30 Dhjetor, 2019 - 9:52 am
Qëndrim Morina
Përmes tre komponentëve të rëndësishëm: aktrim, balet dhe këngë, erdhi mbrëmë premierë drama “Erveheja” në Teatrin Kombëtar të Kosovës, me autor Ahmet Qirezin dhe regji të Drita Begollit, shkruan KultPlus.
“Erveheja” është vepër, rrëfimi i së cilës daton qysh në periudhën e gjysmës së shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX, kur Muhamet Çami – Kyçykun e dërgoi Ali Pashë Tepelena në studime në Kairo. Ai prej atje e mori rrëfimin dhe pastaj e vjershëroi.
Në vitin 1888 Jani Vreto, faktikisht nuk e inskenoi, por ia heqi barbarizmat dhe e solli në gjuhën shqipe të pastër. Ndërsa në vitin 1966, këtë vepër e dramatizoi Ahmet Qirezi dhe në vitin 1967 u luajtë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Në atë kohë, për Teatrin Kombëtar të Kosovës ishte një ngjarje historike dhe pastaj kaloi një kohë e gjatë kur askush nuk e solli në skenë dhe tash regjisorja Drita Begolli arriti që dashurinë, migrimin, besnikërinë, përmes kësaj drame ta sjellë përsëri në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Pra, lajtmotivet dhe motivet e kësaj drame ndërtohen mbi bukurinë, dashurinë dhe besnikërinë e personifikuar në personin, luftën jetësore dhe fatin e një gruaje. Drama karakterizohet me dinamikën e ngjarjeve të përshtatura për skenë duke qenë se autori ishte edhe aktor, si dhe me emërtimin e personazheve sipas funksionit.
“Erveheja” arriti të mbledhë shumë njerëz në Teatrin Kombëtar, të cilët ishin shumë të interesuar dhe të kënaqur me shfaqjen e aktorëve.
Mes dashurisë, sakrificës dhe përkushtimit, në palcën e saj, kjo dramë përmban fatin e një femre
Regjisorja Drita Begolli ishte shumë e kënaqur me interesimin e publikut për ta parë shfaqjen dhe tha se që përmes kësaj drame ka dashur ta sjellë një emocion dhe t’i tregojë audiencës së kjo dramë nuk e ka humbur peshën e saj.
“Duke njohur krijimtarinë time si regjisore, ku protagoniste janë femrat, kam dashur ta sjellë këtë dramë për të përshkruar një emocion për gjeneratat e reja dhe me pa se si kjo vepër nuk e ka humbur peshën, sepse këtu trajtohen një mori temash”, tha ajo.
Tutje Begolli tha se fillimisht këtë dramë ka dashur ta sjellë si ”muzikal”, por për shkak të rrethanave financiare nuk ka mundur.
Shfaqja u mbyll nën tingujt e muzikës së Bashkim Shehut, vepra e të cilit nuk shfaqet në Kosovë që një kohë të gjatë.
Të gjitha mjetet e grumbulluara kanë shkuar për donacion./KultPlus.com