30 Nëntor, 2018 - 1:57 pm
Alberina Haxhijaj
Në Institutin Albanologjikë sot është diskutuar për “Teatrin, mes artit dhe politikës”.
Ky diskutim është bërë në kuadër të konferencës e cila nisi dhe e cila në fokus të saj ka teatrin, ndikimin e politikës në kulturën teatrore nacionale dhe në identitetin e saj si dhe autonominë krijuese, estetikën teatrore dhe politikat administrative.
Të pranishmit në këtë konferencë patën rastin që të diskutojnë më shumë në lidhje me zhvillimet e teatrit por edhe të dëgjojnë kumtesat nga profesorët Mentor Zymberaj e Drita Begolli, kritiku dhe shkrimtari Reshat Sahitaj e të tjerë.
Drejtoresha e përgjithshme e konferencës, Elmaze Nura, regjisore teatri dhe profesoreshë e regjisë së teatrit në Fakultetin e Arteve- UP, u shpreh se të gjitha diskutimet brenda kësaj konference do të shërbejnë që të mblidhen sa më shumë konkluzione dhe rekomandime të cilat do t’i kontribuojnë Ministrisë së Kulturës për të hartuar dokumentacionet relevante në lidhje me teatrin.
“Kjo konferencë ka për qëllim që të shndërrohet në një mekanizëm të fortë lobues në favor të artistëve tanë”, theksoi Nura.
Ajo po ashtu tregoi se nga dy sesionet që do të mbahen sot do të dalin rekomandime të cilat do i adresohen Ministrisë së Kulturës për tu marrë në konsideratë në lëvizjet që bëhen për teatrin si në rrafshin administrativ ashtu edhe në atë buxhetor.
Dekani i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës, Agim Selimi, theksoi se teatri ekziston për artin dhe është vendi ku bëhet arti mirëpo sipas tij politika nuk mund të përjashtohet nga teatri. Për të politika mund të jetë pjesë e artit atëherë kur krijohen politika zhvillimore dhe jo atëherë kur arti krijon politikë.
“Shpeshherë jemi mësuar të themi se teatri është i politizuar. Unë mendoj se teatri kryesisht është i klanizuar dhe jo i politizuar. E them këtë sepse klanet e ndryshme mundohen që të gllabërojnë hapësirat e ndryshme krijuese. Mendoj se teatri nuk mund të bëhet vetëm në Teatrin Kombëtar dhe ky është një koncept i gabuar. Teatri duhet njëherë që të krijohet atje ku është burimi, nëpër qytete të ndryshme në mënyrë që ne në të ardhmen të krijojmë një Teatër Kombëtar të mirëfilltë”, përfundoi ai.
Përkrahje për teatrot e qyteteve dha edhe Ministria e Kulturës. Drejtori i departamentit ligjor, njëkohësisht ushtruesi i detyrës në departamentin e kulturës në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Feim Hoxha u shpreh se kjo konferencë ndihmon në hartimin e politikave më të mira në fushën e teatrit dhe në avancimin e kornizës ligjore.
“Ministria e Kulturës është shumë e përkushtuar që të rregullojë aspektin ligjor dhe konsideroj që edhe kjo konferencë do kontribuojë në këtë. Prandaj, pres nga të gjithë ju që të jepni mendimet e juaja në lidhje me avancimin e kornizës ligjore dhe ligjin për teatrot që në fund të kemi një ligj sa më të mirë dhe që do gjejë zbatim e që do ndikojë në ngritjen e kualitetit dhe performancës në Teatrin Kombëtar të Kosovës por edhe në teatrot e qyteteve tjera”, u shpreh ai.
Hoxha po ashtu tregoi se është duke u punuar në hartimin e Projektligjit për Teatër dhe të gjitha problematikat janë duke u shqyrtuar në mënyrë që të ketë një legjislacion sa më funksional. / KultPlus.com