3 Nëntor, 2020 - 5:58 pm
Xhemile Hysenaj
Para pak ditësh, në Teatrin Kombëtar të Kosovës kanë filluar provat e monodramës së shkrimtarit Ag Apolloni, ‘Stefani, historia e një koleksionisti të syve’, monodramë kjo që do të realizohet nën regjinë e Ben Apollonit.
Shfaqja që rrëfen për Stefanin, një koleksionit të syve nga luftrat e viteve 90-ta në Ballkan, është shkruar qysh në vitin 2003 dhe deri tash ka qenë e botuar edhe në disa gjuhë të huaja, mirëpo më parë nuk është shfaqur në asnjë teatër, pasi siç tregon regjisori Apolloni, teatrot tonë nuk janë të hapur për dramaurgjinë shqipe, prandaj edhe duhen vite e dekada për të gjetur rrugën për në skenë dramat tonë. ‘Është paradoksale që teatrot shqiptarë janë të mbyllur ndaj dramës shqipe, por është e vërtetë’, ka theksuar ai për KultPlus.
‘Krijimtaria ime ka ndryshuar përgjatë dy dekadave, por kjo monodramë është si qerrja e Thespis-it me të cilën ia kam mësyrë letërsisë. Këtë dramë që flet për krimet në Kosovë dhe Bosnje, disa e kanë lidhur edhe me Mesjetën, saktësisht me figurën e mizorit Stefan Nemanja’, ka shkruar Ag Apolloni për monodramën.
Monodrama është mjaft e vështirë për t’u realizuar, dhe si e tillë, barra që bie mbi aktorin e që në këtë monodramë luan Agron Shala, është tejet e madhe. Prandaj, sipas Apollonit edhe procesi i realizimit mund të marrë pak më shumë kohë. ‘Unë kam punuar edhe njëherë monodramë dhe e di që kërkon një trajtim të veçantë, prandaj, po punojmë ngadalë por besoj që po punojmë mirë’, ka deklaruar tutje regjisori për KultPlus.
Shfaqja, premiera e së cilës pritet dikur në dhjetor të këtij vitit, është shfaqje produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës, e cila njëherit është edhe bashkëpunimi i parë i regjisorit Apolloni me këtë teatër.
Ndërkaq, siç ka treguar tutje regjisori, monodrama ka gjasë të udhëtojë edhe jashtë vendit nëse tejkalohet pandemia Covid19.
‘Është vepër e vështirë për t’u inskenuar, por edhe shumë e bukur. Pavarësisht se autori ka qenë shumë i ri, student, kur e ka shkruar këtë monodramë, është ndër veprat më të bukura të shkruara në shqip për teatër por që lirisht mund të them se edhe është vepër që tejkalon kufinjtë nacional. Mendoj se shfaqja do të provokojë goxha shumë’, ka deklaruar Apolloni për KultPlus. / KultPlus.com