27 Prill, 2025 - 4:21 pm
“Hamleti në fshatin Katran” titullohet premiera që po shfaqet gjatë fundjavës në skenën e teatrit të Gjirokastrës.
Premiera me regji të Erjon Hinajt sjell për artdashësit interpretimin e trupës së teatrit “Zihni Sako” të këtij qyteti, me pjesëmarrjen e aktorit të mirënjohur Bujar Asqeriu.
Subjekti i pjesës së autorit kroat Ivan Bresha zhvillohet në një fshat të humbur, në një vend nën regjimin totalitar komunist, ndërsa tentohet të vihet në skenë një pjesë teatri. Për ironi të fatit, personazhet gjatë shfaqjes përjetojnë situata sa komike, aq edhe dramatike.
“Vepra vjen si një mesazh i fortë për të gjithë ne, që gjëja më e çmuar e një kombi është ruajtja e individit, vlerat e njeriut. Dhe këtë duhet ta mbrojë çdo njeri që është në pushtet, si edhe çdo njeri që është në funksione shumë herë më të thjeshta në popull. Të drejtat e njeriut janë një nga themelet e popujve të Perëndimit. Kështu që pjesa përcjell lirinë, të drejtën e të folurit, dhe mbi të gjitha, integritetin dhe protestën ndaj gjërave të padrejta”, thotë regjisroi Erjon Hinaj.
“Shpresoj që publiku të ketë parë dhe të ketë marrë mesazhet e veprës, por unë ndihem pak i emocionuar sepse sot ishte një shfaqje masive, dhe kishte shumë kohë që në teatrin e Gjirokastrës nuk vendosej një shfaqje e tillë”, thotë aktori Aleksandër Kondi.
Një vlerë e shtuar artistike në këtë shfaqje ishte pjesëmarrja e aktorit të njohur të skenës dhe ekranit, Bujar Asqeriu.
“Unë kam bindjen e plotë që shfaqja do të ndiqet nga publiku gjirokastrit, sepse është një publik i mençur, i ditur dhe e kupton shumë mirë mesazhin e kësaj vepre. Për Gjirokastrën unë kam dobësinë time, sepse im atë është nga ky qytet dhe erdha me kënaqësi të luaj këtu”, thotë aktori Bujar Asqeriu.
Tashmë, skena artistike e teatrit në Gjirokastër mirëpret shfaqje të interpretuara nga trupa shqiptare dhe të huaja, që ndiqen me interes nga artdashësit./euronews/ KultPlus.com