngjiten edhe balerinët djem të cilët u ngritën nga karriget e tyre duke rritur intensitetin kur dy gjinitë u bashkuan, jo vetëm në një trup të vetëm por edhe në hapa dhe lëvizje të shpejta, për të cilat vështirë ti kapësh me sy por që është lehtësisht ta dashurosh punën madhështore të tyre në stilin flamengo.
Në një ndriçim sa në të kuqe e herë në të kaltër, tempoja e kërcimeve të shumta fizike në ajër kishin kapluar të gjithë sytë e buzëqeshur dhe adhurues të publikut. Po ashtu, në mesin e pjesës së parë herë pas here, nuk munguan as solot e balerinave që treguan një hijeshi të bukur me trupin e tyre duke ndjekur kështu tingujt instrumental spanjoll.
Me përfundimin e pjesës së parë, duartrokitjet dhe brohoritjet e vazhdueshme bënë që të gjithë balerinët të kthehen në skenë edhe një herë për të shijuar këtë moment të veçantë dhe mjaft inkurajues për pjesën e dytë që do të fillonte pas 5 minutave pauzë.
Teksa balerinët djem po bëheshin gati për pjesën e dytë të titulluar ‘Troy Game’, të pranishmit që as për një moment nuk iu ndahej vezullima në sytë e tyre, e shfrytëzuan rastin që të bisedonin me njëri-tjetrin për magjinë, identitetin, për energjinë që kapërceu nga ta e direkt mbi atmosferën e sallës dhe natyrisht për stilin e ri që pjesa e parë solli.
Ndërsa, kur pjesa e dytë nisi, ajo që e befasoi publikun ishin jo vetëm veshjet armatore por edhe fillimi pa asnjë melodi të vetme. Krejt se çka dëgjohej ishin të qeshurat dhe britmat e gjithsej tetë balerinëve të cilët nisën lojën e tyre për të shprehur talentin e secilit mashkull dhe fuqinë e tyre prej ‘burri’, duke e kthyer teknikën e tyre të lëvizjeve të shpejta në një formë të humorit.
Dinamika dhe harmonia e veçantë e lëvizjeve të tyre, e cila më vonë u shoqërua edhe me melodi, pasoi në një luftë të vërtetë të kërcimeve të fuqishme por që njëkohësisht ishin aq të bukura dhe aq të shpejta saqë vështirë të mbahen mend të gjitha nga audienca por që këtë talent balerinët e kanë të futur thellë brenda vetes duke treguar koncentrimin e tyre përderisa fokusi i tyre mbetet sjellja e magjisë unike që vetëm ata dinë ta sjellin në formën e tyre të mrekullueshme.
Dëshmi për këtë ishte edhe momenti kur secili në sallë u ngritë në këmbë dhe duartrokiti vazhdueshëm me një energji të jashtëzakonshme kur balerinët përfunduan aktin e fundit humoristik por tejet të suksesshëm.
Për të shprehur emocionet dhe ndjenjat pas një shfaqje të tillë, në një prononcim për KultPlus, asistenti Julian Moss i cili për herë të parë ishte në Kosovë për realizimin dhe finalizimin e kësaj premiere, e cilësoi këtë si një natë të mrekullueshme.
“Unë mendojë se ishte një natë tepër e mrekullueshme, trupa e baletit performoi në një mënyrë mjaft të mirë dhe shpresoj se audienca është kënaqur shumë gjithashtu. Ishte shumë e mirë sepse trupa e baletit ka përmbushur pritshmëritë e mia, por që gjëja më e rëndësishme është që publiku ta shijojë performancën dhe kur ata të largohen, të largohen duke u ndjerë se kanë parë diçka që është e mirë”, thotë Moss.
Sipas tij, është e këndshme që në një kohë të tillë pandemike, e cila është një kohë shumë e vështirë për të gjithë, ata kanë arritur të kenë një audiencë të vogël të cilët kanë parë një grup kërcimtarësh duke punuar vërtetë shumë dhe kjo për Moss është gjithmonë gjëja më e bukur sepse ai e dashuron teatrin prandaj duke parë trupën duke kërcyer dhe publikun duke e shijuar, nata për të ishte perfekte.
Ai tutje tregon se pikërisht koreografi i njohur Robert North ka lënë një mesazh për natën e mbrëmshme.
“Unë fola me të në telefon sot në mëngjes dhe ai tha: paçi fat dhe ‘break a leg’, që është një shprehje në botën e kërcimit. Por, edhe pse jo prezent, ai ishte këtu me shpirt”, shprehet Moss.
Duke rikujtuar intervistën e mëparshme për KultPlus ku ai është shprehur se ishte duke kërkuar për një diamant i cili është i vrazhdë por që është dashur ta lustrosh deri në shkëlqimin perfekt të tij, Moss pohon se pikërisht e gjithë trupa e baletit po shkëlqenin sonte dhe kjo është gjithmonë e mrekullueshme.
Ndërsa për të treguar më shumë për momentet e veçanta pas një shfaqje të tillë, për KultPlus, ka folur edhe balerini Fatmir Smani.
“Për neve performanca ishte e veçantë në disa aspekte e sidomos për shkak të pandemisë sepse duke pasur parasysh kushtet tona dhe se si është realizuar e gjitha kjo me kufizime dhe distancë, për të cilat jemi munduar ti respektojmë, por që megjithatë profesioni jonë nuk mund ti përballojë të gjitha gjërat sepse normalisht ka qenë rrezikshmëri për neve por që në fund e gjitha kjo ka një vlerë të madhe”, tregon Smani.
Ai tutje tregon se për të ishte një privilegj që luajti në këtë shfaqje e cila ka emër botëror dhe luhet nga trupat më të mëdha të baletit dhe e cila është përgatitur për një muaj e një javë me praninë e koreografëve fantastikë.
“Është kënaqësi e madhe edhe pse me 20% publik, për neve ka qenë si me qenë 200%”, potencon ai.
Sipas tij, performanca e tyre i ka tejkaluar pritshmëritë e publikut sepse në momentin kur e kanë kuptuar se publiku do të jetë vetëm 20%, ata kanë menduar se energjia do të jetë më e zbehtë por përkundrazi energjia ishte aq e madhe saqë të gjitha ulëset e zbrazëta janë përmbushur edhe me energjinë e atyre të cilët nuk ishin prezent.
Repriza e parë e shfaqjes ‘Entre Dos Aguas & Troy Game’, vjen sonte pastaj është menduar një pauzë e shkurtër sepse teatri do të filloj renovimin e shumëpritur. / KultPlus.com