9 Gusht, 2023 - 1:15 pm
Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” përfaqëson për të parën herë Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës “To the stars” në Varna, Bullgari, me monodramën “Gruaja e thyer” me regji të Endri Çela dhe interpertimin e Adriana Tolka.
Festivali Ndërkombëtar i Monodramës “To the Stars” u mbajt nga 3-9 gusht në Qendrën e Festivalit dhe Kongresit në qytetin port të Varnës, organizuar nga Fondacioni Osnova-Ta.
Ky festival u zhvillua nën kujdesin e zëvendëspresidentes Iliana Iotova. Edicioni i 11-të i këtij festivali prezantoi monoperformancën kolektive të Marius Kurkinskit “Marius 50”, monoperformancën e Zdrava Kamenovës “The Hit of the Season”, me regji të Elitsa Yovcheva, “Our Yunus”, Monodramë nga Turqia, “Gruaja e thyer” nga Shqipëria, “Arka – Box” nga Kosova etj.
Festivali gjithashtu ishte dhe një takim dhe diskutim për herë të parë mes psikoanalistëve, mjekëve, artistëve, kulturologëve, muzikantëve, shkrimtarëve, gazetarëve. Festivali Ndërkombëtar i Monodramës është themeluar nga aktori Marius Donkin në vitin 2006, i cili është qytetar nderi i Sofjes dhe Varnës, i cili tashmë ka pritur njëmbëdhjetë edicione të veprimtarisë.
Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, u prezantua në këtë festival me monodramën “Gruaja e thyer” bazuar në veprën e Simone De Beauvoir, me regji të Endi Çela dhe interpretimin e aktores Adriana Tolka.
Shfaqja u duartrokit gjatë nga të pranishmit dhe mori vlerësime shumë pozitive nga personalitete të fushës si regjisori dhe aktori Thierry Harcourt ( i ftuar special i festivalit) dhe veçanërisht dhe nga Drejtori i festivalit, Marius Donkin, i cili e ftoi shfaqjen në edicionin e radhës të këtij festival, i cili do të zhvillohet në shkurt 2024 në Sofje.
Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” mori gjithashtu ftesë nga festivali ndërkombëtar i teatrit “Scene at the Crossroads”, që do të zhvillohet në muajin shtator 2024 në Plovdiv, Bullgari, festival i cili ka tashmë 24 vite që organizohet në skenën e teatrit më të hershëm në Bullgari.atsh./KultPlus.com