9 Shtator, 2024 - 5:26 pm
“Fondi i Teatrit për të Rinj” me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, sjell shfaqjen “Impromptu”, të autorit Tad Mosel.
Shfaqja me regji të Artemis Belulit, do të vihet në skenën e teatrit “Zihni Sako” të Gjirokastrës. Ajo tregon historinë e katër aktorëve dhe administratorit të cilët duhet të improvizojnë një shfaqje, ku ashtu si jeta, perceptohet si një argëtim i pastër por papritur transformohet në një dramë në “modalitetin Pirandello”.
Procesi i arritjes së qëllimeve për çdo personazh vjen parësore, madje më e rëndësishme se vetë përfundimi i tyre si karaktere, për shkak të kompromiseve që ata kanë bërë me administratorin, në një luftë për të ekzistuar para publikut.
Shfaqja ngre një pyetje ekzistenciale: “Cili duhet të jetë raporti i duhur i së vërtetës kundrejt iluzionit drejt një jete të balancuar?”. Me anë të saj vihet në pah vetëdija e gjithësecilit dhe raporti i tyre me kompromiset e skenës. Kjo pyetje e shtyn shfaqjen të ketë komponentë të një teatri absurd, duke sulmuar komoditetin e personazheve ndaj vetëkënaqësisë, me qëllim vendosjen e publikut përballë sfidave njerëzore, si: izolimi i individit, dëshpërimi dhe përpjekja për gjetjen e vetëvetes në këtë realitet./atsh/ KultPlus.com