23 Nëntor, 2018 - 4:55 pm
Londër, 23 nëntor – Si një vajzë që u rrit prapa perdes së hekurt, ekspozimi i sopranos shqiptare, Ermonela Jaho, ndaj operës ishte i limituar. Por në moshën 13-vjeçare, vëllai i saj e dërgoi ta shihte “La Traviatan” dhe shpirti i saj nisi të fluturonte.
“Gjithçka ishte aq e mbyllur në shtetin tim komunist saqë duhej të ndërtoje një botë brenda vetes”, ka thënë ajo. “Pasi dëgjova këtë muzikë më bëri të kuptoj se mund të udhëtoja me mendjen time. Fillova të shihja mundësi të reja”, shton ajo.
Padyshim, roli i kurtizanes Violetta në “La Traviata” ka qenë prezent në mënyrë konstante në karrierën e Jahos. Këtë rol ajo e ka kënduar në mbarë botën, duke u krahasuar me Maria Callasin në këtë proces, dhe në fillim të vitit të ardhshëm do të kthehet në “Covent Garden” me këtë rol.
Lëvdatat për Jahon (44) gjithmonë duken aq të fuqishme sa edhe performancat e saj. “The Economist” e përshkroi atë si “sopranoja më e vlerësuar në botë” dhe niveli saj teknik – i dëshmuar nga zëri i saj i fuqishëm dhe kumbues – e ka bërë të parezistueshme për shumë kritikë. Ajo po ashtu thotë se është pasioni i dukshëm që shkon bashkë me muzikën.
“Secila notë, secili tingull që jap është një pjesë e emocionit nga zemra. Është sikur shpirti im zhvishet kur unë këndoj dhe këtë nuk mund ta fsheh. Është e dukshme, por në njëfarë forme edhe terapi”, ka thënë Jaho.
Fjalët “zemër” dhe “shpirt” janë të shpeshta në bisedën me Jahon dhe ajo thotë se melankolinë e ka diku thellë në rrënjë. Pjesërisht kjo rrjedh nga marrëdhënia e komplikuar që ka pasur me nënën e saj të ndjerë, e cila nuk i ka kuptuar ambiciet e saj për t’u bërë këngëtare e operës.
“Ajo ka qenë një grua tejet e fortë, por në fytyrën e saj gjithmonë i kam parë dhimbjen dhe pendimin”, ka thënë Jaho. “Ajo ka qenë e lumtur, por asnjëherë nuk ka pasur guxim të më shohë në skenë”, ka shtuar ajo. Jaho i kishte shkruar për ta pyetur përse, por ajo kishte vdekur para se t’i dërgohej letra.
Këngëtarja thotë se jeta nën komunizëm po ashtu pati ndikim në aspektin e “ndjeshmërisë” për të.
“Kur je fëmijë disi mendon se duhet të shohësh gjëra të bukura, jeta ishte dashur të ishte e mbushur me flutura”, ka thënë ajo. “Kam parë disa realitete që nuk doja t’i shihja dhe kjo më ka bërë të palumtur. Por tani mendoj se kjo mund të ketë qenë për të mirë. Secila përvojë dramatike më ka ndihmuar me artin tim”, ka thënë Jaho.
Pas moshës 19-vjeçare, pasi kishte fituar një garë në Shqipëri, ajo shkoi në Itali për të studiuar, fillimisht në Montova dhe më pas në Romë, ku kishte fituar gara të ndryshme, dhe aty ndërtoi një repertor të pasur me vepra të Verdit dhe Puccinit. Që nga fillimi, ajo e dinte se duhej ta gjente zërin e brendshëm kur vjen tek performanca – natyrisht Violetta, por edhe Manon, Mimi dhe Sour Angelica.
“Isha shumë e frikësuar kur fillova, sepse kritikët gjithmonë të krahasojnë me dikë tjetër. Kur e kuptova se është çështje e shijes dhe jo të gjithëve do t’u pëlqej, vetëbesimi m’u rrit. E dija se duhet të jepja diçka më njerëzore tek audienca. Këtë e kërkonin. Nuk mendoj se publiku kërkon perfeksionin”, ka thënë Jaho.
Para dy ditëve Jaho ishte në “Royal Festival Hall” në Londër në operën e parë të Puccinit, melodramën supernatyrale “Le villi”, në formën origjinale me një akt dhe u performua me ndihmën e Orkestrës së Filarmonisë së Londrës. Jaho ka thënë se në një mënyrë kjo është një vepër e papjekur.
“Mund të shohësh se Puccini ende mundohej ta gjente rrugën, por gjithashtu mund të shohësh se si do të shndërrohej – në mënyrë që ai nuk lundron rreth ndjenjave të tij, që ai pret emocionet e drejtpërdrejta”, ka thënë Jaho.
Ashtu siç është e zakonshme programi i saj është i mbushur deri në vitin 2022 dhe përfshin role të rëndësishme, si Anna Bolena e Bonizettit, vitin e ardhshëm në “Sydney Opera House”. Kur nuk është duke punuar, Jaho jeton në New York me burrin e saj, Ervin Stafa.
“Është shumë e vështirë, sepse ne gjithmonë jemi duke udhëtuar, por dashuria për njëri-tjetrin është aq e thellë, saqë nuk ka rëndësi ajo pjesë”, ka thënë Jaho, teksa ka bërë një pauzë të shkurtër. “Dhe e di se e gjithë kjo nuk do të zgjasë përgjithmonë”.
E pyetur nëse brengoset për plakjen dhe për refuzim potencial të roleve kryesore, ajo përgjigjet.
“Shumë më brengos kjo dhe më vjen turp ta them këtë. E di se tingëllon si egoizëm, por nuk dua që kjo të marrë fund. Kur këndova në rolin e Antonias së fundmi isha në fustanin e një vajze të vogël, dhe më bëri të mendoja se sa me fat isha në fillim të karrierës. Por të gjithë ne jemi të pasigurt. Pavarësisht se sa e mirë je, gjithmonë je një fëmijë diku thellë në shpirt” (The Telegraph/Koha Ditore). /KultPlus.com