1 Shkurt, 2018 - 9:16 am
Teatri Kombëtar i Kosovës ka vendosur që aktori Armend Baloku të gjobitet me 444 euro.
Ky është vendimi që ka marrë drejtori i përgjithshëm i TKK-së, Agim Sopi, pasi Baloku në shenjë proteste nuk ka marrë pjesë në reprizën e shfaqjes “Bordel Ballkan” të martën mbrëma. Pas mungesës së tij, institucioni është detyruar ta anulojë dhënien e shfaqjes.
Vendimi i drejtorit Agim Sopi i është dërguar Ministrisë së Kulturës të mërkurën. Ky veprim i Sopit bazohet në Rregulloren për stimulimin dhe përgjegjësitë e ansamblit rezident të TKK-së. Por gjoba është e papranueshme për aktorin Baloku dhe sipas tij, drejtori i përgjithshëm, Agim Sopi, dhe udhëheqësi artistik Agon Myftari nuk janë njerëz të denjë për ta udhëhequr Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Drejtori Agim Sopi ka thënë se në bazë të Rregullores, aktori që nuk vjen në reprizë të shfaqjes pa arsye detyrohet të paguajë gjysmën e biletave, në rastin e dytë, të gjitha biletat dhe në rastin e tretë i ndërpritet kontrata e punës. “Pasi salla e TKK-së ka 296 karrige, Baloku do t’i paguajë gjysmën e biletave, që i bie për 148 karrige nga tri euro, që i bie 444 euro”, ka thënë Sopi, shkruan KohaDitore./ KultPlus.com