24 Janar, 2025 - 3:00 pm
“Iluzionet bashkëshortore” ishte shfaqja që solli mbrëmë Teatri Kombëtar, në ArTurbina.
Vepra e dramaturgut francez Eric Assous, erdhi me regjinë e Artan Imamit dhe interpretim të Indrit Çobanit, Andia Xhungës dhe Donald Shehut.
Komploti sillet rreth dinamikës komplekse të një çifti të martuar, të cilët përballen me sfidat dhe dyshimet që lidhen me jetën e tyre martesore. Përmes një loje të sinqertë dhe argëtuese rrëfimi, të dy bashkëshortët zbulojnë lidhjet e tyre jashtëmartesore. Xhelozia e burrit ndaj lidhjes së fundit të bashkëshortes çon në situata të sikletshme dhe komike. Elementi kryesor që nxit historinë është dyshimi ndaj një miku të familjes që është i ftuar në shtëpinë e çiftit pa e ditur situatën.
Kështu miku i çiftit e gjen veten të pavetëdijshëm në qendër të vëmendjes dhe prania e tij krijon tensione të mëtejshme dhe keqkuptime zbavitëse që e bëjnë komedinë të gjallë dhe tërheqëse.
Komedia, e përkthyer nga Anxhela Çikopano, do të vijojë të shfaqet sonte dhe gjatë mbrëmjeve të fundjavës./ KultPlus.com