24 Nëntor, 2018 - 4:30 pm
“If we cannot see the world, let the world speak of us” (“Nëse s’ mund ta shohim botën – bota le të flasë për ne”)!
Ky është mesazhi që Festivali i vetëm Ndërkombëtar i Teatrove “Prishtina International Theater Festival”, që organizohet nga Teatri AAB “Faruk Begolli”, synon të përcjellë përmes edicionit të tij të dytë që vjen nga datat 29 nëntor – 06 dhjetor 2018, në hapësirat e Kolegjit AAB.
Një nismë krejtësisht vetanake, me përkrahje tejet modeste të partnerëve të Teatrit AAB “Faruk Begolli”, në edicionin e tij të parë të mbajtur në tetor 2017, PITF solli në Kosovë aktorë e trupa artistike nga më të mirat, nga Irani, nga Bullgaria, Kroacia, Maqedonia, Shqipëria e Kosova.
Duke synuar që PITF të shndërrohet në brend të Kosovës, edicioni i dytë i këtij festivali mëton që të flitet për të kudo, prandaj “nëse ne nuk mund ta shohim botën – bota le të flasë për ne”.
Festivali PITF synon të na afrojë me botën, të promovojë vlerat tona dhe mbi të gjitha t’ i mundësojë publikut kosovar të njihet me rrjedhat bashkëkohore në lëminë e artit, në këtë kohë kur vazhdojmë të mbetemi të izoluar.
Në edicionin e dytë që nis nga e enjtja 29 nëntor 2018, në programin garues të PITF 2018 do të paraqiten 7 shfaqje teatrore që vijnë nga Italia, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia, Shqipëria e Kosova.
Në natën e fundit të festivalit, më 06 dhjetor 2018, do të jepet premierë shfaqja “Bretkosa”, një prodhim i Teatrit AAB “Faruk Begolli”, në cilësinë e shfaqjes mysafire, jashtë programit garues.
Krahas programit garues sa zgjatë festivali, çdo natë të festivalit do të ketë edhe program off në ambientet e Kolegjit AAB, ku vizitorët, komuniteti artistik e studentët do të mund të argëtohen e të shoqërohen mes vete, nën atmosferën e krijuar nga bende e këngëtarë të përzgjedhur me shije.
Festivali “Prishtina International Theater Festival” është një mundësi e mirë për të parë dhe shijuar gjëra të bukura që ndodhin edhe në Kosovë.
Ju mund ta ndiqni Festivalin PITF 2018, në hapësirat e Kolegjit AAB në Prishtinë.
Biletat e festivalit tashmë janë në shitje në Kolegjin AAB, ndërsa së shpejti ato do të mund t’ i gjeni edhe në pikat më frekuentuese në Prishtinë. /KultPlus.com