27 Mars, 2025 - 2:39 pm
Çmimi Kombëtar për Regjinë më të mirë në fushën e Teatrit për vitin 2024 i është ndarë regjisorit Erson Zymberi.
Erson Zymberi ka fituar këtë çmim me shfaqjen “Djali”.
Arsyetim i jurisë vlerësuese: Për inskenimin dhe trajtimin e materies së dendur psikologjike dhe dramaturgjike, estetikën minimaliste në skenë, ndërtimin e strukturave narrativo-vizuale e përdorimin e hapësirën në rang performativ, ndërlidhen e skenave dhe intensitetin dramatik të dramës familjare, për punën me aktorët, heshtjen e gjatë dhe tensionin skenik, pasqyrimin mbresëlënës ndaj shkrirjes së kufijve të dramës familjare dhe fatit social, që prek emocionalisht spektatorin dhe e bën atë pjesë intensive të shfaqjes. Çmimi Kombëtar për Regjinë më të mirë në fushën e Teatrit për vitin 2024, i ndahet regjisorit Erson Zymberi, në shfaqjen “Djali”.
Janë gjithsej pesë personazhe brenda shfaqjes (Pjeri, Ana, Nikolasi, Sofia, Doktori), dhe konsiderohet që çdo karakter në “Djali-n” është një univers emocional në vetvete. Pjeri (Kushtrim Qerimi) një prind që kërkon të jetë mbështetës, është një figurë që ka ndërtuar një mur për të mbrojtur veten nga dhimbja; Ana (Safete Mustafa-Baftiu), nga ana tjetër, është thellësisht empatike, por e konsumuar nga paaftësia për të “shëruar” birin e saj. Nikolas (Yzeir Meha), i mbështjellë në një botë që as vetë nuk e kupton plotësisht, është pasqyrë e të gjithë atyre që ndihen të zhytur në mjegullën e depresionit. Sofia (Tringa Hasani) përfaqëson indiferencën e botës së jashtme, dhe Doktori (Florent Salihu) është kufiri i ashpër mes ëndrrës dhe realitetit.
Ndërkohë, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, me çmime janë vlerësuar: Me çmimin për vepër jetësore Samka Ferri, shfaqja “Martesa” nga Teatri Kombëtar i Kosovës është vlerësuar si shfaqja më e mirë e vitit, aktori më i mirë është vlerësuar Shpëtim Selmani, kurse Qendra Multimedia është vlerësuar me çmimin për prezantim ndërkombëtar./ KultPlus.com