8 Gusht, 2024 - 6:15 pm
Më shumë se një vit, Medaur Sadrija është duke mbushur sallat e teatrove të ndryshme në shtetet gjermanofolëse, i cili me Stand Up Comedy është duke e bërë për vete audiencën e shumtë në Austri, Zvicër e Gjermani, shkruan KultPlus.
Medaur Sadrija që së fundi është nominuar edhe për Swiss Comedy Award në kategorinë “Best Talent”, talentin e tij për këtë fushë e ka zbuluar qysh kur ishte shtatë vjeç, dhe kreativitetin e tij për këtë fushë nuk e ka ndërprerë asnjëherë, deri sa ka prekë edhe magjinë e skenës.
“Që në moshë të re kam kuptuar se shumë më pëlqen të bëj komedi dhe të bëj njerëzit të qeshin. Më ka bërë të lumtur të shoh që mund të bëj dikë të qeshë”, ka thënë Sadrija për KultPlus, i cili ka shpjeguar më pas se komedia që e prezanton para audiencës më shumë është ajo klasike.
Por momenti kur mori kthesë për profesionin e Medaurit, ishte kur e kishin angazhuar në një shfaqje teatrale të shkollës, kur i kishte pas vetëm 8 vjet.
“Kam luajtur një baba që flinte dhe të gjithë qeshnin. Që nga ajo ditë jam dashuruar me këtë art”, ka thënë Sadrija, i cili momentin profesional e konsideron atë të paraqitjes së nëntorit të vitit 2022, kur edhe ka filluar të prezantohet para audiencës së gjerë.
Ajo çka e bën të veçantë këtë artist shqiptar para audiencës gjermane është se Medaur Sadrija tekstet i bazon të vetja e tij, familja, trajton temat e emigrantëve, gjithnjë duke përfshirë vetën si fëmijë i emigrantëve, që sipas tij, e bëjnë interesante edhe dallimet mes edukimit të tij si fëmijë dhe edukimit të fëmijëve gjermanë.
“Përfshirja e jetës së shqiptarëve, mënyrës se si jetojmë, dallimet mes shqiptarëve dhe gjermanëve, edukimit dhe shumë elementeve të tjera e bëjnë komedinë time që të mirëpritet. Po, po nëpërmjet shfaqjeve të mija jap edhe mesazhin se pavarësisht dallimeve, nuk jemi aq të ndryshëm se sa mendohet” ka thënë Sadrija.
Arsyeja që pse ka futë elemente të kulturës shqiptare, ai ka thënë se vetëm nëpërmjet artit mund edhe të promovojmë kulturën tonë edhe përtej Kosovës, në këtë rast nëpërmjet komedisë.
“Dua t’u tregoj njerëzve një pjesë të kulturës sime dhe t’u hap një derë për ta eksploruar atë. Gjithashtu flas shumë për paragjykimet me të cilat ne shqiptarët përballemi, dhe tregoj se sa absurde dhe qesharake janë ato. Unë shpjegoj dhe i zgjas dorën publikut, metaforikisht, për të qeshur së bashku për këto gjëra. Sepse asgjë nuk i lidh njerëzit më shumë se sa humori”, ka thënë Sadrija.
Ndërkohë, se nëse do të mund të paraqitet në një të ardhme të afërt edhe në gjuhën shqipe, Sadrija ka thënë se një dëshirë të tillë e ka qysh moti, por duke qenë se ky lloj arti do një komunikim më të rrjedhshëm me audiencën, ai ka thënë se një komunikim i tillë është pak më problem, për faktin se gjuhën shqipe nuk e ka po në atë nivel sa të paraqitet në një skenë të komedisë.
“Në skenë duhet të reagosh shpejt dhe të jesh shumë i aftë gjuhësisht për t’i përcjell mirë shakatë”, ka thënë Sadrija, i cili është duke punuar që të përmirësojë edhe gjuhën shqipe po në atë nivel sa të prezantohet edhe në skenë.
Edhe përkundër faktit se nuk është gjatë në skenë, Sadrija në fund ka potencuar mirënjohjen për nominimin e tij në Swiss Comedy Award në kategorinë “Best Talent”, dhe se këtë nominim, sipas tij ia dedikon të gjithë fëmijëve, prindërit e të cilëve duhej të linin vendin e tyre të lindjes për të filluar nga e para diku tjetër.
“Ia dedikoj këtë nominim të gjithë fëmijëve , prindërit e të cilëve duhej të linin vendin e tyre të lindjes për të filluar nga e para diku tjetër, të cilët për këtë arsye e kishin më të vështirë të pranoheshin në shoqëri dhe që me pak burime duhej të arrinin gjithçka”, ka thënë Sadrija, i cili poashtu është shprehur të jetë krenar edhe për faktin se është shqiptari i parë i nominuar për një çmim Stand-Up Comedy”. Medaur Sadrija tashmë është angazhuar në disa projekte, të cilat pritet të shfaqen në një të ardhme të afërt./ KultPlus.com