19 Janar, 2018 - 6:47 pm
Fadil Kraja është një prej shkodranëve me të cilët duhet krenuar.
Kraja ka mbi 40 drama dhe komedi të shfaqura në të gjithë teatrot profesioniste të Shqipërisë si dhe në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni dhe në diasporë, mes tyre “Fisheku në pajë”, “Sinjalet e natës”, “Shpartallimi”, “Baca i Gjetajve”, “Gjaku i Arbërit”, “Djem të mbarë”, “Çështja e Blertës”, “Flamur në dasëm”, “Rozafa”, “Kur flasin zemrat”, “Luani i shtëpisë”, “Çështje familjare” si dhe shumë drama për fëmijë, librete operash e operetash.
“Zoja Shkodër” në Facebook na e sjellë dramaturgun duke recituar poezinë “Një Cigare”.
Mjeshtri i madh shkodran punoi si mësues i letërsisë në shkolla të mesme dhe më vonë pedagog i letërsisë së huaj në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë të Universitetit “Luigj Gurakuqi” – Shkodër.
Nga viti 1972 gjer më 1992, ai ishte shkrimtar në profesion të lirë duke vazhduar si pedagog i jashtëm në fakultet dhe njëkohësisht Kryetar i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për Degën e Shkodrës.
Vëllimi i parë poetik “Kënga ime” (1954) fitoi çmimin e parë në Konkursin Kombëtar të Letërsisë. Pastaj me radhë ka botuar vëllimet poetike “Melodi malësore”, “Jehona malesh”, vëllimet me tregime “Kandidatja e fundit”, “Fajin e kishte Besa”.
Fadil Kraja ka luajtur një rol të madh edhe në gjallërimin e Gjimnazit të Shkodrës, shkruan KultPlus.
Fadil Kraja është një nga penat më të ndritura të dramaturgjisë tonë kombëtare. / KultPlus.com