20 Tetor, 2018 - 2:56 pm
Alberina Haxhijaj
Mbrëmë në Teatrin ODA është dhënë premiera e shfaqjes “Hipokritët ose pacienti anglez”nga Jeton Neziraj dhe me regji të Blerta Neziraj dhe Agon Myftari.
Premiera e kësaj shfaqje shënoi edhe hapjen e edicionit të parë të Showcase-it të organizuar nga Qendra Multimedia, shkruan KultPlus.
Për tri ditë, 19-21 tetor, në Prishtinë në kuadër të këtij “showcase” do të bëhen së bashku artdashës të teatrit, letërsisë dhe kulturës në Kosovës si dhe rreth 30 mysafirë të huaj si selektorë festivalesh, kritikë, gazetarë, shkrimtarë e regjisorë të cilët do të vijnë nga vende të ndryshme të botës.
Artë Retkoceri nga Qendra Multimedia tregoi për KultPlus se qëllimi i sjelljes së shfaqjeve në këtë format është që skena vendore të promovohet sa më shumë. Sipas saj realizmi i një projekti të tillë do të nxisë miqësi të reja dhe bashkëpunime të cilat do të ndihmojnë në promovimin e teatrit kosovar në botë por jo vetëm të tij pasi në kuadër të këtij organizimi do të ketë edhe diskutime, si dhe një mbrëmje muzikore e letrare.
“Ideja ka qenë me ftu njerëz të cilët merren me kulturë, art dhe me teatër sidomos që me ardhë me i pa këto shfaqje edhe kjo më sjellë edhe bashkëpunim të mëtutjeshëm. Në këtë rast kemi ftuar edhe mysafirë të cilët do të marrin pjesë dhe do kenë mundësi që të sjellin idetë e tyre dhe të lidhin edhe bashkëpunim e të bëjnë shkëmbime edhe me qendra të tjera por edhe me vendet ku organizohen projekte të këtilla”, tha ajo duke shtuar se synimi i Qendrës Multimedia është që çdo vit të organizojë nga një “showcase” të tillë.
Fillimi i këtij “Showcase” erdhi përmes komedisë “Hipokritët ose pacienti anglez”. Në komedinë “Hipokritët ose pacienti anglez”, 6 personazhet na tregojnë me shumë humor, për qendrat e masazheve në Ballkan, ku praktikohet ‘happy-end’-i (eufemizëm për masturbimin), për transplantin ilegal të veshkave e për operacionet mashtruese të stentave të zemrës – krejt këto, nën hijen e punimeve intenzive për ndërtimin e ‘autoudhës së paqes ballkanase’. Në “Hipokritët…” publiku sheh anën ‘pornografike’ të një shoqërie e cila është duke praktikuar një happy-end kolektiv…
Komedia “Hipokritët ose pacienti anglez” merret me sistemin shëndetësor i cili, i zënë në kurthin e kapitalizmit e të politikave neoliberale, është shndërruar në njërën prej gangrenave kryesore të shoqërive bashkëkohore në Ballkan, dhe jo vetëm. Shfaqja është realizuar nga dy regjisorë, Agon Myftari e Blerta Neziraj. Myftari tregoi për KultPlus se kjo shfaqje tematikisht lidhet rreth shëndetësisë dhe korrupsionit në shëndetësi, një tekst të cilin ai e ka ndjerë si obligim që ta vë në jetë pasi njerëzit duhet që të vetëdijesohen për problemet të cilat ekzistojnë në sistemin e shëndetësisë, veçanërisht në Kosovë.
“Mendoj që është një pikë që duhet të trajtohet dhe për të cilën duhet të flasim. Unë si regjisor e trajtoj përmes teatrit pasi që kjo është gjuha ime dhe kjo është arma. Kjo shfaqje ka pasqyrim të realitetit por në anën tjetër ka edhe nëse mundem me e quajtë një thirrje e cila në mënyrë shumë pesimiste kryhet, një thirrje për një revolucion për të përmirësuar gjendjen e shëndetësisë e cila akoma pa përfunduar shfaqja veç shuhet tu thonë e bëmë nesër, pastaj pasnesër, e kështu me radhë”, u shpreh ai.
Drama përfundon me shkatërrimin e çdo gjëje dhe mbulim të “gjurmëve të krimeve” me ndërtime të reja, në këtë rast me”Autostradën për Paqe” dhe kjo ka shërbyer edhe si një nxitje për regjisorët që shfaqja vizualisht dhe estetikisht të ndërtohet me shumë elemente të ndërtimtarisë të cilat hasen edhe në përditshmërinë në Kosovë, tregoi regjisori Myftari.
Aktorja Ilire Vinca, e cila në këtë shfaqje luajti rolin e udhëheqëses së Qendrës së Masazhit, tregoi për KultPlus se kjo ka qenë hera e parë që ajo ka punuar me një tekst nga dramaturgu Jeton Neziraj.
“Ka qenë një rol vërtetë krejt ndryshe prej roleve që i kam realizuar deri tani. Fillimisht e kemi parë vetëm një pjesë të draftit por temën e shfaqjes e kam ditur që në fillim. Mendoj që është mirë kur kemi shfaqjet të cilat i prekin temat aktuale e që ndoshta shkojnë edhe përtej tyre e që vijnë me një ton edhe të komedisë së errët duke lënë mundësi shumë të madhe të komentimit dhe interpretimit”, u shpreh ajo.
Përveç Ilire Vincës në këtë shfaqje vijnë edhe Bajrush Mjaku, Dukagjin Podrimaj, Shpëtim Selmani, Ernest Malazogu, Daniela Markaj ndërsa muzikant ishte Art Lokaj. Këtu mund të gjeni më shumë informata në lidhje me programin si dhe shfaqjen e cila do të jepet sonte. / KultPlus.com