27 Prill, 2018 - 2:16 pm
Shfaqja teatrore për të rinj – “Verteri”, e shkruar nga Johann Wolfgang Goethe, vjen sonte nga ora 20:00 si premierë në teatrin “Adriana” të Ferizajt, nga regjisori gjerman Stefan Schletter.
Ky produksion teatror është bashkëpunim në mes të Teatrit “Adriana” në Ferizaj, Teatrit Pfalzbau të Ludwigshafen në Gjermani dhe Qendrës Multimedia në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Në shfaqje janë angazhuar aktorët Jajush Ramadani, Milot Salihu e Edona Berisha Bekteshi. Skenografinë dhe kostumet do t’i realizojë Nora Jentzsch. Kushtrim Shemsedini do të jetë përgjegjës për muzikën.
“Sa i lumtur jam që nuk jam më”- kështu fillon novella e Johann Goethe-s “Vuajtjet e Djaloshit Verter”.
Edhe pse e shkruar në shekullin e 18-të nga Goethe, historia që tregohet aty, edhe sot reflekton nevojën themelore të çdo gjenerate të re për t’u çliruar.
Verteri udhëhiqet nga pasioni për liri absolute. Ai e jeton jetën pa ndonjë barrë apo ndonjë obligim për të kaluarën dhe vlerat tradicionale. Ai ndjek emocionet e tij, dhe në takim të pare bie në dashuri me Loten.
Lote, një vajzë e re dhe e bukur që kujdeset për vëllezërit e motrat e saj pas vdekjes së nënës së tyre, është e fejuar me Albertin, një njeri i durueshëm dhe shumë i respektueshëm. Përkundër të gjitha pengesave dhe arsyeve, Verteri ndjek rrugën e dashurisë ndaj Lotes, gjithnjë deri sa nuk gjen një fund tragjik.
“Ne dëshironim të gjenim një temë univerzale që paraqet më shumë ngjashmëri se sa ndryshime në një botë të globalizuar. Dashuria është tema më universale që ne mundëm të gjenim për të rinjtë. Ajo është pa kufij dhe pa kohë”, ka thënë regjisori Schletter.
Përpos në Kosovë, shfaqja do të jepet edhe në Maqedoni, Gjermani e Shqipëri. Repriza e parë e shfaqjes do të jepet më 28.04.2018, në ora 2:00 në teatrin “Adriana” të Ferizajt. / KultPlus.com