13 Gusht, 2018 - 11:35 pm
Në moshën 92-vjeçare, regjisori vizionar nuk e ka ndërmend të ndalet. Ai flet për mënyrën se si ta hesht publikun, për problemin për ta inskenuar Shekspirin në frëngjisht, për dallimin në mes të Olivierit dhe Gielgudit, dhe për atë se pse Teatri i epokës elizabetiane do të na trondiste sot.
Intervistën e realizuar një vit më parë për ditoren Guardian, me gazetarin dhe kritikun e njohur të artit, Michael Billington, Telegrafi ua sjell më poshtë.
Gjashtëdhjetë e pesë vjet më parë, Kenneth Tynan i njohu cilësitë e të riut Peter Brook, si “të pushuara, me kureshtje dhe saktësi mendore – plus, natyrisht, me dhunti që nuk mësohet”. Tani, si 92 vjeç, Brook mund të ecën më ngadalë se më parë, por këto dhunti i ka ende me bollëk. Ai është si gjithmonë i zënë, me një libër të ri plot aforizma të mençura, “Tip of the Tongue” (Maja e gjuhës), dhe një projekt të ri për teatër, “The Prisoner” (I burgosuri), që do të jepet në Paris vitin tjetër.
Kur e takuam në Londër, ishte në rikthimin e shfaqjes “Follies” të Stephen Sondheimit në Teatrin Kombëtar, të cilin ai e quan “një nga mjuziklët më të mëdhenj që kam parë ndonjëherë – një kombinim i përsosur i emocioneve të prekshme dhe spektaklit shndritës”. Për ata që mendojnë për Brookun si një lloj murgu teatral, i dedikuar për hapësira të zbrazëta dhe rreptësi të rafinuar, ngazëllimi i tij me “Follies” mund duket tronditës. Por, karriera e hershme e Brookut përqafoi gjithçka, që nga Shekspiri, komedia e bulevardeve, deri te opera dhe mjuziklët. Ai bëri regjinë e shfaqjes “Irma La Douce” në West End dhe “Harold Arlen’s House of Flowers” në Broadway. Teksa një brez i ri mund të mos jetë i vetëdijshëm për llojllojshmërinë e karrierës së Brookut, ai kurrë nuk i ka harruar rrënjët e tij.
Takohemi pak pas vdekjes së mikut të tij të vjetër, Peter Hall.
“Një nga cilësitë më të mëdha të Peterit,” thotë ai, “ishte sharmi – dhe kjo ishte diçka që pashë në dy figurat tani të harruara të teatrit britanik, që e formësuan jetën time. Njëri ishte Sir Barry Jackson, një zotëri fin, i vjetër anglez, i cili vinte nga një biznes i mbarështimit të qumështit në Midlands, që themeloi ‘Birmingham Rep’-in (teatër – v.j.) dhe merr përsipër teatrin e Stratfordit, ku më kërkoi të bëja regjinë për ‘Love’s Labour’s Lost’ kur isha veç 21 vjeç. Në mënyrën e tij , ishte një revolucionar.”
“Ndikimi tjetër i madh ishte producenti i West End-it, Binkie Beaumont, që kishte atë gjënë misterioze, të quajtur shije. Nëse Binkie dëshironte që unë të ndryshoja disa detaje të ndriçimit, të kostumit apo të dizajnit, ai do të më thërriste dhe do të më thoshte: ‘E sheh, apo jo?’, në mënyrën që nuk mund të debatoje. Të gjitha këto figura kishin një sharm që në teatër arrin shumë më tepër se gënjeshtra ose ngacmimi.”
Nëse kjo është një cilësi që Brooku e njeh, kjo do të thotë se ai e posedon atë. Por, preokupimi aktual i tij ka të bëjë ndonjëherë me dallimet e papajtueshme midis gjuhës franceze dhe angleze. Duke pasë parasysh se Parisi është qyteti i tij i banimit që nga viti 1971, qëkur e themeloi Qendrën Ndërkombëtare për Hulumtime të Teatrit, ai është subjekti që domosdoshmërisht u bë ekspert i kësaj.
A e bëjnë dallimet mes dy gjuhëve, praktikisht të pamundur përkthimin e Shekspirit në frëngjisht?
“Jo të pamundur, por sigurisht shumë të vështirë. Merrni një frazë të njohur nga Makbethi, ‘Light thickens’ (përkthim literal, ‘Dita po trashet’ – v.j.). Mund ta ktheni në frëngjisht, siç bëri Ariane Mnouchkine me ‘La lumière s’epaissit’. Por, mendja e trajnuar karteziane franceze nuk është në gjendje të përballet me palogjikën e mendimit. Një aktor britanik do të shijojë çdo rrokje të një vargu shekspirian, ndërkohë që një aktor francez do të shkojë deri në fund të një fjalie apo një fjalimi me një ritëm shtytës: gjëja që ju nuk i thoni kurrë një aktori francez është: ‘Merre veten’! Një përkthyes me të cilin kam punuar e që i kapërcen këto pengesa është Jean-Claude Carrière. Ai ka aftësinë të japë idenë themelore në vend të fjalëve të sakta, gjuha e të cilave e ka qartësinë e një burimi të ujërave të ëmbla.”
Brook kupton se çfarë i ndan kulturat. Siç thotë në librin e tij, “nëse në anglisht flasim fjalë, francezët flasin mendime”.
Megjithatë, ai gjithashtu sheh faktorë të përbashkët, veçanërisht në kërkimin universal të aktorëve për të thënë më shumë për veten.
“Nëse do të transportoheshim përsëri në teatrin elizabetian,” thotë ai, “mendoj se do të tronditeshim nga ashpërsia dhe vrazhdësia e asaj që do të shihnim. Gjatë shekujve kishte kërkime për aktrimin më të mirë, por, kur unë fillova, teatri ishte ende vend i artificiales. Ishte epoka e dizajnit të madh nga njerëzit si Oliver Messel dhe Cecil Beaton, nga paruket e mëdha dhe grimi i rëndë. Ajo që shohim tash, pjesërisht për shkak të ndikimit të kamerës dhe skenave më të vogla, është heqja e shtresave të pretendimeve, derisa personaliteti i aktorit të bëhet më i dukshëm.”
Kjo mund të jetë e vërtetë, por nuk është diçka që humbi – mbi të gjitha, kënaqësia në imitim?
“Ju ashiqare duhet të përshtatni thellësinë e brendshme me aftësitë e jashtme, por unë mendoj përsëri te disa nga aktorët me të cilët kam punuar. Me Olivierin nuk kishte asgjë që nuk mund të bënte si aktor, përveçse të arrinte te burimet më të thella të vetë njerëzores. Gielgudi, për dallim, kishte pak nga dhuntitë e Oliverit për imitimin, por zemra e mirë, e pastër dhe e ndjeshme e vetë njeriut ishte gjithmonë atje. Scofield gjithashtu kishte të njëjtën dhunti për zbulimin e vetes së tij të brendshme.”
E shoh veten duke e vënë në dyshim argumentin e Brookut. Unë mund ta mendoj një performancë të veçantë të Olivierit, ku i ballafaquar nga ekstremet e vuajtjes njerëzore dukej se zhytej në shpirtin e tij për të thirr klithmat e dëshpërimit monumental. Shfaqja ishte “Titus Andronicus”, në Stratford, në vitin 1955. Regjisori? Kush tjetër pos vetë Brooku.
Duke pasë parasysh besimin e Brookut për të vepruar si një formë e vetë-zbulesës, jam i interesuar të di se si ndihet për kastën gjinore të aktorëve.
“Do t’i përgjigjem kësaj,” thotë Brook, “duke treguar se si kam punuar vazhdimisht, që nga viti 1971, për të thyer të gjitha stereotipat racore me kastën e aktorëve, jo duke deklaruar qëllimin po me praktikat e përditshme. Mendoj se e njëjta vlen edhe për çështjet e gjinisë. Ju mund t’i ndryshoni gjërat jo duke predikuar, por duke punuar – ose, siç më thoshin kur punova në Gjermani, ‘veç hip në kalin tënd’.”
“Do të shtoja se, meqë burrat kanë shfrytëzuar dhe abuzuar gratë për shekuj, duhet të mbështesim çdo lëvizje që përpiqet të ndreq padrejtësitë e historisë. A e keni parë Glenda Jacksonin si Mbretin Lir? Unë kam parë disa çaste të saj në ekran, por ajo që më preku ishte se Glenda nuk bëri asnjë përpjekje për të imituar mashkulloren, por thjesht i solli cilësitë e saj unike për rolin, në një mënyrën që tejkalonte gjininë.”
Ndoshta deklarata më rezonante në librin e ri të Brookut ka të bëjë me ndikimin e performancës live.
“Çdo formë teatri,” shkruan ai, “ka diçka të përbashkët me një vizitë tek mjeku. Kur dalin duhet të ndihen më mirë se kur shkonin.”
Por, si ‘më mirë’? Fizikisht, shpirtërisht, moralisht?
“Unë mendoj se kjo rrjedh nga ndjenja e përgjegjësisë së artistit tek publiku,” thotë ai. “Njerëzit ju kanë besuar për dy orë ose më shumë dhe ju duhet t’ua jepni atyre një respekt që rrjedh nga besimi në atë që bëni. Në fund të mbrëmjes, mund ta nxitni atë që është e ashpër, e dhunshme dhe shkatërruese te ta. Ose, mund t’i ndihmoni. Me këtë dua të them se një audiencë mund të preket, përmbushet ose – mbi të gjitha – lëviz me heshtjen që vibron rreth teatrit.”
“Ju mundeni, natyrisht, të inkurajoni publikun për të marrë pjesë përmes gëzimit, siç ndodhi te ‘Follies’. Por, unë u preka nga fakti se si e bëmë në mbarë botën turneun e ‘Battelfield’ – bazuar te epika indiane ‘Mahabharata’, që merret me ndikimin apokaliptik të një lufte të madhe – “e ku në netët e mira ishte momenti i heshtjes pickuese që na bënte me dije se kemi arritur te publiku.”
Por, teatri nuk ekziston në boshllëk. Brook ka mbijetuar më shumë kriza ndërkombëtare sesa shumica prej nesh. Ai kurrë nuk është tunduar të dorëzohet nga tmerri në botën e mbushur me kërcënime bërthamore, me fatkeqësi mjedisore dhe dështime politike, deri te Trumpi e Brexit-i? Ai përgjigjet duke folur gjerësisht rreth filozofisë hindu të Yugas, në të cilën historia botërore kalon nëpër cikle, nga një epokë e artë te një errësirë në të cilën gjithçka është kaos dhe trazirë. Çështja është se rrota rrotullohet dhe njerëzimi ripërtërin veten.
Gjithçka është mirë në afat të gjatë, por, ndërkohë, si mund të mbijetojmë?
“Ne notojmë kundër valës,” thotë Brooku, “dhe arrijmë çdo gjë që mundemi në fushën tonë të zgjedhur. Fati ka diktuar që fusha ime është ajo e teatrit dhe, brenda kësaj, kam përgjegjësinë që të jem sa më pozitiv dhe kreativ që mundem. T’i dorëzohesh dëshpërimit është të shmangesh nga përgjegjësia.”
Kjo duket filozofia e distiluar e një regjisori që mrekullisht ende ruan kureshtjen që Tynan e veçoi kohë më parë./KultPlus.com