Gazetarja ruse inspirim për regjisoren shqiptare Valbona Xibri, e sjell shfaqjen “Zërat e Anës” në Itali

1 Nëntor, 2021 - 1:45 pm

Shfaqja teatrale “Zërat e Anës” e realizuar nga regjisorja shqiptare, Valbona Xibri do të shfaqet në teatrin e Breshia-s, më datën 9 nëntor.

“Zërat e Anës” është një performancë teatrale për monoaktore dhe frymëzohet nga jeta e gazetares ruse, Anna Politkovskaja, e vrarë më 7 tetor 2006, në Moskë.

Regjisorja Valbona Xibri vite më parë e ka realizuar dhe shfaqjen “Burrnesha”, të cilën e shfaqi nëpër vende të ndryshme të botës, por edhe në Prishtinë në kuadër të “Femart”.

Në shfaqjen e radhës “Zërat e Anës”, puna e saj bazohet në një studim të gjatë të personazhit si person dhe gazetare, e konsideruar fajtore vetëm për faktin që përpiqet  t’i tregojë botës të vërtetën për krimet në Çeçeni, shkeljen e të drejtave të njeriut në Rusi, abuzimet me pushtetin dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e shoqërisë.

“U ndjeva shumë e intriguar nga kontrastet e një gruaje kaq të ditur, të bukur, interesante dhe të dhembshur, si dhe nga guximi i saj i jashtëzakonshëm për të kërkuar të vërtetën me çdo kusht.

Duke mbledhur sa më shumë material, tentoj të ndërtojë një vepër që funksionon si  mozaik pjesësh që përbëjnë historinë personale të një gruaje të fortë, por dhe të brishtë; të një bije, nëne dhe gruaje  që nuk do jetojë mjaft për t’u bërë gjyshe.

Serioziteti i paparë, këmbëngulja, por edhe prirja natyrale për të ndihmuar më të dobëtit, janë të gjitha tipare që të bëjnë të mendosh Anën si  një person të veçante. Objektiv i saj i vetëm ishte të përshkruante besnikërisht realitetin”, thotë Xibri.

Këto të vërteta do ta shndërrojnë atë nga një kroniste e distancuar në një gazetare të përfshirë në aspektin emocional e që i drejton vetes pyetje etike.

Ajo nuk ndihej një heroinë as kur kalonte orë të tëra në të ftohtë, duke u sjellë ujë pengjeve të teatrit të Dubrovkës në Moskë, as kur pësoi tentativë helmimi në avionin që po e çonte në Beslan për të ndjekur sekuestrimin e shkollës, as kur ajo u mor në pyetje me dorë të rëndë nga ushtria ruse dhe u privua nga sendet personale.

Ndihej thjesht një person që kishte pasur fatin të zgjidhte një profesion dhe donte ta bënte mirë deri në fund. Performanca tregon Anën nga afër, nëpërmjet ngjarjesh reale dhe të imagjinuara. Trajton kryesisht botën e saj të brendshme, të padukshmen, dhe në skenat e shkurtra që pasojnë njëra-tjetrën rikthehen ngjarjet më të rëndësishme të jetës së saj: fëmijëria, pasioni për poezitë e Marina Cvetaevës, të cilat ajo i lexon shpesh në momente të vështira dhe madje edhe nën bomba, fundi i një martese, fëmijët, puna, arrestimi, Beslani, helmimi, qeni i saj Van Gogh,  copëza e tokës ku ëndërron të prodhojë perime bio për të bijën shtatzënë, një bebe që mezi po e pret. Mbesa e saj, që do t’i takojë të rritet pa gjyshen.

Shfaqja ndërtohet mbi tekste të shkurtra, këngë live dhe projeksione video dhe fotografi. Në skenën e zbrazët, të ndriçuar nga dritat që nxjerrin në pah në mënyrë thelbësore dhe të qartë gjendjen shpirtërore te personazhit, lind portreti i një gruaje të fortë dhe të indinjuar, të vendosur, por edhe të lodhur, lozonjare dhe ironike, e pambrojtur dhe këmbëngulëse, e pakorruptueshme dhe aspak indiferente ndaj dhimbjes të të tjerëve. Ajo nuk është e vetme në skenë:  rrethohet me tinguj dhe figura, gjashtë thasë me të cilët ndërvepron dhe krijon atmosferë, një fjongo të kuqe të gjatë që merr  kuptim të ri në çdo skenë, por mbi të gjitha e rrethon veten me emocione.

Unë besoj se çdo kënd e kuptojmë më mirë kur mishërohet në skenë, kur bëhet real dhe njerëzor, ironik dhe pasionant, vezullues, ëndërrimtar dhe rebel. Një personazh fillojmë ta kuptojmë kur shohim dhe dëgjojmë se si sillet në jetën e përditshme, kur e shohim të vërtetë duke kërcyer apo qeshur. E qeshura e saj ushton ende në kokën time.

Vetëm atëherë realizojmë se sa shumë e donte jetën dhe vazhdojmë të pyesim veten pse disa njerëz nuk janë në gjendje të ndalojnë në vend që të vazhdojnë të ecin drejt vdekjes. Vjen një moment kur kupton se ajo që mbetet përgjithmonë është shpirti, një mesazh, një energji që na lidh dhe me të cilën mund të ndryshojmë diçka.

“Zërat e Anës”, në regjinë e Valbona Xibrit, do të luhet nga aktorja që luajti dhe shfaqjen “Burrnesha”, Marina Ivashchenko. KultPlus.com

Të ngjajshme