19 Tetor, 2017 - 3:02 pm
Kanë mbetur edhe 7 ditë deri në përfundim të ultimatumit që Aktorët Rezident të Teatrit Kombëtar të Kosovës i kanë dhënë Ministrisë së Kulturës së Republikës së Kosovës, për plotësimin e kërkesës së tyre që është ngritja e pagës bazë, shkruan KultPlus.
Kësisoj përgjatë këtyre ditëve aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, morën shumë mesazhe përmes rrjeteve sociale nga kolegët e tyre dhe jo vetëm, të cilët u dolën në krah duke arsyetuar kërkesën që po bëjnë.
Martin Kocovski-regjisor teatri, Vlora Nikci-aktore, Rebeka Qena-aktore, Besart Sllamniku-aktor, Zana Hoxha Krasniqi-regjisore, Blerta Deliu-deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Iliriana Loxha Basha-kostumografe, Arbana Xharra-ish-gazetare, Lendita Zeqiraj-regjisore, Kushtrim Hoxha-aktor, Shkumbin Istrefi-aktor, Blerta Zeqiri-regjisore, Labinot Raci-aktor, janë disa nga emrat që mbështesin grevën e aktorëve deri në plotësimin e kushteve që po kërkojnë.
“Nuk jam i punësuar në Teatrin Kombëtar, por jam aktor dhe e kuptoj dhe e mbështes fuqimisht kërkesën e aktorëve të TKK-së, për rritjen e pagave. Dhe jo vetëm të TKK-së por të të gjithë aktorëve të punësuar në Teatrot e Kosovës”, ka shkruar Shkumbin Istrefi në rrjetin e tij social.
Regjisori i teatrit Martin Kocovski, ka shkruar se i përkrah kolegët e tij, aktorët nga Kosova.
“Pagat nuk duhet të jenë vetëm për jetesën bazike, ato duhet të jenë si motivim për përmirësimin kreativ i cili pastaj bëhet edhe progres kolektiv për të gjithë aktorët”, ka shkruar ndër të tjera Kocovski, një ndër regjisorët e huaj që ka punuar me këtë trupë të Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Aktori kosovar tashmë me famë ndërkombëtare Kushtrim Hoxha, përpos mbështetjes së tij, ai ka thirrur institucionet shtetërore që të kenë pak dinjitet për punëtorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
“Është e turpshme që aktorët tanë marrin pagat e një nëpunësi të thjeshtë të administratës”, ka shkruar Lendita Zeqiraj.
Ndërsa deputetja e PDK-së, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Blerta Deliu ka thënë që si deputete do të angazhohet në amandamentimin e Ligjit të Teatrit dhe të Rregullores për Gradimin dhe Pagat e Krijuesve dhe Performuesve të Kulturës dhe të Punonjësve profesional të Trashëgimisë Kulturore.
KultPlus, ua rikujton se aktorët i kanë dhënë ultimatum deri të enjten e javës që vjen MKRS-së, për plotësimin e kërkesave të tyre, nga ana tjetër, nëse këto kërkesa nuk plotësohen atëherë ata kanë paralajmëruar përshkallëzim të situatës dhe bllokim total të repertorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com