15 Nëntor, 2021 - 2:51 pm
Uranik Emini
Drama “Aroma e Hënës”, me tre akte dhe epilog, pjesa e fundit e trilogjisë “Hëna prej Letre” e autorit Mehmet Kraja, do të ketë premierën e saj nesër në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.
Një dramë provokatore e ditëve tona, filozofike dhe surrealiste e cila ngre teza të fuqishme ekzistenciale dhe social-politike e politiko-mediale.
Regjisorja nga Shqipëria, Rozi Kostani, në një prononcim për KultPlus ka rrëfyer pjesë nga shfaqja “Aroma e Hënës” një ditë përpara premierës së madhe.
E pyetur mbi pjesën se si erdhi deri te bashkëpunimi mes Tetarit Kombëtar, Kostani u shpreh se kur vjen një propozim i cili e intrigon apo e ngacmon teksti, atëherë e bind atë për të punuar rreth projektit.
“Pjesa e fundit trilogjisë së Mehmet Krajës, ishte ngacmuese për mua sepse jo vetëm mundesh të flasësh për lirinë individuale në raport me botën por ajo përshkallëzohet në një liri dimensionale, dhe duke qenë kështu ti provokohesh dhe mund të thuash të fshehtat e tua”, tha ajo për KultPlus.
Tutje, Kostani tregon se si drama flet për një vdekje të empatisë njerëzore, gati një gjendje amogu shpirtëror dhe sigurisht kjo vepër është politiko-mediale, prek politikën, prek socialen, prek shpirtëroren, mendoren e të gjitha të bashkuara që përfaqësojnë njeriun në shoqëri, apo e identifikojnë atë.
Sa i përket kastës së aktoreve, Kostani deklaron se nuk kishte njohuri për të gjithë ata, mirëpo përmes audicioneve ka bërë edhe përzgjedhjen e tyre.
“Kam ndjekur një parim të regjisorit Peter Brooku. Në këtë fshatin tonë të madh ne bëjmë teatër, nuk e kam për ambicie monetare, e bëj punën për pasion, ambicie profesionale, dhe e kam kthyer listën mbrapshtë. Audicioni ka qenë shumë interesant dhe meqenëse dikush ka punuar është këtu në skenë”, theksoi ajo.
Shfaqja në fjalë do të ketë katër repriza në Teatrin Kombëtar të Kosovës këtë muaj, 16 17 19 dhe 30 nëntor, dhe pastaj rikthehet në dhjetor. Në vitin e ardhshëm, kjo shfaqje pritet që të paraqitet edhe në Teatrin Kombëtar të Shqipërisë.
Regjisorja nga Shqipëria thotë se duhet të krijohet një bashkëpunim më i madh mes Kosovës dhe Shqipërisë kur vjen puna te veprat teatrale.
“Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkëpunojnë së bashku jo vetëm në formë të letrave e llafeve, por me punë dhe vepra. Të fillojmë t’i qasemi gjërave, por ku vjen puna për të bërë gjëra konkrete që vlejnë”.
Një ditë përpara premierës të kësaj pjese teatrale, ekipi i “Aroma e Hënës” ka bërë një publikim të trailerit, për të cilin foli edhe Rozi Kostani.
“E kam si parim të punës të bëjë një trailer, jo për të dhënë gjithçka se çfarë do të shfaqet. Por në një mënyrë ngacmimi, për të menduar. Teatri është një medium që i bënë njerëzit të mendojnë e jo të argëtojnë. Nuk jemi cirk, edhe në cirk madje ka një mendim e derisa ne të shkojmë drejtë një teatri të angazhuar, unë trailerin e përdori për të provokuar shikuesin”.
Protagonisti kryesor i kësaj shfaqje, Ismet Azemi, njihet me nofkën “Prokulsakati” që identifikohet si njëri prej pronarëve të një gazete në Kosovë, që synim kryesor ka mbijetesën dhe luftën për vendin e vetë.
Aktori tregon se puna në këtë shfaqje ka qenë shumë e vështirë dhe madje kanë punuar shumë ditë për të shfaqur në mënyrë sa më profesionale vetën e tyre.
“Sot së bashku me asistentin e regjisores, Lirim Behluli, bëmë një llogaritje se sa punë kemi bërë deri tani, që i bie diku rreth 50 ditë. I gjitha ekipi kemi pasur një punë të madhe, jemi të përzgjedhurit e regjisores, Rozi Kostanit, e të gjithë kishim një përkushtim të madh me një bashkëpunim shumë kolegial, shumë njerëzor, të natyrshëm nga të gjitha anët”, ka thënë ai.
I pyetur për bashkëpunimin me Rozi Kostanin, Azemi thotë se e ka njohur edhe më parë regjisoren, por një bashkëpunimi i tillë ka qenë kënaqësi e madhe për të.
“Domethënë ka qenë një bashkëpunim shumë i vyer do të thoja, por edhe mbingarkesë për arsye se në rrethanat në të cilit ishim nuk janë ato të cilat plotësojnë të gjitha kërkesat e një pune me të cilat ne jemi zotuar që të punojmë. Shpresoj që ky bashkëpunim që kemi bërë të rezultojë me sukses dhe të jetë komunikativ me audiencën, të cilët kanë shpreh dëshirën që të vijnë dhe të komunikojnë me neve”.
Protagonistët e “Aromës së Hënës” kanë paralajmëruar për një konferencë, të zakonshme përpara premierës, në të cilën ka qenë e pranishme vetëm KultPlus, gjë për të cilën Azemi ndjehet shumë keq.
“Për aq sa unë di për teatrin, unë mendoj se kam bindje të thellë se është institucioni më i lartë kulturor në një vend. Ne shqiptarët e kemi një shkamb me tri kambë, dhe unë mendoj që ajo këmba në shpinë nga kurrizi është institucion i teatrit, kultura, identetiti dhe unë mendoj që këtë pjesë nuk jemi duke e ruajtur aspak, prandaj jemi në kurriz të shpinës. Vetë fakti që ne e gjitha ekipa përgatiteshim që të dilni në media përpara gjithë portaleve, mediave televizive, këtu u paraqitet vetëm ju (KultPlus) dhe ne themi se çka po ndodhë këtu, a jemi në teatër apo ku jemi ne. A jemi në teatër apo jo?”.
Në fund, ai e lidh këtë ngjarje me dramën të cilën do ta jap premierën ditën e martë. “ Kjo dramë trajton pikërisht këtë problem, gjitha ngjarjet që kanë ndodhur në këtë vend ti prapë ia vënë një pikëpyetje vetes, kush jemi ne? Pse jemi ne? Gjithmonë ekziston ajo pikëpyetja se kush është ky vend, kah duhet të shkojmë ne dhe kjo është një shqetësim shumë i madh kolektiv të cilin duhet, nëse ka mendje të ndritura në këtë vend, duhet të afrohen dhe ta shohim se është një komb që ka një kulturë dhe lashtësi shumë të lashtë, ta varrosim në këtë mënyrë, ta hedhim në këtë mënyrë, unë mendoj që është varfëri e madhe dhe është shqetësim i madh, është vrastare, tragjike, nuk di se si ta quaj këtë situatë, flas me zemër për këtë aspekt”, përfundoi ai.
“Përmbysjet e mëdha sjellin ndryshimin”, është mesazhi që pritet të përcjellët nga kjo dramë e përgatitur maksimalisht nga gjithë aktorët pjesëmarrës.
Shfaqja do të jepet në ora 20:00, në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar./KultPlus.com