4 Prill, 2019 - 8:00 pm
Aktorja e njohur Ilire Vinca rikthehet në Tiranë për të luajtur në shfaqjen “Natën ma” me regji të Ema Andreas. Artistja numëron 35 role në teatër edhe 35 në kinematografi. Ajo tregon eksperiencën e saj si aktore në skenë, por ndalet edhe tek marrëdhënia, që ka me vajzat e saj
Anila Dedaj
Në aktrim Ilire Vinca të krijon thuajse të njëjtin sensacion, si sopranoja Ermonela Jaho në opera. Është e vërtetë, në çdo gjest e fjalë, saqë spektatori harrohet e nis ta identifikojë me personazhin… Ashtu ndodh edhe në “Natën, ma!”, ku luan nën petkat e Telmas, rolin kompleks të një nëne, së cilës i duhet të përballet me depresionin e së bijës, Xhesit (Egla Ceno). Nën regjinë e Ema Andreas, spektatori ka mundësinë të përfshihet në një interpretim rrëngjethës dramatik, ku tre gra nxjerrin në pah forcën që gëlon brenda qenies njerëzore, për të ndryshuar fatet, apo për t’u përballur me frikërat e botës së jashtme. Vinca është entuziaste që pjesën e Marsha Norman fituese të çmimit “Pulitzier” dhe çmimeve të tjera të rëndësishme e ndan me dy kolege, si Andrea dhe Ceno. “E ndajmë fatin e nënës dhe të bijës në mënyrë shumë të bukur, me ndjeshmëri të lartë. Mandej Ema është e jashtëzakonshme dhe kujdeset që çdo nuancë ne ta kërkojmë e ta nxjerrim nga vetja”, shprehet ajo. Emocionet shfaqjes do t’ia shtojë edhe më tepër muzika e Bojken Lakos, dhe skenografia gati mistike e Enio Shehit, që ndjell vëmendje, duke pasur gjithmonë në qendër personazhet. Emocione që, sipas Ilires, ndryshojnë çdo mbrëmje, e çdo spektator i përjeton në mënyrën e tij. “Natën, Ma!” mirëpret artdashësit sot, nesër dhe pasnesër në orën 19:00, në Teatrin Metropol, për një histori që do t’ju shkundë ndërgjegjen, duke ju ftuar në një reflektim, mbi veten, të tjerët dhe marrëdhëniet njerëzore. “Shekulli” sjell në një rrëfim shqiptaren e teatrit dhe kinematografisë, që “League Professional Theatre Women në New York” e nominoi si një nga 20 aktoret më të mira në botë, pedagogen, nënën, dhe gruan që kujdeset që të parat në profesion e jetë, të vendos vlerat.
Zonja Vinca, 25 vite karrierë në kinema dhe teatër. Nëse kthehemi në retrospektivë si lindi dëshira për t’u marrë me aktrim?
Një histori që zanafillën e ka shumë të herët, e që ndoshta tek unë ka lindur në atë fazë kur njeriu ende nuk mund të vetëdijesohet për të ardhmen e tij, para se të artikuloja mendimet. Diçka e tillë ndoshta ka ndodhur, pasi unë jam rritur mes poezisë, artit e këngës, falë edhe babait tim, i cili është poet dhe studiues i letërsisë. Nuk mund ta mohoj se kur erdhi momenti që unë duhet të vendosja, të zgjidhja profesionin kam pasur shumë dilema. Sepse, isha e tërhequr nga fusha të tjera të artit krahas aktrimit, si muzika dhe piktura. Mirëpo ndonjëherë në jetë vijnë disa momente që në një farë mënyre të përcaktojnë fatin. Për mua ndodhi kur duhet të bëja regjistrimin, për koincidencë u hap dega e Arteve Dramatike në Prishtinë (1989). Mirëpo ndodhi që unë u pajisa me dy indekse, nga njëra anë nëna donte të më siguronte një profesion më të sigurt, si mjekësia, e nga ana tjetër babai nuk hoqi asnjëherë dorë, dhe gjithmonë e përforcoi edhe më shumë dëshirën time për t’u marrë me art. Kështu unë i ndoqa të dyja deri në vitin e tretë, deri në kohën kur shkollat shqipe u mbyllën (1990-‘91) e ne dolëm nga objektet shkollore. Pra gjeografikisht u bë e pamundur që unë t’i ndiqja të dyja degët, por nuk ishte vetëm kjo…Unë ndodhesha në një pikë, që isha pjekur mjaftueshëm sa për të vendosur përfundimisht drejtimin që doja të merrja. Pra unë duhet të jepja maksimumin tim në një prej tyre, dhe profesioni në një farë mënyre të më përmbushte. Kështu zgjodha artin! Qe një zgjedhje e bërë me shumë lehtësi. Nuk pata asnjë dilemë, e dija se duhet të isha një aktore më shumë , e jo një mjeke më shumë. Më dukej sikur mjeke kishte mjaftueshëm.
Karakterizoheni gjithashtu nga mirënjohja, edhe kur flisni për pedagogun tuaj Faruk Begollin…
Të thuash se Begolli ishte një profesor i mirë është pak, ai ishte i jashtëzakonshëm. Nuk është kujdesur vetëm për edukimin tonë përmes leksioneve të aktrimit, por ai ka ndikuar tek secili prej nesh, përsa i përket orientimit tonë si qenie njerëzore. Gjithmonë duke mbjellë dashuri dhe respekt ndaj njëri-tjetrit, duke kultivuar disiplinën e punës. Përpiqej që në të evidentonte pikat tona të forta si aktorë, karakteristikat specifike. Sepse, edhe pse ne mund të jemi të gjithë aktorë, asnjë nuk del nga shkolla i njëjtë si tjetri. Ai ka bërë të mundur që çdokush nga ne të dalë nga shkolla e të bëjë atë që di të bëjë më së miri. Ishte shumë i afërt dhe njëherazi shumë i rreptë. Një kombinim i përsosur! Kur ne festonim deri në orët e vona ndonjë premierë, e dinim se duhet të ishim fiks në kohë në prova të nesërmen, pasi nuk kishte asnjë tolerancë.
Keni prekur suksese si në teatër ashtu edhe në kinematografi. Si e ruani balancën mes ekranit dhe kontaktit të drejtpërdrejtë me publikun? Si ka ndryshuar Ilirja gjatë këtyre viteve, duke bërë që regjisorët ta përzgjedhin si protagonisten e shfaqjeve/filmave të tyre?
Ka edhe të tjerë kolegë që janë aktorë si në teatër ashtu edhe në kinematografi. Mendoj se kjo balancë nuk është shumë e vështirë për t’u mbajtur, mjafton të krijosh një shenjë, e të kuptosh si duhet të luash në skenë e si në shesh të xhirimit. Ndoshta të tjerët mund të flasin më mirë për atë që shohin tek unë. Ajo që unë mund të them me siguri është, se e dua punën që bëj dhe është pikërisht ky starti i gjithçkaje.
Në momentin që ju pranoni një rol, si futeni në petkat e personazhit?
Fillimisht është leximi i parë i pjesës, që mandej të perceptoj përshtypjet e mia të para e t’i shkruaj, pasi janë shumë të rëndësishme. Mandej duhet të jesh shumë i durueshëm për të zbuluar çdo shtresë të personazhit, e kjo duhet bërë pa rënë në grackën e demonstrimit, por duke mbetur tek përjetimi. Pra duhet të veshësh të gjitha karakteristikat që personazhi ka, jo vetëm një aspekt. Të arrish një dimension brenda kontekstit, që t’i afrohet sa më shumë spektatorit me të gjitha dilemat, pyetjet që mund t’i zgjohen pas asaj shfaqjeje. Do të ishte mirë që pas atij roli, ndonjëherë të ketë edhe debate në publik, që ishte apo nuk ishte kështu. Pra duhet të sjellësh diçka që t’i ngacmojë dhe t’u afrohet sa më shumë.
Ndër rolet që keni interpretuar, a ka ndonjë prej tyre ku ndoshta e keni gjetur më shumë veten?
Secili prej roleve të mia ka diçka të ngjashme me mua. Sepse, vjen prej meje, buron nga unë. Çdokush nga ne ka një botë të tijën emocionale, një mënyrë specifike se si i qaset punës, sesi e shohim një personazh. Jam e bindur se rolet e mua mund t’i luaj shumë bukur dhe një tjetër aktore. Nuk është se e kam zbuluar unë Telmën, dhe asnjë Telmë tjetër nuk do të funksiononte. Ka shumë Telma në botë, po aq sa ka edhe aktore dhe mendoj se secila prej tyre do ta zbulonte më të bukurën nga vetja brenda një roli. Kështu që mendoj se rolet e mia kanë pak Ilire, por njëherazi rolet janë edhe një vulë, një gjurmë tek Ilirja. Këtë e shikoj po ashtu si një kombinim shumë të bukur.
Jeni rikthyer në Tiranë për “Natën, Ma!”, një shfaqje e fortë dramatike, ku ju sillni emocione të forta të një nëne. Si e keni përjetuar këtë rol si aktore, por edhe në një aspekt më personal, si nënë e tre vajzave?
Është një rol, një proces shumë kompleks. Kjo pikësëpari falë tekstit fantastik, e pastaj edhe për bashkëpunimin që arrihet . E ndaj fatin e nënës dhe të bijës me një aktore, si Egla ceno, në një mënyrë shumë të bukur, që përcjell ndjeshmëri të lartë. Mandej Ema është e jashtëzakonshme dhe i kushton vëmendje maksimale çdo nuance që ne duhet të kërkojmë e nxjerrim nga vetja. Kjo pjesë më ka bërë që, jo vetëm si nënë e tre vajzave të kthej sytë nga vetja, ta vëzhgoj veten, duke pyetur: A ka pasur një moment që unë kam qenë kështu, që kam reaguar në këtë mënyrë?! Pastaj jam kthyer edhe më në kohë, si bija e një nëne duke pyetur përsëri veten: A kam qenë unë kështu ndonjëherë? Si jam sjellë unë me ‘nanën’ e si ajo me mua. Kështu pyetje pas pyetje reflektimi është shumë i bukur, kaq personal edhe profesional në të njëjtën kohë. I gjithë ky proces i ka dhënë një dimension më shumë shfaqjes, sepse është një përjetim i ndjerë, i bukur. Është i tillë ndoshta edhe sepse nuk ka përgjigje. Për aq sa zgjat shfaqja, ne prekim, gërmojmë, përjetojmë, zbulojmë, por nuk arrijmë të zgjidhim asgjë. Pra është një proces, një vorbull, nëpër të cilën të gjithë njerëzit kalojnë.
Është një komunikim siç e thatë edhe ju shumë, kompleks nënë e bijë ai i Telmës me Xhesit. Sa e vështirë është të arrihet kjo urë dialogimi mes palëve në jetën reale, të kuptohesh, të kuptosh dhe të bësh një zgjedhje?
Është e vërtetë në këtë shfaqje shkojmë drejt komunikimit me një vështirësi të madhe. Diçka që unë nuk e has gjithmonë me vajzat. Pra si prind duke dashur të bësh më të mirën, nuk e di se cilën rrugë të zgjedhësh. Nëse duhet të thuash “Po”, apo “Jo”. Mandej janë dilemat, se deri ku duhet ta nxitësh. Dilema të mëdha e komplekse që vijnë me shumë ngjyrë. Në shfaqje ndodh komunikimi, nën një presion shumë të madh. Ndërsa, unë me vajzat kemi një marrëdhënie shumë të afërt dhe dialogojmë lehtë. Kemi punuar shumë të dyja palët në këtë aspekt, i jam dedikuar shumë kësaj pjese.
Ju jeni gjithashtu pedagoge për Artet në Prishtinë, si e shikoni ecurinë e aktorëve të rinj, a ka mes tyre talente?
Mendoj se po rritet një brez i ri artistësh shumë i talentuar. Duke punuar si pedagoge e vërej këtë, mirëpo fati i keq i tyre është se Kosova ka mbetur ende e izoluar. Është diçka të cilën ne e përjetojmë, një padrejtësi shumë e madhe që na është bërë. Një izolim i tillë nuk ka të bëjë vetëm me faktin se dikush duhet të ngjitet në avion e të shkojë në një tjetër vend, por ka të bëjë me dhunën e peshën psikologjike që njeriu e pëson kur është i izoluar, e nuk ka mundësi për të bërë një zgjedhje të lirë. Ndikon shumë, ndikon keq nga ana psikologjike. Pra tek të rinjtë nga ky fakt, has një lloj shuarje të shpresës, mbyllje të vizionit. Diçka e tillë bën që motivimi për punën të bjerë, sepse ata mendojnë se ajo që bëjnë qëndron brenda një kornize, vetëm brenda për brenda. Në këtë mënyrë fillojnë kompromiset me vete, çka bën që ndonjëherë të mos hapen disa dyer, të cilat edhe pse mund të mos jemi të vetëdijshëm janë aty për ne. Izolimi ndjehet, është një peshë që e ndiej si pedagoge dhe profesioniste. Shpresoj që diçka e tillë të ndryshoj shumë shpejt pasi do të ndryshonte mentalitetin dhe qasjen ndaj punës së tyre. Sepse, fakti që puna mbetet vetëm brenda kufijve shpesh demoralizon. Zbeh dëshirën, ndjenjën e vetëvlerësimit të ballafaqimit jashtë kufijve. Izolimi mund të bëhet konsumues.
Ana tjetër e medaljes, së paku për ju si profesioniste është pjesëmarrja në kompeticione të rëndësishme ndërkombëtare qoftë me produksione nga Shqipëria apo nga Kosova. Si jeni ndjerë gjatë këtyre momenteve?
Është një vlerësim shumë i madh. Kjo edhe duke pasur parasysh se sa vonë kemi filluar në krahasim me të tjerët. Pra jemi të freskët në këtë treg që shpesh konsiderohet “monstruoz” dhe të evidentohen vlerat shqiptare është një arritje e madhe. Është një proces që po vazhdon me hapa shumë të sigurtë dhe kjo më gëzon akoma më shumë. Kemi një gjeneratë të jashtëzakonshme të regjisorëve, një përqindje shumë të mirë të grave kineaste, duke pasur parasysh situatën. Jam shumë e lumtur që kjo derë është hapur dhe kam besim se do të vilen shumë frute në këtë aspekt.
2 vite më parë u nominuat nga “League Professional Theatre Women në New York”, si një nga 20 aktoret më të mira në botë, ndërkohë që jeni vlerësuar me çmime të tjera të rëndësishme. Si i përjetoni të tilla suksese?
Një shprehje e mençur thotë se “Lajkat, çmimet janë të bukura, duhet t’i shijosh, por të mos i mbash afër. Duhen lënë anash”. Pra sado që ta në gëzojnë, unë i konsideroj më tepër si një dëshmi se puna duhet të vazhdojë me më seriozitet, përkushtim dhe dashuri. Ndonjëherë më gëzojnë më shumë fjalët e njerëzve, mbështetja e publikut, energjia që ai më jep duke më shpërblyer punën që çdo ditë kam bërë në kinema apo teatër.
Cilat janë emocionet që përjetoni pas një shfaqjeje? A ka ndonjë moment që mund të veçonit?
Ka shumë… Çdo shfaqje, çdo publik, çdo individ që vjen në sallë më sjell diçka me vete. Përjetimet e publikut, janë të veçanta, asnjë natë nuk është njësoj. Mendoj se është kjo që e bën të bukur teatrin, që një person, aktor, i jep jetë një personazhi, duke krijuar njëherazi një audiencë të re. Kontakti me publikun është gjithmonë një komunikim i freskët që ndodh aty për aty, e që nuk përsëritet asnjëherë njësoj. E vërtetë që i jap shumë publikut, por edhe marr shumë prej tyre.
Dikur patët mundësinë për tu bërë mjeke duke iu dedikuar këtij profesioni për tre vjet. Nëse do të ktheheshit pas në kohë do të rizgjidhnit përsëri aktrimin?
Mendoj se po! Unë kam shumë imagjinatë dhe ndonjëherë fantazoj: po sikur të isha bërë kështu? Po sikur të kishte ndodhur kështu? Ne kemi një shans të vetëm, dhe jetën nuk mund ta paramendojmë, as të kthehemi pas e të shohim se si do të kishte qenë, por unë jam shumë e kënaqur për zgjedhjen që kam bërë. Siç e thash më sipër jap shumë nga vetja, por njëherazi edhe marr po aq nga të tjerët. Diçka e tillë më bën një njeri shumë të lumtur!/ Gazeta Shekulli