21 Shtator, 2024 - 1:32 pm
Shkruan: Albana Beqiri
Shfaqja e fundit që përmbylli ‘Summer Cult 2024’ ishte “Impromptu”, produksion nga Shqipëria. Regjisorja e re Artemis Beluli kishte zgjedhur dramën komike të amerikanit Tad Mosel për të realizuar një shfaqje që e tërhoqi vëmendjen e publikut dhe mori duartrokitjet e tij.
Katër aktorë (Erina Lazi, Klodian Çelmeta, Eva Gjika, Ronaldo Kolgjokaj, Shandi Ismailaj) janë ulur në një skenë pa ndriçim, ndërsa presin menaxherin e skenës i cili është ai që i ka thirrur. Presin pa e ditur se për çka, por gjithsesi presin, gjatë pritjes rritet tensioni: errësira dhe pamundësia për të kuptuar se çfarë po ndodh e rrit tensionin mes tyre. Menaxheri i skenës dukshëm është person autoritar dhe mungesa e tij në mos nuk i frikson i bën të ndihen keq katër aktorët, të cilët dalëngadalë e kapin veten të shndërruar në personazhe të një drame që duhet ta shkruajnë vetë aty për aty dhe po aty për aty të interpretojnë e të bëjnë regjinë e saj.
Duhet të luajnë një shfaqje pa e ditur se çfarë shfaqje është ajo, befas dritat hapen, skena ndriçohet, por ata ende janë të paqartë për atë që duhet të bëjnë: dinë vetëm se nuk duhet të largohen pa e përfunduar shfaqjen. Para tyre është një publik në pritje me sytë nga ata, por katër aktorët ndjejnë se qenka vështirë të jesh personazhi i vetvetes, sepse ata se paskëshin njohur as veten se lëre më tjetrin.
Improvizimi është rruga e vetme që ata të dalin nga kjo situatë gati absurde. Por gjithçka duket kaq e vështirë në këtë skenë me të cilën mendonin se ishin të familjarizuar. Nuk kanë kurrfarë besimi në vete, te shoku jo se jo, sillen në një zonë të turbullt emocionesh të cilat as nuk shpërfaqen dot.
Detyra që iu është dhënë duket si një mision i pamundur.
Megjithatë duhet ta kryejnë medoemos. Skena kthehet në një arenë të ndeshjes së “gladiatorëve” të brendshëm dhe ashtu si pakuptuar merr trajtat e një “lufte” për egzistencë para publikut. Përgjatë improvizimit shndërrohen në kameleonë mbijetues, sepse egzistenca është cënuar dhe publiku është vënë përballë përjetimit të sfidave njerëzore.
Zhvillohet kështu një shfaqje brenda shfaqjes dhe mbyllja e detyruar brenda një skene që i grish të interpretojnë skena të improvizuara ka kostot e veta. A do të mund t’ja dalin katër aktorët që të arrijnë të komunikojnë me njëri tjetrin dhe me publikun pa ato fasadat teatrale me të cilat i drejtohen njëri tjetrit?
Ndërsa para publikut (jo vetë atij imagjinar) drama tingëllon si një miksim interesant i fantazisë dhe të vërtetës, improvizimet e aktorëve fillojnë e lexohen mirë, përtej asaj që interpretojnë në mënyrë teatrale personaliteti i vërtetë i tyre fillon të përthyhet e të shpërfaqet hap pas hapi.
Shfaqja e improvizuar brenda shfaqjes “Impromptu” ia doli të zgjojë kërshërinë artistike për egzistencën, të vërtetën dhe iluzoren si dhe dëshpërimin që pëson individi i izoluar i cili vihet në kërkim të vetes së shkapërderdhur brenda këtij realiteti.
Për fund mund të themi se loja e katër aktorëve të vërtetë që luanin rolin e katër aktorëve të shfaqjes tjetër, asaj të improvizuarës ishte solide, ata ja dolën të përcjellin te publiku gjithë dilemat, pamundësinë, dëshpërimin dhe dyzimet e njeriut të gjendur në kushte të izolimit.
“Impromptu” e konceptuar nga autori dhe realizuar edhe në këndvështrimin regjisorial si komedi-dramë, erdhi në teatrin “Dodona” si një alegori e fort e jetës, në teatër dhe të vërtetës. / KultPlus.com