26 Nëntor, 2017 - 10:33 am
Komedia “Një jetë me ty” shkruar dhe me regji nga Erion Kame ditët e para të muajit dhjetor do të jetë në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë.
Për tre net me radhë në skenën e teatrit komedia vjen me interpretimin e aktorëve të njohur Romir Zalla, Suela Bako dhe aktorja Ina Gjonçi. Kjo është një vepër që vjen në skenën e Korçës vetëm pak ditë pasi aktori Romir Zalla u vlerësua me çmimin “Aktori më i mirë” në festivalin e teatrit “Othello” në Gostivar. Pas skenës së Korçës që shfaqja do të jetë në datat 1, 2 dhe 3 dhjetor, do të vijojë një tur në skena të ndryshme të teatrit në vend, që regjisori bashkë me aktorët kanë menduar të vijojnë për t’u prezantuar para publikut. Komedia ka si subjekt martesën. Çfarë është ajo? Si përkufizohet? Pse duhet të martohemi? Janë këto pyetjet që protagonistët i japin përgjigje në mënyrë humoristike. Aktori i njohur për publikun Romir Zalla vjen në rolin e bashkëshortit dhe dy interpretueset e tjera Suela Bako në rolin e gruas dhe Ina Gjonçi në rolin e “vajzës së fotokopjes”, e cila shkakton xhelozi tek gruaja. Çifti në shfaqjen teatrore rrëfen historinë që nga njohja deri tek martesa e lindja e fëmijëve si dhe peripecitë e kaluara midis tyre. Si gruaja ashtu dhe burri kanë një version të vetin të ngjarjeve, duke i parë nga një këndvështrim tjetër. Si autor i veprave shqipe, në teatër Erion Kame ka vënë në skenë dhe të tjera shfaqje, që kanë angazhuar aktorë të njohur dhe të rinj. Ndërsa me këtë komedi më të fundit “Një jetë me ty”, që rreket të tregojë një jetë bashkëshortore, janë problemet e zakonshme të një çifti që mund t’i çojnë ata deri në divorc. Regjisori Erion Kame tregon se kur mbizotëron dashuria në jetën bashkëshortore atëherë dhe mosmarrëveshjet kalojnë. “Kjo shfaqje flet për jetën bashkëshortore, martesën, familjen në përgjithësi dhe besoj është një temë, që është universale e të gjitha kohërave dhe kur çiftet kanë mosmarrëveshje apo gjëra të tjera të vogla dhe mbi to mbizotëron dashuria atëherë ia vlen të vazhdosh”, tregon regjisori Kame për shfaqjen e tij.
Formula që funksioni për veprën
Pas suksesit që ka pasur më parë me shfaqje në teatër, Erion Kame këtë herë vjen si autor dhe regjisor me një tjetër komedi që është me skenografi nga Noset Shijaku. Ka zgjedhur që në rolet kryesore të veprës së tij “Një jetë me ty” të vendosë dy aktorët Romir Zalla e Suela Bako, që janë çift edhe në jetën reale. Këtë bashkëpunim me aktorët për këtë shfaqje ai e vlerëson jo pak duke cilësuar se përzgjedhja e aktorëve ka qenë një formulë që rezultoi e suksesshme për veprën në teatër. “Kam përzgjedhur në role Romirin dhe Suelën, që janë bashkëshortë dhe në jetë, dhe padiskutim që kjo formulë më funksionoi. Ka qenë një kënaqësi kjo punë me shfaqjen teatrore dhe me kastin e të gjithë aktorëve në vepër, do ta mbaj mend gjatë si një nga bashkëpunimet më harmonike”, pohon regjisori Kame mes të tjerave për shfaqjen e tij. Edhe më parë si autor Erion Kame ka sjellë në skenën e tetarit dhe vepra të tjera, duke pasur në vëmendje dhe mesazhe për shoqërinë. E këtë herë është pikërisht kjo komedi, që është e shkruar prej tij në vitin 2013 që po vijon turin në skena të ndryshme të teatrit. Sa i takon aktorëve që janë pjesëmarrës në këtë shfaqje teatrore janë tre emra të vlerësuar me rolet e tyre në jetën artistike. Jo vetëm me teatrin, por dhe në kinema aktiviteti artistik i tyre nuk ka munguar. Këtë herë janë bërë bashkë me regjisorin Erion Kame dhe skenografin Noset Shijaku për të sjell në skenë komedinë “Një jetë me ty”, shkruan SotNews./ KultPlus.com