3 Shkurt, 2025 - 11:37 pm
Sopranoja shqiptare e njohur ndërkombëtarisht, Ermonela Jaho ka uruar Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti pas prezantimit të projektit fitues për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës, shkruan KultPlus.
Sopranoja e shquar Jaho ka premtuar se nëse do të bëhet realizimi i Teatrit të Operës dhe Baletit edhe ajo do të jetë pjesë e pashmangshme e tij.
“Urime për projektin z. Kryeministër. Le të punojmë që të realizohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Arti nuk është opsional. Njeriu nuk ka nevojë vetëm për bukë. Ne jetojmë dhe arrijmë sublimen përmes Artit.
Në qoftë se do ta ndërtoni, unë premtoj se do jem aty të lë një pjesë të zemres time”, është shprehur sopranoja Jaho.
Sot është prezantur projekti fitues i ndërtimit të Teatrit të Operës dhe Baletit me vlerë 2 milionë e 450 mijë euro, i cili pasqyron siluetën e veshjes së xhubletës i ideuar nga arkitekti Bjarke Ingels. Ky projekt përmban katër auditoriume me kapacitet prej 300 deri në 1200 ulëse dhe zbatimi i tij pritet të fillojë në vitin 2026./ KultPlus.com