“Histori vjeshte”, produksioni i Teatrit Bylis në skenën e “Eksperimentalit”

6 Shkurt, 2025 - 2:00 pm

Drama lirike “Histori vjeshte” e dramaturgut të njohur Aleksei Arbuzov, u vu mbrëmë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, me regji të Armand Borës.

Historia zhvillohet në një qendër pushimi e cila drejtohet nga doktor Rodioni. Me një prej pushuesve të qendrës së tij, doktori kalon disa situata konfliktuale dhe komike që vijnë si rezultat i karakterit dhe shpirtit të lirë të Lidias. Ajo nuk bindet me rregullat strikte të qendrës së pushimit duke i sjellë probleme doktorit.

Në debatet mes tyre, personazhet rrëfejnë historitë e jetës dhe kuptojnë se mes tyre ka ngjashmëri. Fundi i bashkon të dy personazhet pas disa peripecish që e bëjnë befasues fundin e shfaqjes.

Shfaqja është produksion i Teatrit “Bylis” dhe vjen me interpretimin e Albana Koçajt, Klajdi Markut, Anri Celibashit dhe Hateme Rruzhdijas.

“Histori vjeshte” do të shfaqet edhe sot e nesër (6 dhe 7 shkurt) tek ArTurbina./ KultPlus.com

Të ngjajshme