Hapet edicioni i tetë i Prishtina International Theater Festival – Teatro nga e gjitha bota vinë në Prishtinë

20 Maj, 2024 - 1:57 pm

Sot është mbajtur konferenca për shtyp e shfaqjes së parë “Muhammad Ali, the one and only” nga Bosnje e Hercegovina, që do të hap edicionin e sivjetmë të Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha” – PITF 2024.

Në konferencë morën pjesë: drejtoresha artistike e festivalit Doruntina Alshiqi, koordinatorja e festivalit Valentina Cenaj, regjisori i shfaqjes Dino Mustafić, aktorët Vedrana Božinović, Ermin Sijamija dhe Dino Bajrović.

Alshiqi, iu uroi mirëseardhje ekipit nga Bosnje e Hercegovina, duke shtuar se përmes këtij festivali edhe në edicionin e tetë tentohet që ekipet teatrale nga shumë vende të botës të sjellin në Kosovë shfaqjet e tyre më të mira.

Regjisori i shfaqjes “Muhammad Ali, the one and only “ Dino Mustafić, u shpreh i lumtur për pjesëmarrjen në festival. Ai në emër të Teatrit Kombëtar të Sarajevës, përshëndeti të pranishmit ndërsa shtoi se shfaqja duhet të mbetet suprizë, por e rëndësishme është që përmbajtja e saj flet për lidhjen mes babait dhe fëmijës, familjes dhe dashurisë.

Aktorët Vedrana Božinović, Ermin Sijamija dhe Dino Bajrović folën për pjesët e tyre në këtë shfaqje, duke thënë se presin që publiku ta shijoj shfaqjen, kurse sa i përket çmimit u shprehën se do të ishte i mirëpritur.

Shfaqja “Muhammad Ali, the one and only” do të luhet sonte në Teatrin AAB “Faruk Begolli”, nga ora 20:00./ KultPlus.com

Të ngjajshme