23 Mars, 2025 - 6:30 pm
Era Berisha
“Jeta është një kalim, bota është një teatër: njeriu hyn, shikon dhe del”, është një nga thëniet e njohura të filozofit të njohur, Demokriti. Dhe, njeriu së shpejti do të hyjë në teatër e do të shikojë një nga shfaqjet më interesante të krijuara ndonjëherë. Bëhet fjalë për shfaqjen “God bless America” me tekst dhe regji nga Fatos Berisha e cila së shpejti do të epet premierë në Teatrin e Gjilanit.
Shfaqja është një parabolë dramatike që flet për katër shitës të Biblës që udhëtojnë derë më derë nëpër tërë Amerikën duke lëvizur nëpër ëndrrën kapitaliste, duke takuar njerëzit e margjinave të shoqërisë moderne bashkëkohore, të cilëve tentojnë t’u shesin Biblën përmes ‘ëndrrës Amerikane’. Drama është inspiruar nga dokumentari ‘Salesman’ i viteve ’60, i cili paraqet realitetet e ashpra të jetës së shitësve. Ata merren me refuzimin, rraskapitjen emocionale dhe barrën e detyrimit për të nxitur vazhdimisht shitjet në një industri që shpesh është indiferente ndaj betejave të tyre personale. Ne i shohim ata duke u përpjekur të plotësojnë kuotat e tyre dhe të përballojnë bukën, gjë që jep një ndjenjë tensioni dhe urgjence.
Ndërsa tekstin e shfaqjes “God bless America”, regjisori Berisha e ka shkruar në kohën e pandemisë, i dëshpëruar me gjithçka që ndodhte në atë kohë dhe i inspiruar nga ‘Shitësit’. Por, ajo që i ka bërë përshtypje më së shumti ka qenë se si bibla trajtohej si çdo mall tjetër dhe shitja e atij malli ishte punë me të cilën ata njerëz mbijetonin, apo thënë ndryshe, tentonin të arrijnë mirëqenien.
“God bless America”, ky titull ngjall ndjenjën e kërkimit të pamëshirshëm të mbijetesës dhe ngarkesën emocionale të përpjekjes për të siguruar jetesën në rrethana të vështira, njësoj si shitësit në dokumentar. Brenda shfaqjes pritet të shpalosen përpjekjet përfundimtare të bëra kur gjithçka duket e humbur, ndërsa koha kur teksti është shkruar na flet për izolimin dhe pasigurinë që përcaktoi pandeminë. Pra, shfaqja do të simbolizojë pasqyrimin e thellësisë dhe qëndrueshmërisë emocionale. Shikuesi do të hyjë në vështrimin e thellë dhe personale të vetë individëve. Ata do të shohin shpresat, zhgënjimet dhe pasiguritë e tyre. Në një farë mënyre, shfaqja vjen si kritikë ndaj kapitalizmit dhe konsumizmit amerikan. Fusha e shitësve bazohet jo vetëm në cilësinë e produktit, por edhe në shfrytëzimin e cenueshmërisë së familjeve që vizitojnë, duke përdorur apele emocionale dhe taktika presioni për të arritur shitjen.
“Edhe pse ngjarja e filmit ishte e vendosur në vitet 60-të, mendoj që epoka e konsumerizmit është në pikun e saj në kohën të cilën po e jetojmë, andaj më është dukur temë e përshtatshme për ta trajtuar në teatër”, ka thënë Berisha në një intervistë për KultPlus.
Brenda shfaqjes, trajtohen raportet mes katër personazheve dhe tentimet e shitjes nëpër shtëpitë e njerëzve të shtresave, kryesisht, të varfëra. Nëpërmjet këtij relacioni shpresohet të kuptohet tërë xhungla e mbijetesës, ashpërsisë dhe presionit të papërballueshëm për sukses brenda ‘ëndrrës amerikane’ që është sinonim i botës së konsumerizmit në këtë rast.
“Është hera e parë që si regjisor e punoj një tekst timin. Kjo, mund të tingëllon paradoks, por më solli në vështirësi që nuk kam hasur në punët e mëparshme. Duke mos pasur distancën e duhur ndaj tekstit, kam tentuar të jem sa më ‘i ashpër’ dhe më ‘i pamëshirshëm’ ndaj tekstit, në kuptimin që kam qenë i hapur edhe me ekipin e aktorëve dhe bashkëpunëtorëve për të zhvilluar tekstin dhe në tentim të ngritjes së shfaqjes përtej tekstit”, ka thënë Berisha për KultPlus.
Sipas tij, frymëzuar nga filmi dokumentar që përcjellë fatin dhe jetën e njerëzve të vërtetë dhe ngjarjeve të vërteta, ku personazhet mbijetojnë duke shituar biblat, regjisori Berisha ka tentuar të ndërtoj një tekst dramatik, një parabolë skenike që flet për individin në shoqërinë konsumeriste, në një xhungël mbijetese ku nuk ka asgjë të shenjtë dhe e shenjta është mall, e ku përfitimi financiar përcakton pozitën shoqërore dhe sociale.
Shfaqja më e re “God bless America”, (“Zoti e bekoftë Amerikën”) do të epet premierë në Teatrin e Gjilanit. Provat kanë filluar qysh më 25 shkurt dhe premiera pritet të jetë në javën e parë të prillit.
“Ka disa vite që kam pranuar ftesë nga Teatri i Gjilanit për të punuar shfaqje, dhe ishim në komunikim me drejtorin Erson Zymberi për të përzgjedhur tekstin. Në fund propozova dy tekste, njëri nga ta ishte ‘God bless America’ dhe bordi i teatrit e zgjodhi pikërisht atë. Sinqerisht isha i befasuar. Ndërsa sfidat janë ato të zakonshmet, në fakt janë vetëm sfida artistike të brendshme, ndërsa procesi deri tani ka rrjedhë pa sfida dhe pa ndonjë problem. Kemi një atmosferë të mirë në një ekip të madh ku janë gjithë aktorët e trupës së Gjilanit”, thotë Berisha.
Kasta e aktorëve është si vijon: Avni Shkodra në rolin e Lepurit, Gani Rrahmani në rolin e Dhelprës, Kushtrim Qerimi në rolin e Demit dhe Ali Demi në rolin e Arushës. Këta janë katër shitësit që në rrugëtimin e tyre takojnë edhe aktorët apo personazhet tjerë. E ata janë: Aurita Agushi, Alban Shahiqi, Mejreme Berisha, Tringa Hasani, Safete Mustafa, Bashkim Nexhipi, Artan Selimi dhe Florent Salihu.
Kompozitori është Memli Kelmendi, koreograf Robert Nuha, skenograf Bekim Korça dhe kostumografe Leudita Hyseni. Asistente e regjisë është Emine Toska ndërsa dramaturg Shkelzen Berisha.
Fotografitë: Bajrush Ahmeti/ KultPlus.com