24 Gusht, 2023 - 5:00 pm
Uranik Emini
Festivali i Teatrove në Ferizaj shfaqet në mesin e shumë atraksioneve të këtij qyteti, si një simbol i qëndrueshmërisë dhe krijimtarisë artistike, shkruan KultPlus.
Vit pas viti, ky festival bën prezantimin e produksioneve teatrore vendore e ndërkombëtare nga vende të ndryshme, përderisa synimi kryesor i tij qëndron në promovimin e teatrit si një formë arti dhe shprehjeje, gjithashtu edhe si një platformë për dialog dhe ndryshim shoqëror.
Festivali, i cili filloi në vitin 1970, është festivali më i vjetër dhe më jetëgjatë i teatrit në Kosovë. Ndërkaq, i gjithë ky lulëzim ndër vite do të ishte i pamundur pa përkushtimin dhe mbështetjen e themeluesve, regjisorëve, aktorëve, teknikëve, sponsorëve dhe padyshim, nuk do të ishte asnjëherë i njëjtë, pa audiencën e tij.
Festivali i Teatrove të Ferizajit ka më shumë sesa thjesht vetëm “kulturë” të mërzitshme, siç përshkruhen gabimisht festivalet, sidomos ato të teatrit. Përmes tij, paraqitet edhe një testament se si guximi dhe shpirti i komunitetit artistik në Ferizaj, dhe jo vetëm, ndër vite e ka bërë të mundur mbarëvajtjen e këtij festivali.
KultPlus ka realizuar një intervistë me drejtorin artistik të Teatrit “Adriana” dhe Festivalit të Teatrove në Ferizaj, Besim Ugzmajli, i cili tregon me sfidat e shumta që janë përballur, duke thënë se ky festival do të ofrojë një përvojë të paharrueshme argëtimi, edukimi dhe frymëzimi.
KultPlus: Çfarë mund të presin të pranishmit në festivalin e këtij viti? A ka ndonjë element të ri dhe emocionues që dëshironi të nënvizoni?
Besim Ugzmajli: Këtë vit Festivali Teatrove, Ferizaj 2023, edicioni i 53-të, pavarësisht problemeve financiare ka arritur të ketë një program goxha voluminoz e ajo që është edhe më e rëndësishme ky program është shumë kualitativ. Sigurisht që nata e hapjes do të ketë momente që do shënojnë këtë edicion dhe jemi në finalizimin e tyre.
KultPlus: Si e bëni përzgjedhjen e shfaqjeve që do të shfaqen në festival? Çfarë kriteresh përdorni për të siguruar një formacion të larmishëm dhe tërheqës?
Besim Ugzmajli: Programi i Festivali të Teatrove, bëhet përgjatë gjithë vitit, ndër kriteret kryesore është aktualiteti artistik e estetik i shfaqjes, sikurse ka shumë rëndësi edhe suksesi i shfaqjes që përzgjidhet. Gjithashtu rëndësi të madhe ka edhe diversiteti përmbajtësor i shfaqjeve, pra, shfaqjet duhet të sjellin një laramani zhanresh e stilesh, por edhe shprehjesh teatrore e intepretative.
KultPlus: Festivalet shpesh luajnë një rol në promovimin e shkëmbimit kulturor. Si kontribuon Festivali i Teatrove në nxitjen e mirëkuptimit dhe vlerësimit kulturor nëpërmjet teatrit?
Besim Ugzmajli: Koha e festivalit në Ferizaj është një festë e përgjithshme teatrore mbarëkombëtarë, pra është ngjarje e jashtëzakonshme teatrore dhe si e tillë ka ngjallur interesimin e vazhdueshëm të shikueseve por edhe kërshërinë e dëshirën për studim të arteve dramatike. Koha e Festivalit te Teatrove, padyshim që ndikon në promovimin e aktivitetit teatror dhe kontribuon drejtpërdrejt në shprehinë e konsumit kulturor në qytetarinë e përgjithshme.
KultPlus: Teatri ka fuqinë për të trajtuar çështje sociale dhe politike. A ka tema apo mesazhe specifike që synon të përcjellë festivali i sivjetmë?
Besim Ugzmajli: Patjetër, teatri duhet të jetë edhe politik, por mos të thënë se kjo është e domosdoshme dhe e nevojshme. Kemi shfaqje që padyshim që janë provokim i fuqishëm i temave tabu por edhe i çështjeve të ndryshme me rëndësi në aspektin social e politik.
KultPlus: Çfarë roli luan festivali në mbështetjen e rritjes dhe zhvillimit të skenës teatrore në Ferizaj dhe më gjerë?
Besim Ugzmajli: Teatri i Ferizajt dhe jeta teatrore në Ferizaj janë të lidhur pashkëputshëm me Festivalin e Teatrove, kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e përgjithshme të interesimit për teatrin.
KultPlus: Çfarë mesazhi apo eksperience shpresoni që të pranishmit të marrin nga festivali i këtij viti?
Besim Ugzmajli: Do të shohin një diversitet të madh të stileve, zhanreve por edhe përmbajtjeve si ide e koncepte, prandaj eksperiencat do të jenë të fuqishme në audiencë. Shpresojmë.
KultPlus: Si i balanconi aspektet artistike dhe komerciale të drejtimit të një festivali teatror? Si e siguroni financimin dhe sponsorizimin për ngjarjet tuaja? Duke pasur këtu parasysh Ministrinë e Kulturës.
Besim Ugzmajli: Aspekti komercial ka ende punë që të elaborohet si segment i rëndësishëm, sepse fokusi ynë është në përshfaqjen artistike e estetike përmes shfaqjeve tek audienca. Këtë vit kemi pasur mungesë të madhe financiare, por sigurisht që ia kemi dalë që ta ruajmë nivelin e Festivalit, madje edhe ta avancojmë ate. Mos-financimi nga MKRS këtë vit ka qenë problem jetik për organizmin e festivalit prandaj këto vështirësi do të jenë të paharrueshme për shumë kohë.
KultPlus: Cili është qëllimi kryesor që synoni ta arrini me Festivalin këtë vit?
Besim Ugzmajli: Ofrimi për qytetarët e Ferizajt por edhe të gjithë Kosovës e hapësirave shqiptare të një programi shumë kualitativ e përmbajtësor me shfaqje. Ta ngjallim diskutimin e debatin për Teatrin e Kulturën në përgjithësi, por, sigurisht edhe të festojmë teatrin si manifest i artit më të bukur skenik.
Edicioni i 53-të i festivalit do të zhvillohet nga 27 gushti deri më 4 shtator 2023, dhe do të jepen shumë shfaqje nga zhanre dhe stile të ndryshme.
Duke filluar nga “Gënjeshtari” me regji të Ilir Bokshit, e deri te “E Vërteta” me regji të Agon Myftarit, janë gjithsej 9 shfaqje në konkurrencë zyrtare, derisa shfaqja “Unë jam vetë grua” me regji të Kushtrim Koliqit, do të jetë jashtë konkurrencës. /KultPlus.com