12 Mars, 2018 - 2:54 pm
Në Teatrin Kombëtar në Tiranë, tashmë kanë nis provat për inskenimin e tekstit të Tim Kelly “Frankeshtajn”, shkruan KultPlus.
Ky tekst që sjellë në skenën e teatrit të Tiranës, gjithsej tetë personazhe do të inskenohet nga regjisori kosovar Ilir Bokshi.
“Është interesante se në kulturën popullore emri i cili pasqyron monstrën është Frankenshtajn, dhe shumë ndoshta nuk e dinë se Frankenshtajn është vet shkencëtari e jo monstra. Megjithatë, janë disa që do të thonë se Frankenshtajni, për shkak të pikëpamjes së tij morale dhe asaj që ai ka arritur të krijojë, është po aq monstër sa krijesa që ai ka krijuar”, thuhet në fillim të sinopsisit të kësaj shfaqje.
“Frankeshtajn”, vjen nën lojën e aktorëve Helidon Fino, Besmir Bitraku, Yllka Mujo, Klea Huta, Erjona Kakeli, Gent, Hazizi, Lulzim Zeqja dhe Niada Saliasi.
“E dramatizuar nga romani i Mary Shelley nga Tim Kelly, ky adaptim qëndron i veçuar nga dhjetëra adaptime të tjera filmike dhe skenike, sepse ndërkohë që i qëndron më së miri besnik romanit origjinal, vepra gjithashtu bie në një zhanër plotësisht të dalluar, ku komikja dhe tragjikja janë të ndërthurura mjeshtërisht dhe munden që në mënyrë shumë fleksible të paraqiten si njësi në vete apo si një dyshe e bashkuar. Viktor Frankenshtajn është një njeri i konsumuar nga shkenca dhe biologjia, pasioni jetësor i të cilit ka qenë të zbuloj shkakun e jetës apo e të dhënit jetë. Pas përpjekjeve dhe eksperimenteve të vazhdueshme, ai më në fund zbulon një rrugë të kthej në jetë indet e njeriut të vdekur. Më shkurt, ai vije në gjendje të krijoj jetë duke qepur së bashku një koleksion makabër pjesësh trupore të njeriut dhe duke përdorur procesin e tij special, ai ka sjellë në jetë një krijesë të ndërtuar nga pjesë trupore njerëzish, por akoma jo tamam njerëzor”, është thelbi i shfaqjes.
Ekipi tjetër që do ta përbëjë këtë shfaqje është: Skenografia: Petrit Bakalli, Kostumet: Vesa Kraja, Kompozitor: Art Lokaj, Asistente regjie: Algiona Agaj.
Shfaqja pritet të dalë me premierë në muajin prill në Teatrin Kombëtar në Tiranë./ KultPlus.com