19 Mars, 2025 - 1:31 pm
Shfaqja “Negotiating Peace” e Qendrës Multimedia do të jetë pjesë e programit të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Oslo. Shfaqja do të luhet më 20 mars nga ora 19:00 dhe më 21 mars nga ora 17:00 në Black Box Teater në Oslo.
Ky edicion i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Oslo mbahet nën temën “Rrënjët dhe Rikthimet: Teatri në Udhëkryqin e Perandorisë dhe Identitetit” dhe është i kuruar nga Mart Meos, Allan Kaldoja dhe Marius Ivaskevicius, ekipi që organizon Festivalin e Lirisë në Narva të Estonisë.
Pyetjet që lidhen me identitetin, lirinë, demokracinë dhe traumat kolektive e individuale karakterizojnë shfaqjet në programin e sivjetëm të festivalit. Këtë vit, festivali do të jetë nikoçir i artistëve e shfaqjeve nga Ukraina, Estonia, Bjellorusia, Kirgistani, Taxhikistani dhe Kosova. Të gjitha këto vende vende që kanë qenë – dhe në disa raste ende janë – nën regjime autoritare. Paralelisht, festivali do të ketë një program tematik me ligjërata dhe diskutime.
Një program i tërë që pikënisje ka shfaqjen tonë “Negotiating Peace” do të qendërzohet rreth Kosovës në këtë edicion të festivalit. Përpos shfaqjes, do të organizohet një bisedë ndërmjet Jeton Nezirajt dhe kritikes së teatrit Natasha Tripneyt, një lexim skenik i dramës “Citycide” të antropologes kosovare Eli Krasniqi, botuar nga Qendra Multimedia. Ky lexim do të përcillet me një bisedë me autoren si dhe një ndejë e quajtur “Mbrëmja e Kosovës”.
Krahas këtyre ngjarjeve, në këtë edicion të festivalit do të prezantohet edhe produksioni norvegjez i dramës “The Handke Project” të Jeton Nezirajt, me regji të Blerta Nezirajt, një produksion i Akademisë Norvegjeze të Teatrit (NTA) në bashkëpunim me Qendrën Multimedia që u dha premierë më 15 mars në Fredrikstad./KultPlus.com