9 Dhjetor, 2024 - 2:54 pm
Isak Bilalli
Karriera e antikonformistit që influencoi jetën artistike në Kosovë.
Njerëzit që jetojnë në qytet, të kapluar nga rutina ditore dhe streset e përgjithshme shpeshherë e marrin të mirëqenë funksionimin dhe historikun e institucioneve kyçe, siç është teatri, por paraqitja e kësaj çështje nuk është thelbi i kësaj trajtese, sepse natyra njerëzore është e prirur të harrojë të bëj pyetjen bërthamë, kush ishin prijatarët dhe si u ndërtuan këto institucione.
Kjo është e theksuar tek të rinjtë por si dukuri prek të gjitha shtresat. Për me shumë, diskursi publik e ka të nevojshme rifreskimin e fakteve me qëllim përkujtimi dhe njohjen e historikut të teatrit respektivisht njohjen me ato figura që kontribuuan në ndërtimin e këtij tempulli të kulturës.
Çfarë duhet të dimë për teatrin respektivisht për nismëtarët që filluan të hedhin lopatat e para në themelet e këtij institucioni që funksionoi me mund e sakrifica dhe nuk u lëkund nga valët me të forta kur u sulmua nga armiqtë shekullorë dhe si i rezistoi shtrëngatave të kohës.
Krijimtaria artistike e Fetah Mehmetit zbërthen në vetëvete shumë pikëpyetje që ndërlidhen me historikun dhe konsolidimin e teatrit të qytetit, veprimtari e cila është zhvilluar në një kohë kur për teatrin ka patur pak artistë e krijues që kanë prodhuar art respektivisht nuk ka patur shfaqje për publikun.
Për rrjedhojë duhet kuptuar qe publiku i asaj kohe ka qenë jashtëzakonisht i etur për kulturë teatrale, kur dihet fakti që politikat e regjimit të Jugosllavisë së asaj kohe, kanë qenë diskriminuese për shqiptarët që ka nisur me shkallë gradacioni të pa-vërejtshëm duke përfunduar dalëngadalë me politika shfarosëse. Realisht janë njerëzit e artit, ata që e artikulojnë me zë e figurë në skenë brengën që e kanë njerëzit të cilët në njëfarë forme e kanë për detyrë të vetëdijesojnë popullin e tyre drejt një mobilizimi human për të mbrojtur dhe kultivuar vlerat që janë identikit kombëtarë.
Kjo gjendje e renduar e ka shtyrë të riun Fetah Mehmeti të zhytet në përsiatje për të bërë atë qe deri atë kohë nuk kishte arritur askush ta realizonte në rajonin e Anamoravës, të orientonte velat drejt mbrojtjes së vlerave kombëtare duke u përgatitur me shkollim superior në fushën e artit skenik.
Fillesat e rrugëtimit të tij nisen qysh në kohën kur ai ishte në shkollë të mesme, ambicie që në dukje të parë, kanë gjasuar utopike dhe të shterpëta marrë për bazë synimet e larta që kishte. Rrethanat e fund-viteve 60-ta, ishin në dis- favor të ambicieve të Fetahut për të dëshmuar talentin e tij për artin ndaj dhe u detyrua të fillojë punën si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe ne malësi te Kamenicës. Jo që nuk i pëlqente mësimdhënia, por zemra i rrihte për skenën ndaj dhe për më pak se dy vite pune, vendos të konkurrojë për aktor në teatrin e Shkupit.
Ky konkurrim ishte më shumë se guxim për dike që deri ditën që futet në audicion nuk i kishte shkelur këmba në një qytet metropol siç ishte Shkupi i asaj kohe. Kuptohet edhe konkurrenca duhet të ketë qenë sa e ashpër aq edhe mbytëse për Fetahun që pas shkollës se mesme kishte arritur të bëhej një mësues fshati që i mësonte fëmijët shkrim lexim, por kishte kurajon për tu sfiduar. Askush atëbotë, nuk ka pandehur se Fetahu i ri do të çante malin me një të goditur dhe do të pranohej si aktor i teatrit të Shkupit, kuptohet pa mbështetje dhe pa njohje me askë nga bota e artit apo nga strukturat vetëqeverisëse të atij shteti që quhej Jugosllavi.
Guximi i tij, ka bërë që të gjithë të pyesin:
Kush ishte vërtetë Fetah Mehmeti; çfarë mund të bëj dhe çfarë ka për të bërë i vetëm në industrinë e artit krejt i vetëm, pa mbështetje dhe pa resurse?
Pak njerëz e dinin që ai ishte një karakter i fortë që tundohej jashtëzakonisht shumë nga ideja për të realizuar mision të pamundshëm dhe ishte gjithmonë i hapur për sfidën e radhës.
Njësoj siç e pranoi sfidën që të realizonte ëndrrën e tij, ai e dinte që sfida e radhës ishte që të bëhej aktori më i mirë i Teatrit të Shkupit dhe kjo gjë sipas tij ishte e mundshme, gjë që koha e vërtetoi si shumë të saktë.
Fetah Mehmeti i njihte fare mirë kapacitet artistike që kishte dhe e dinte se kundrejt këtij potenciali nuk e fshehte ambicien për të kapur majat në industrinë e artit. Ai ishte, as me pak as me shumë një boem i lindur që dinte shumë mirë se çfarë bënte në zanatin e tij ndaj dhe që në fillesat e para si aktor e bindi publikun shkupjan dhe me gjerë që ai nuk ishte aksidental dhe as rastësor, por kishim të bënin me një artist të përmasave jo të zakonta për nga zotësia dhe kreativiteti skenik.
Fillim vitet e 70-ta e gjetën Fetahun me mëngë të përvjelura në shfaqje të ndryshme si aktor ku ju besuan role me peshë aspak të vogël, sepse regjisorët e kohës e dinin që ai atë që e premtonte, se do ta realizonte, e bënte në mënyrën më të mirë të mundshme.
Që në vitet e para, në këtë teatër, ai u angazhua në shumë shfaqje siç janë: “Dielli i mbrëmjes, “Dielli i mëngjesit”, “Miza në vesh”, “Skënderbeu“ etj, por ai ishte në kërkim të roleve më të vështira e më sfiduese që më vonë ia arriti të shfaqet me rol kryesor në shfaqjen “Ëndrra e një nate vere” e William Shakespeare, në të cilin megaprojekt të Teatrit te Shkupit ylli që shkëlqeu ishte Fetah Mehmeti. Në memoaret e të vëllait Ruzhdi Mehmeti qëndron akoma e freskët ndjesia triumfuese kur në përfundimin e shfaqjes, Fetahu ishte më i aplauduari që qëndroi me bis një kohë të gjatë në shenjë mirënjohjeje nga publiku në premierën e kësaj shfaqje. Një kujtim tjetër që i vëllai e mban është vlerësimi i kritikut te artit Vehap Shita, i cili për rolin e interpretuar të Fetahut në shfaqjen “Varret e pafajshme“ shprehet: “Fetah Mehmeti nuk luajti dhe as nuk aktroi në skenë, por thellë ne shpirt e përjetoi rolin dhe e bëri të qajë një sallë të tërë”. Ky ishte një vlerësim real i Z. V. Shita por njëlloj edhe njohës e kritik të tjerë nga Kosova e ndiqnin me kërshëri shfaqjet në Shkup, ku merrte pjesë gjeniu Kosovar të cilët mbusheshin me ndjenja krenarie e mburrje me performancat e tija të shkëlqyeshme.
Të arriturat, sukseset, triumfi i tij në një terren te vështirë, ku zhvilloheshin beteja peshkaqenësh në teatrin Republikan Maqedonas, nuk ishte ambicia e vërtetë e aktorit Gjilanas dhe për të kjo ishte fare e thjeshtë sepse ai synonte diçka më shumë dhe ky synim nuk ishte obskurik. Atë e mbante gjallë ideja dhe motivi pse kishte vajtur ne Teatrin e Kombësive jo për t’u akomoduar apo për të krijuar zonë komforti në një qytet metropolitan si Shkupi por ai nuk donte të jetonte i shkëputur me vendlindjen dhe qytetin ku ishte rritur, sepse ai dëshironte me çdo kusht të shkrinte potencialin e tij në Kosovë dhe në këtë mënyrë t’i jepte krah zhvillimeve kulturore e artistike në vendin e tij. Për ta ushqyer motivin fillestar se pse kishte shkuar ne Teatrin e Kombësive, ai filloi të ushtrojë funksionin e regjisorit të cilin e realizonte me kohë të pjesshme nëpër teatrot e Kosovës. Paralelisht me punën që realizonte ne Shkup, ai realizonte shfaqje sa ne Teatrin Krahinor në Prishtinë, po aq edhe ne Teatrin e Ferizajit, Gjakovës e Gjilanit, por duhet pranuar që zemra i rrihte fort për Gjilanin e për efekt ai realizoi shfaqjet si “Erveheja” në Gjilan, “Dervishi dhe vdekja” në Ferizaj, “Armiku i popullit” në Prishtine, dhe “Halili e Hajrija” në Gjakovë.
Potencialin dhe vullnetin që kishte nuk kishte forcë ta ndalonte apo t’ia ulte ritmin e punës edhe pse shpesh e zinte nata rrugëve për tu kthyer në Shkup për të realizuar këtë agjendë të ngjeshur profesionale. Ai aspak nuk e kishte problem që të ndalte veturën dhe të merrte një sy gjumë kudo që ndodhej dhe e bënte për të mbajtur parimin që të nesërmen do të ishte se s’bën në prova apo në plotësimin e zotimeve të dhëna.
Vështirë të gjendet një aktor a regjisor i përmasave afërsisht të njëjta që kishte gamë me të gjerë fushëveprimi, se sa Fetahu dhe të realizonte me aq përsosmëri çdo projekt që kishte në dorë.
Një nga momentet më kulmore të karrierës së këtij artisti të madh, janë vitet e bashkëpunimit ndërkulturorë që Teatri i Kombësive realizoi me Teatrin Popullore të Shqipërisë, në të cilën marrëdhënie, ai ndërtoi një raport kolegial e vëllazëror me aktorin, dramaturgun dhe një ndër regjisorët më të njohur shqiptar Kujtim Spahivoglin, i cili realizoi shfaqjen “Karnavalet e Korçës” në vitin 1972 me trupën teatrale të Shkupit. Dëshmitarët dëftojnë se kurrë nuk e kanë parë Fetahun më të gëzuar dhe më të lumtur se në kohen e realizimit te kësaj shfaqje, ndaj dhe pa frikë mund të thuhet se ai dhe Kujtim Spahivogli kuptoheshin pa folur fare, kur vinte në pyetje zgjidhja profesionale apo si duhet përcjellë mesazhi sa më fuqishëm tek publiku. Të dytë i bashkonte gjenialiteti dhe zelli për skenën ndaj dhe shumicën e kohës rrinin bashkë duke shkëmbyer njohuri e përvoja personale, për të cilën gjë Fetahu ishte mirënjohës deri në përgjërim për njohuritë e thella që i mësoi për punën me regjisorin Spahivogli. Takimi dhe bashkëpunimi me te ishte shtyse për Fetahun të fillonte të hapte kapitullin më të guximshëm të tij dhe të Teatrit të Gjilanit realizimin e shfaqjes “Gjenerali i ushtrisë se vdekur” në vitin 1976, shfaqje e cila shënon fillimin e epokës së vënies së gurthemelit të teatrit profesional ngaqë deri në atë kohe ishin venë në skenë disa shfaqje, por jo të nivelit profesional qe kërkohej. Roli i Fetahut si profesionist me angazhimet e tija në këtë teatër, mund të krahasohen sikur roli i prindit kur rrit foshnjën dhe fillon t’ia mësojë hapat e parë të ecjes dhe këtë gjë e ka bërë me Teatrin e Gjilanit, pa kursyer asgjë nga vetja. Për ta kuptuar më drejtë dhe më saktë misionin që kishte i ndjeri dhe si e realizoi, e rrugës është të hedhim një vështrim se i çfarë niveli profesional ishte dhe ku fshihej gjithë ky potencial për të realizuar misionin e themeltarit.
Fetah Mehmeti kishte një inteligjencë të frikshme, nuhatje jo të rëndomtë profesionale, zotësi të rrallë por para se gjithash ishte një njeri me një guxim të pashoq. Kolegë të shumtë e kanë cilësuar si artist rebel me një fantazi të shfrenuar. Pikërisht, guximi e bënte atë të ishte jo-konvencional dhe i pakompromis në shprehjen e lirisë individuale dhe të brengës kolektive. Në thelb, ai ishte stoik dhe gardian i mbrojtjes së lirisë si formë e shprehjes që askush nuk mund ta ndalojë, të paktën jo në skenë. Ishte dashnor i artit, paqes dashurisë dhe lumturisë që secili njeri meriton ta gëzojë, dhe për këto parime ishte i gatshëm të futet në çfarëdo beteje, me këdo dhe në çdo kohë. Ai ishte trim në përballje mes intelektualësh në argumentimin e së drejtës dhe mbrojtjen e këtyre idealeve e për rrjedhoje nuk njihte aspak se çfarë është frika.
Meqë ai asnjëherë nuk mendonte dhe nuk ishte njëlloj si njerëzit e zakonshëm, e kishte të zhvilluar në masë të theksuar kreativitetin por, më shumë ka spikatur tek ai mendimi kritik lidhur me zhvillimet politike e kulturore të krimbura.
Antikonformizmi i tij është shprehur hapur përmes metaforës, krahasimit e rebelimit që e ka realizuar në skenë duke përçuar mesazhe të forta si regjisor por edhe si aktor pothuajse ka bërë të njëjtën gjë. Ai në skenë ka ditur shumë mirë të shpreh indinjatën dhe kundërshtitë që kishte me zhvillimet e mbrapshta të regjimit. Fetahu nuk ka folur shumë me njerëz. Ai ka zhvilluar luftë sistemike në raport me fenomenet shoqërore të dëmshme dhe këtë procesim e ka shoqëruar me heshtje, nën shoqërimin me një gote raki dhe cigare. Ai, në skenë ka reaguar furishëm dhe nuk ka lejuar asnjëherë të bëhen gjerat shkel e shko për t’i thënë të keqes stop ashtu si e meriton.
Ai ka ditur t’i thyej klishetë dhe të ec i vetëm në gjetjen e shtigjeve alternative që rrallkush ka arritur t’i shkel apo të guxojë të shtegtojë rrugëtim të ngjashëm. Kontributi i këtij mjeshtri të madh të skenës ishte i tejçmuar deri në fillim vitet e ‘80-ta në themelimin dhe konsolidimin institucional të Teatrit të Gjilanit, sepse pas kësaj periudhe Fetah Mehmeti vazhdon karrierën profesionale në Akademinë e Arteve në Beograd si bursant në specializimin e regjisurës së filmit.
Kjo periudhë paraqet një epokë të re profesionale që ai synonte të ndërtonte një karrierë të re për të plotësuar në një far forme zbrazëtirën që e kishte Kosova në fushën e kinematografisë respektivisht mungesën që kishte Televizioni i Prishtinës për regjisor filmi.
Motivi i tij bazë ishte të vihej në shërbim të artit e kulturës në Kosovë kundrejt ekspertizës që posedonte sepse ai para se gjithash ishte njohës tejet i mirë i kulturës dhe gjuhëve sllave por nuk dëshironte te kontribuonte asnjë sekondë në avancimin profesional në vendin dhe për vendin, ku specializohej por preferonte që gjithçka që mësonte e dinte ta sillte në vendin e tij mëmë.
Ai e ndjente që vendi i tij kishte më shumë nevojë për të ndaj dhe gjatë 5 vjeçarit që studionte, vinte me vrap në Prishtine sapo përfundonte obligimet protokollare në Beograd. Ai kurrë nuk harronte objektivin kryesor kur pranonte një sfidë dhe asnjëherë nuk e humbte rrugën siç mund të kenë bërë kolegë të tij, sepse ai me të marrë një zotim të ri nuk lejonte të ndikohej apo të joshej me të mirat materiale apo benefitet që vinin gjatë këtij rrugëtimi. Siç bëri më Shkupin ashtu bëri me Beogradin, mori njohuritë që i duheshin për të aplikuar këto njohuri në zhvillimin kulturor në vendin e tij.
Z. Mehmeti kishte dyert e hapura në Televizionin e Prishtinës dhe u mirëprit krahëhapur si një ekspert që iu rezervua vendi në krye të tavolinës dhe, ky autoritet ishte i bazuar në respekt dhe konsiderata për punën që ai bënte. Duhet të potencohet se edhe gjatë kohës sa ishte në Beograd, një pjesë dërmuese e kalonte më projekte filmike që i realizonte në Prishtinë si në filma të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë. Ky lundrim e bëri Fetahun të ishte anëtarë permanent i shtëpisë se TVP-së ndaj dhe për një shumicë ai kishte kohë që bënte punën e regjisorit vetëm se nuk ishte në listë rroge.
Fetahu ishte një nga regjisorët e parë në Kosovë që lansoi realizimin dhe transmetimin e dramës televizive që deri në atë kohë nuk ishte e aplikueshme e që filloi me pas të aplikohej në masë të madhe edhe pse kjo është një disiplinë shumë e vështirë të përfshihen të gjithë elementet që syri i kamerës nuk arrin të kap sa kap syri i njeriut.
TVP-ja dhe kinematografia Kosovare kishte filluar të lëngonte nga mungesa e fondeve dhe diskriminimit që vinte nga Beogradi ne mënyrë të vazhdueshme, periudhë e cila u pasua edhe me proceset diferencimeve ideopolitike, proces të cilin Fetahu po e kapërdinte me shumë vështirësi. Mbase mund të jetë kjo një nga arsyet se pse ai pësoi hemorragji cerebrale dhe bashkë me familjen e tij emigroi për Suedi me arsyen primare trajtimi mjekësorë.
Jeta në Suedi dhe trajtimi mjekësorë ishte shumë i ngadaltë aq sa ishte gërryes dhe i papërballueshëm fati i vendit te tij qe me avashllëk po futej në luftë direkte, shqetësim që e qoi dalëngadalë deri në shuarje.
Fetah Mehmeti, mbetet një nga aktorët e regjisorët që dhuroi kontribut të jashtëzakonshëm për teatrin e Gjilanit por kontributi i tij është i shtrire në kohë dhe hapësirë në të gjithë Kosovën./ KultPlus.com