3 Gusht, 2018 - 6:14 pm
Studiuesi Erald Kapri ka publikuar një histori të pa treguar më parë rreth Teatrit Kombëtar. Ai ka bërë të njohur faktin se britanikët kishin refuzuar urdhrin e Mehmet Shehut për të bombarduar qendrën historike të Tiranës në 1944 në luftën përballë gjermanëve.
Kapri shkruan:
Kjo është një histori e patreguar për Teatrin Kombëtar.
Në betejën e Tiranës, Mehmet Shehu e rrethoi kryeqytetin me 3 mijë forca partizane dhe për 3 javë u zhvilluan luftime në periferi të saj. Pranë tij ishte Majori Britanik Oliver i cili koordinonte sulmet ajrore dhe për 10 ditë, mbi 240 bomba u hodhën nga aviacioni britanik, nga Sauku në Vlorë.
Forcat gjermane nuk e lëshonin qendrën e Tiranës dhe i frustruar nga pamundësia e marrjes së qendrës së saj, Mehmet Shehu kërkon bombardimin e zonës historike të Tiranës. Shtabi gjerman ndodhej tek pallati i Princeshave, trupat e tjera mbanin ministritë dhe Bulevardin.
Majori Britanik e refuzoi dhe nuk pranoi të bombardojë qendrën e Tiranës, duke shpëtuar me vetëdije zonën historike të Tiranës. Mëngjesin e datës 17 nëntor 1944, kur gjermanët ishin tërhequr, Majori Oliver bëri këtë foto të qendrës së Tiranës në tarracën e Hotel Dajtit.
Edhe pse luftimet ishin të ashpra, ajo nuk u prek dhe Teatri, në të djathtë të fotos, nuk ka asnjë shenjë plumbi dhe u ruajt në gjendje optimale. Kjo histori duhet të na shërbejë për të vlerësuar ato që kemi, dhe Teatri Kombëtar është një ndër to, që duhet “konservuar” dhe ruajtur me fanatizëm./KultPlus.com