28 Mars, 2019 - 4:22 pm
Skena e Teatrit “Dodona” ishte veshur me petkun e një fabrike të kukullave. Bisedat e para mes aktorëve tregojnë se bëhet fjalë për prodhimin e kukullave inteligjente, të cilat krahas shumë funksioneve të tjera dinë edhe të kritikojnë. Shfaqja “Fabrika e Kukullave” me tekst të Mentor Halitit e regji të Naser Shatrollit erdhi mbrëmë premierë për Ditën Ndërkombëtare të Teatrit, shkruan KultPlus.com.
Fillimisht në skenë shfaqen Butrint Lumi (pronar i fabrikës) e Rina Krasniqi (punëtore shumëvjeçare në fabrikë). Hapësirës ku ata punojnë iu bashkohet edhe Edlir Gashi, i cili vjen nga pjesa e poshtme e skenës e këtij ambienti ia ka mësyrë për të kërkuar punë, pasi që nuk ka arritur të përmbush ëndrrën e tij për të studiuar dizajnin interier diku jashtë Kosovës. Nëpërmes këtij formati teatror – komedi e zezë, shfaqja ka synuar të eksplorojë në frymën e teatrit të absurdit të bëmat e një drejtori dhelparak – qesharak në të thëna, dramatik në të bëma, i veshur në pantallona shiz, ushqehet me të ngulmet e bilardos, i cili në vulën e hekurt të fabrikës së kukullave e fsheh diktaturën gjersa eksploron rend e ligj sa psikologjik, po kaq dhe fizik.
“Sjelljet e tij tragjikomike i ngjasojnë një diktat(ure) ori modern që ngjall nostalgji për të djeshmen tonë, përkatësisht alarmon për të sotmen servile të njeriut bashkëkohor, që është shndërruar në marionetë mashtrimi”, thuhet në njoftimin e shfaqjes.
Regjisori i shfaqjes Naser Shatrolli, tha se ndihet i lumtur që shfaqja erdhi në një ditë të veçantë që shënohet si dita teatrore kudo në botë, ndërsa falënderoi komunitetin artistik e publikun që kanë përcjellur shfaqjen. Ai tha se shfaqja është e formatit kontomperan, pra frymë e teatrit modern që jep mesazhin se ky popull nuk mund të ngelet lodër e secilit sistem.
“Nuk është e lehtë me u përjetu, me u kuptu dhe si të thuash të inkorporohet sepse ndërveprimi ka domen jetik. Nuk mundet ky popull të ngelet lodër e secilit sistem që vjen, nuk mundet një femër e ndershme të shndërrohet në një objekt, nuk duhet të jetë brezi rinor që në një far mënyre ta lodrojmë dhe që ta irritojmë që të marrë rrugë për tu larguar nga vendi i vet, që të hyjë në një tunel pa dritë”, tha Shatrolli për KultPlus.
Aktorja Rina Krasniqi solli rolin e Shilarës (menaxheres në Fabrikën e Kukullave), e cila ka sakrifikuar shumë nga jeta e saj për vendin e punës. Besnike shumëvjeçare e kësaj fabrike, ajo krejt në fund merr veç një premtim që nuk lidhet me punën e saj. Shefi i premton se në një të ardhme jo të afërt do ta martojë.
“Kukullat janë njëfarë metafore e njerëzve të ditëve të sotme dhe kjo fabrikë paraqet sistemin diktatorial se si kur vjen një person i ri mundohet ta luftojë atë sistemin diktatorial të kamotshëm i cili nuk lenë me pas më shumë shpresë për atë vend”, thotë fillimisht Krasniqi.
Ajo tutje për KultPlus tha se procesi i punës ka qenë sfidues por që i ka sjellë edhe shumë kënaqësi. Ajo punon për herë të parë me Shatrollin mirëpo thotë se procesin e kanë përcjellur me energji pozitive.
“Gjatë këtyre dy muajve kemi punuar me shumë pasion, kënaqësi por edhe me shumë lodhje mirëpo ia ka vlejtur sepse premiera ka shkuar shumë mirë dhe publiku e ka pritur shumë mirë”, tha tutje Krasniqi.
Shfaqja ishte kooproduksion i Euro Ballkan Institut me Teatrin “Dodona” në Prishtinë.
Kompozitor: Drinor Zymberi; Skenografia: Artan Hasani & Agron Blakqori; Koreografia: Fatmir Smani;
Kostumografia: Ar Veselaj;Dizajni i dritave: Albert Gashi; Dizajni i pllakatit: Salih Lutolli (Agi); Adaptimi tekstual dhe dramatizimi: Naser Shatrolli; Bashkëpunëtore: Arjeta Miftari, Valbona Kida, Mustaf Statovci./ KultPlus.com