27 Mars, 2020 - 5:58 pm
Sot në Ditën Botërore të Teatrit, KultPlus ju sjell historikun e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Teatri Kombëtar i Kosovës u themelua në Prizren në vitin 1946 dhe ishte teatri i parë profesional në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore, në fillim u quajt ‘Teatri popullor krahinor’ dhe ishte i vendosur në qendrën sportive ‘Partizani’.
Thuhet se ky objekt ka pasur një skenë shumë të vogël dhe nuk permbushte kërkesat bazike për një vend i cili do te mund te përdorej si një teatër. Themeluesit e teatrit të parë profesional në Kosovë ishin Pavle Vugrinac, Milan and Cica Petrovic te cilët mblodhën aktorë te rinjë të talentuar me dëshirë për të punuar për teatrin dhe emëruan Shefqet Musliun si drejtor gjeneral te atij institucioni.
Themelet e shfaqjeve të ndryshme teatrale të sistematizuara dhe të regjistruara pranë enteve zyrtare gjenden në Prizren ku në vitin 1946 teatri lokal u ngritë në nivel rajonal e më vonë në teatër popullor në nivel krahinorë. Ky ishte institucioni i parë në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore nga i cili më vonë do të krijohet teatri profesionist. Shumë shpejt, disa muaj pas themelimit, ky teatër u transferua në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë.
Shfaqjet e para të këtij teatri janë punuar kryesisht nga artistët amatorë, entuziastë e idealistë të talentuar, të ndihmuar nga artistët profesionistë nga hapësirat tjera të ish-Jugosllavisë, ndërkohë që, në vitet ’60, ansambli i tij pasurohet me kuadro të reja profesioniste.
Deri në vitin 1989 ky teatër i ka realizuar mbi 400 premiera me rreth 10.000 repriza, të cilat në Kosovë dhe në hapësirat e ndryshme të ish Jugosllavisë janë përcjellë nga mbi 3.200.000 spektatorë. Repertori i këtij teatri është ndërtuar mbi tekstet e shumta të dramaturgjisë kombëtare, botërore dhe ish jugosllave.
Shfaqjet e këtij teatri, të cilat janë prezantuar nëpër festivale të ndryshme me krakter kombëtar dhe ndërkombëtar në ish Jugosllavi, janë vlerësuar me tone të larta nga kritika e atëhershme dhe janë nderuar me çmime të ndryshme artistike.
Kështu, p.sh., në vitin 1967, shfaqja “Erveheja” e regjisorit Muharrem Qena është nderuar me Çmimin e Regjisë më të Mirë në Festivalin e Dramës Jugosllave “Sterijino Pozorje”. Krahas shfaqjeve në gjuhën shqipe, në këtë teatër janë realizuar edhe shfaqje në gjuhën serbe. Bukur shpesh, sidomos pas vitit 1981 e këndej, ky teatër ka vepruar nën presion të rëndë politik nga sistemi dhe regjimi komunist jugosllav.
Në vitin 1990, regjimi serb i Slobodan Milosheviqit, e ka vënë këtë teatër nën administrim të dhunshëm, duke i dëbuar nga teatri shumë nga artistët shqiptarë dhe duke vënë kontroll totalitar mbi krijimtarinë artistike të këtij teatri. Gjatë kësaj periudhe, në një sistem shkollor universitar paralel të krijuar në kushtet e rezistencës aktive paqësore kundër regjimit totalitar serb, nëpër shtëpitë – shkolla u krijuan shumë nga kuadrot artistike, të cilat tashmë janë pjesë e ansamblit profesionist të këtij teatri. Në vitin 1999, pas mbarimit të luftës në Kosovë, ky teatër pagëzohet me emrin Teatri Kombëtar i Kosovës.
Gjatë 10 viteve të pasluftës, në këtë teatër janë vënë në skenë tekste të shumta të dramaturgjisë kombëtare dhe botërore. Teatri Kombëtar i Kosovës është teatër me karakter shtetëror dhe, si i tillë, financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës. / KultPlus.com